2015-01-08 15:05:37

“Çelësi i fjalëve të Kishës”: “të pabesët”, ose “të patënzonët” në Islam


Në programin e sotëm, në atmosferën e ngjarjeve të dhunshme në Paris, do t’ju flasim për konceptin e “të pabesit”, apo “të patënzonit” në Islam.RealAudioMP3

Si lindi kategoria e “të pabesëve”?
Në të vërtetë, bindja se janë ndjekës të së vetmes “fe të vërtetë”, i ka nxitur për luftë jo vetëm besimtarët myslimanë, por edhe ata të feve të tjera, përfshirë të krishterët, pavarësisht se luftrat kanë lindur gjithnjë për arsye tejet tokësore e jo hyjnore. Për ata, që besojnë në një Zot të vetëm, “të patënzonët” janë njerëzit, që adhurojnë shumë zotër. Edhe vetë monoteistët kanë shkëmbyer shpesh akuza të tilla gjatë shekujve, akuza, të cilat kanë çuar në vringëllima shpatash e në gjyle topash, që synonin shkatërrimin e njërës apo të tjetrës palë. Për pasojat e luftrave të krishtera, vetë Papa Gjon Pali II pati kërkuar falje botërisht, gjë që, deri tani, nuk është përsëritur nga asnjë fe tjetër.
Edhe bota myslimane ka teori për luftën kundër “të patënzonëve”. Muhameti paraqitet si “profet i armatosur”, në krye të një popullsie, e cila shkon në luftë në emër të fesë. Madje, në këtë luftë të myslimanëve kundër popullsive afrikane dhe evropiane u derdh gjak pa fund. E megjithatë, koncepti i “të pabesit”, sidomos pas përfundimit të luftës, ndryshon nga ai i botës së krishterë.
Vetë kuptimi i fjalës e ka origjinën tek fillimi i predikimeve të profetit Muhamet në Mekë. Të patënzonët ishin popullsitë politeiste, që banonin në gadishullin arab. Kurani vë shenjën e barazimit ndërmjet të patënzonit dhe politeistit dhe deklaron luftë të drejtë, apo “gjhad”, kundër atyre, që nuk besojnë në një Zot të vetëm. Ky koncept shtrihet edhe mbi popullsitë e territoreve të pushtuara.
Megjithatë, pas nënshtrimit të këtyre territoreve, “të pabesët” nuk zhduken fizikisht, por hyjnë në kategorinë e “të mbrojturve”. Nuk kthehen me forcë në fenë islamike, sepse Kurani e ndalon këtë gjë, por duhet t’u nënshtrohen disa kushteve, si pagesa e një takse të veçantë, nuk mund të përhapin fenë e tyre e nuk mund t’u kundërvihen politikisht fitimtarëve (sot, do të thoshim: “nuk mund të bëjnë opozitë”).
Përsa u përket të krishterëve dhe hebrenjve, Islami është mirëdashës, në parim. Mëse një herë, në Kuran ftohen myslimanët të mos i konsiderojnë armiq “njerëzit e Librit” (pra, të Biblës), sepse të gjithë – hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët – kanë një paraardhës të përbashkët në fe, Abrahamin profet.

A mund të konsiderohet “xhihadi”, “luftë e shenjtë”?
Po të kemi parasysh sa thamë më lart, kuptohet se duhet të kemi kujdes në barazimin e “xhihadit” me “luftën e shenjtë”. Kjo e fundit është koncept i menduar në kohën e kryqëzatave, ndërsa “xhihadi” ka tjetër domethënie. Së pari, për fenë myslimane është i huaj koncepti i shenjtërisë. Së dyti, “xhihadi” ka të bëjë me idenë e “përpjekjeve dhe të zellit” kundër një armiku të dukshëm, kundër djallit dhe kundër vetvetes. Disa komentues të Kuranit e shohin “xhihadin” më tepër si luftë shpirtërore e morale, se sa ushtarake, megjithëse ky i fundit është interpretimi më i përhapur në botën islamike. Koncepti i luftës dhe i paqes ka rëndësi të madhe për fenë myslimane. Bota ndahet në dy pjesë: “Dar al-Islam” (Shtëpia e Islamit) dhe “Dar al-Harb” (Shtëpia e Luftës). Në këtë të dytën banojnë popujt, që akoma nuk janë kthyer në fenë islamike, me të cilët mund të fillojë një luftë e mundshme. Por, cilët janë armët e saj?
Këtu, shumë teologë e juristë myslimanë ngulin këmbë se lufta kundër armiqve të Zotit është luftë kundër së keqes dhe padrejtësisë, si në botë në përgjithësi, ashtu edhe në zemrën e çdo njeriu. Këta rekomandojnë mjete jo të dhunshme. Në të njëjtën mënyrë si shumë teologë e shenjtorë të botës së krishterë, si për shembull, shën Françesku i Asizit, të cilët predikuan paqen si e vetmja gjë e shenjtë, që duhet të kërkojë i krishteri i mirë, duke u larguar kështu nga teoricienët e kryqëzatave. Kujtojmë se shën Françesku shkoi tek sulltani i Egjiptit pikërisht me mision paqeje, i bindur se kjo ishte udha e vetme për t’u kthyer kah Zoti.
Si përfundim, si në botën myslimane, ashtu edhe në atë të krishterë, teorizimet ekstremiste janë mbrojtur vetëm nga një pjesë e këtyre kulturave, kanë qenë fryt i çasteve politike të veçanta e në shumë raste, kanë shërbyer për të maskuar me kuptime të dyshimta shpirtërore interesat, thjesht tokësore.

(marrë kryesisht nga www.pbmstoria.it)







All the contents on this site are copyrighted ©.