Me 8 janar kalendari kishtar përkujton Shën Severinin abat. Në shekullin
V, pas sulmeve të pandërprera të pushtuesve vizigotë, ostrogotë, vandalë, svevë, burgundë,
frankë perandoria romake e Perëndimit u shemb. Ndërsa mbretëronte atmosfera e shkatërrimit
të përgjithshëm, Kisha katolike mbetej e vetmja pikë referimi për mbijetesën e njerëzve
të tmerruar. Në këto rrethana historike kreu misionin e tij Shën Severini, Apostull
i Norikut. I lindur në gjirin e një familjeje fisnike romake rreth vitit 410,
pasi jetoi në Lindje, rreth vitit 454 u vendos pranë Danubit, në kufirin ndërmjet
Norikut e Panonisë, ku ngriti shumë kuvende për të strehuar popullsitë e kërcënuara
nga sulmet barbare si dhe për të vijuar rrezatimin e mësimeve të Ungjillit në gjirin
e popullsive të reja. Nisi kështu jetën kundruese, eremitike dhe misionare duke hyrë
në lidhje të drejtpëdrejtë me popullsitë barbare, në përpjekjen për t’u ndriçuar mendjet
e për të përtrirë shoqërinë romake në rënie, permes shkrirjes së forcave të vjetra
me ato të reja. Me guxim të pashoq, që çuditi deri luftëtarët më të vrazhdë, arriti
në Komagjene, që ishte ndër duart e armiqëve. E me bamirësinë, dashurinë dhe kujdesin
e tij të jashtzakonshëm për nevojtarët, arriti të fitonte përfundimisht zemrat e thjeshta
të barbarëve, duke filluar nga krerët e tyre, të cilët nisën ta dëgjonin plot respekt
çdo fjalë të Shenjtit e të këshilloheshin me të para çdo ngjarjeje të madhe, si të
ishte lajmëtar qiellor. E nuk munguan edhe shenjat që vinin nga qielli, për të vërtetuar
parafoljet e tij. I nderuar dhe i dashur si nga njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe
nga mbretërit e nga luftëtarët, ai jetoi varfërisht, pa kërkuar kurrë përfitime materiale.
Vishej njëlloj verë-dimër, flinte pak orë i shtrirë përdhe, me ijet e ngjeshura në
grathore; në kohën e Kreshmëve hante vetëm një herë në javë. Vdiq më 8 janar të viti
482. Reliket e tij nderohen në Fratamagjore, pranë Napolit.