2015-01-08 15:17:18

Kardinali Tauran e imamët francezë, bota në rrezik pa lirinë e shprehjes. Mediat të respektojnë fetë e besimtarët


“Pa lirinë e shprehjes, bota rrezikohet”: kështu shkruajnë në një deklaratë të përbashkët kardinali Tauran, President i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, e një grup prej katër imamësh francezë të pranishëm në Romë këtyre ditëve, për një takim. Mbledhja, programuar prej kohësh, përkoi një ditë pas atentatit në Charlie Hebdo në Paris dhe u bë rast për ripohuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Vatikanit e islamit, e në të njëjtën kohë, për t’i ftuar mediat të “ofrojnë informacione në respektimin e feve, të ithtarëve të tyre e të dokeve të tyre, duke favorizuar kështu kulturën e takimit”.
“Ndërsa përfundon takimi romak i katër imamëve të Francës, të cilët bashkë me një delegacion të konferencës ipeshkëvnore katolike franceze, morën pjesë në audiencën e përgjithshme të Papës të mërkurën e kaluar – lexojmë në deklaratë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – pjesëmarrësit, të tronditur nga atentati i tmerrshëm, që më 7 janar 2015, goditi selinë e “Charlie Hendo”, dëshiron edhe një herë t’i bashkohet fjalëve që tha Papa për të denoncuar mizorinë e dhunën e verbër. Imamët francezë, të cilët këtyre ditëve qenë në Vatikan për një takim ndërfetar, së bashku me Presidentin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Jean Louis Tauran komentuan masakrën e atentatit të Parisit. “Përgjegjësit fetar – njofton kardinali Tauran – janë të thirrur të promovojnë përherë më shumë kulturën e paqes e të shpresës, e aftë ta mposhtë frikën e të ndërtojë ura ndërmjet njerëzve”. Kardinali Taura shpreh opinionin e përbashkët të tij e të katër imamëve myslimanë francezë, sipas të cilëve është e domosdoshme që mediat t’i trajtojnë fetë me respekt.
“Duke konsideruar ndikimin që kanë mjetet e komunikimeve shoqërore, përgjegjësit e tyre ftohen të ofrojnë një informacion që respekton fetë, ithtarët e tyre, praktikat dhe doket fetare, duke favorizuar kështu kulturën e takimit”, njofton kardinali Taurn në emër të pjesëmarrësve katolikë e myslimanë të takimit të nivelit të lartë, të cilët janë të bindur, shton kardinali, që “dialogu ndërfetar mbetët e vetmja udhë për t’u përshkuar së bashku në mënyrë që të zhduken paragjykimet”. Presidenti i dikasterit të Vatikanit për dialogun me fetë tjera, kardinali Tauran pohoi se gjatë takimit, është folur mbi masakrën e Parisit, e u ripohua ajo çka tha Papa Françesku mbi këtë ngjarje, e saktësisht “thirrja drejtuar të gjithëve për t’iu kundërvue e kundërshtuar me çdo mjet përhapjen e urrejtjes e të çdo forme tjetër të dhunës, fizike e morale, që shkatërron jetën njerëzore, që dhunon dinjitetin e njerëzve, që minon thellësisht bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe të popujve, që është një e mirë themelore, pavarësisht nga ndryshimet mes kombësive, feve e kulturave. Cilido qoftë motivacioni, dhuna vrasëse është e neveritshme e nuk mund të justifikohet kurrë. Jeta dhe dinjiteti i të gjithë njerëzve duhen garantuar e mbrojtur me vendosmëri, çdo nxitje për urrejtje duhet refuzuar e duhet kultivuar respekti për tjetrin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.