2015-01-07 16:40:54

Thirrje e ipeshkvijve të Sri Lankës: mos e politizoni vizitën e Papës


Ipeshkvijtë e Sri Lankës bëjnë thirrje për të mos e politizuar vizitën e Papës Françesku, i cili do të shkojë në vendin aziatik nga 12 deri më 15 janar, pikërisht pas zgjedhjeve presidenciale, që mbahen nesër. Mesazhi nënshkruhet nga kreu i Konferencës Ipeshkvnore, kardinali Malcolm Ranjith. Gjithsesi, pavarësisht se kush e fiton garën për presidencën nga dy kandidatët e paraqitur, presidenti aktual, Mahinda Rajapaksa do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2016, sipas Kushtetutës.
Shqetësimet e Kishës
Në këtë kuadër, shqetësimi kryesor i Kishës së vendit është të mos instrumentalizohet vizita e Atit të Shenjtë. “U kërkojmë me forcë kandidatëve – shkruajnë ipeshkvijtë – një atmosferë paqësore për vizitën papnore, në mënyrë që programi shpirtëror i parashikuar të ndiqet rregullisht… Në çdo nivel, duhet shmangur dhuna, si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve, që, së bashku me popullsinë, të zhvillohet një debat i matur për politikën e çdo partie”.
Të ruhen parimet e demokracisë e të transparencës
Më pas, Konferenca Ipeshkvnore e Sri Lankës bën thirrje të “ruhen parimet e demokracisë e të transparencës absolute për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e korrekte”. Ipeshkvijtë kërkojnë liri e atmosferë demokracie, ku mbretëron shteti i së drejtës. Gjithashtu, Kisha pret që politikanët të angazhohen më seriozisht për vendosjen e paqes e të pajtimit në vend, duke u siguruar të gjithë qytetarëve të drejta të barabarta.
Votë për të mirën e përbashkët
Mesazhi ipeshkvnor vë në dukje të drejtën e çdo qytetari për të votuar pa frikë, në një atmosferë drejtësie e transparence. “Kisha – lexohet në tekst – ka mbështetur gjithnjë nevojën për të respektuar të drejtën dhe detyrën për ta përdorur votën në favor të së mirës së përbashkët”, prandaj pjesëmarrja në zgjedhje nuk është vetëm e drejtë, por edhe detyrë. Ipeshkvijtë urojnë që kandidati jo fitimtar të pranojë vendimin e popullit e të bashkëpunojë me fitimtarin që Sri Lanka, e lirë nga dhuna, të ecë në rrugën e lirisë e të mirëqënies, duke ruajtur parimet e shëndosha ekonomike, morale dhe kulturore, shumë të çmuara për popullsinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.