2015-01-07 16:06:44

Selia e Shenjtë: 3 milionë euro kundër Ebolës në Afrikë


Selia e Shenjtë dëshiron të shprehë vlerësimin e saj të madh ndaj Kishave Katolike të Guinesë, Liberisë e Sierra Leones për përgjigjen e tyre të menjëhershme ndaj krizës, shkaktuar nga virusi i Ebolës. E, për t’i fuqizuar edhe më shumë përpjekjet e tyre, si përgjigje konkrete ndaj emergjencës, jep një kontribut financiar prej 3 milionë eurosh.

Dokumenti i Drejtësisë e PaqesImpenjimi i Kishës për t’iu kundërvënë përhapjes së virusit, përmbahet në një dokument, titulluar: “Kisha Katolike i përgjigjet emergjencës së Ebolës”, hartuar nga Këshilli Papnor për Drejtësi e Paqe. Dukumenti përshkruan, për herë të parë, përgjigjen baritore ndaj një sëmundjeje relativisht të re, që po ia merr jetën jo vetëm individëve, por edhe familjeve e bashkësive të tëra, posaçërisht në këto tre vende të Afrikës Perëndimore.

Selia e Shenjtë inkurajon bamirësit
Fondet do të jenë në dispozicion të strukturave të mbështetura nga Kisha për përmirësimin e asistencës, që japin përmes institucioneve shëndetësore, nismave komunitare e kujdesit baritor për të sëmurët dhe personelin shëndetësor. Selia e Shenjtë inkurajon edhe bamirësit, privatë e publikë, të kontribuojnë në shtimin e fondeve, në shenjë solidariteti me ata që vuajnë aq shumë në këto zona të goditura nga sëmundja. Shumat e ofruara nga Vatikani do të përdoren, ndërmjet tjerash, për blerjen e mjeteve shëndetësore të domosdoshme, për transportin e të sëmurëve e për mirëmbajtjen e strukturave. Një pjesë e kontributit do të përdoret për të ndihmuar popullsinë e zonave të prekura si dhe për forcimin e strategjive, me qëllim që të ndalohet përhapja e Ebolës. Do të ketë edhe fonde për të ndihmuar familjet e prekura nga virusi dhe të miturit e mbetur jetimë.

Theksi vihet mbi asistencën dhe formimin, mbi forcimin e rrjetit katolik kundër Ebolës dhe mbi afërsinë e Kishës pranë popullsive.










All the contents on this site are copyrighted ©.