2015-01-07 14:31:32

Papa në audiencën e përgjithshme: shoqëria pa nëna është çnjerëzore


Papa Françesku mbajti sot, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, audiencën e parë të përgjithshme të 2015-tës, duke vijuar katekizmin kushtuar familjes. Në qendër të reflektimit, figura e nënës.RealAudioMP3
Nëna lartohet shumë, por ndihmohet pak
“Çdo familje, kujtoi Papa, e ka një nënë. E çdo njeri ia detyron jetën nënës. E vijon t’i detyrohet shumë edhe më pas, kur formohet dhe edukohet shpirtërisht në prehërin e saj”.
Mund të themi se nëna ngrihet në qiell, në kuptimin simbolik: për të shkruhen poezi, këndohen këngë, thuhen fjalët më të bukura, lartohet, pra, shumë, por dëgjohet pak e pak ndihmohet në jetën e përditshme, pak vlerësohet edhe në rolin qendror, që ka në shoqëri. Madje shpesh edhe përfitohet nga gatishmëria e saj për t’u flijuar.
Të dëgjohen më shumë nënat
Edhe në bashkësinë e krishterë, vijoi Papa, ndodh që nëna nuk llogaritet aq sa duhet, dëgjohet pak e aspak. Duke harruar se në qendër të jetës së Kishës, është Nëna e Jezusit. Ndoshta nënat, gati për flijime ndaj fëmijëve të tyre, e jo rrallë edhe ndaj atyre të të tjerëve, duhet të dëgjohen shumë më tepër. E shumë më tepër e më qartë duhet kuptuar çfarë dëshirojnë, për të arritur fryte më të mira e më të vërteta emancipimi. Nëna ka gjithnjë probleme me fëmijët, ka gjithnjë punë me e për ta, shumë punë. Unë kujtoj shtëpinë time. Ishim pesë vetë e ndërsa njëri bënte diçka, tjetri mendonte të bënte diçka tjetër, e nëna vraponte sa andej-këndej, e megjithatë, ishte e lumtur, nësa na jepte shumë, gjithë vetveten.
Nënat, ilaç kundër individualizmit egoistik
Nënat, vijoi të nënvizonte Papa, janë ilaçi më i fortë kundër individualizmit egoistik, që tashmë ka marrë dhenë.
Individ do të thotë “që nuk mund të ndahet”. Ndërsa nënat “ndahen”, duke u nisur që nga çasti kur pranojnë në korpin e vet një ferishte, për t’ia dhuruar botës e për ta bërë të rritet. Nënat e urrejnë më fort luftën, që ua vret bijtë. Shumë herë kam menduar për këto nëna, për çastin kur morën letrën… kur lexuan: “Biri yt ra në mbrojtje të atdheut…!”. Të varfrat gra, sa vuajnë! Sa vuan nëna. Nëna, dëshmitarja e bukurisë së jetës.
Çnjerëzore, shoqëria pa nëna
Papa Françesku citoi kryeipeshkvin salvadorian, Oscar Arnulfo Romero, vrarë më 1980, kur fliste për martirizimin amtar. Në homelinë për salikimet e një prifti, vrarë nga skuadrat e vdekjes, prelati pati theksuar se të jesh martir, do të thotë edhe të japësh jetën pak nga pak, në heshtje, në lutje, në kryerjen e ndershme të detyrës; në atë heshtje të jetës së përditshme, si bën një nënë që, pa frikë, me thjeshtësinë e martirizimit amtar, zë në kraharor ferishten, e nxjerr në dritë, e mëkon, e rri e e ruan gjithë jetën me dashuri të pafundme. Kjo do të thotë të japësh jetën. Është martirizim. Të jesh nënë, vijoi Papa, nuk do të thotë vetëm ta nxjerrësh fëmijën në dritë. Është zgjedhje jete:
“Shoqëria pa nëna do të ishte çnjerëzore, sepse nënat dinë të dëshmojnë gjithnjë, edhe në çastet më të vështira, dashurinë, përkushtimin, forcën morale”.
Faleminderit nëna të mbarë botës
Nënat, shtoi Papa, përcjellin shpesh edhe ndjenjën më të thellë të praktikës fetare, përmes lutjeve të para. E fëmija, me gjestet e para të devocionit, mëson edhe vlerën e fesë në jetën e çdo njeriu. Mesazh ky, që nënat besimtare dinë ta përcjellin pa shumë shpjegime: këto arrijnë më pas, por fara e fesë hidhet pikërisht në çastet e para, tejet të çmuara. “Pa nënat jo vetëm që nuk do të kishte besimtarë të rinj, por feja do ta humbiste një pjesë të mirë të ngrohtësisë së saj të thjeshtë e të thellë. E Kisha, kujtoi Papa, është nëna jonë. Ne nuk jemi jetimë, e kemi një nënë! Zoja e Kisha nënë, janë nëna jonë. Nuk jemi jetimë, jemi bij të Kishës, bij të Zojës e bij të nënave tona”.
Të shumëdashura nëna, faleminderit, faleminderit për çka jeni në familje e për çka i jepni Kishës e botës. E ty, Kishë e dashur, faleminderit, që je nënë. E ty Mari. Nënë e Hyjit, faleminderit që na bën ta shikojmë Jezusin. E të gjitha nënat e pranishme këtu, t’i përshëndesim me një duatrokitje.

Përshëndetje imamëve francezë dhe të mbijetuarve të Auschwitz
Pas katekizmit, ndërmjet përshëndetjeve të shumta, Papa iu drejtua delegacionit të imamëve francezë, të angazhuar në marrëdhëniet kristiano-myslimane, duke uruar ta vijojnë me guxim impenjimin në shërbim të paqes, të vëllazërimit e të së vërtetës.
Përshëndeti, më pas, shtegtarët polakë e, posaçërisht, një delegacion përfaqësues të atyre, që shpëtuan gjallë nga kampi i përqendrimit i Auschwiz-it, nga i cili u çliruan 60 vjet më parë.









All the contents on this site are copyrighted ©.