2015-01-07 14:06:40

Dialogu, ilaç kundër dhunës


Vijojnë përgatitjet për kongresin e pestë të krerëve të feve botërore tradicionale, në program qershorin e ardhshëm në Astana të Kazakistanit. Nisma pati lindur në Vatikan, gjatë vizitës së presidentit të Republikës kazake, Nursultan Nazarbayev, në kohën e Papës Gjon Pali II. Presidenti pati kërkuar mbështetjen e Selisë së Shenjtë që vendi i tij – i pasur me fe, etni e kultura të ndryshme - të bëhej promovues i dialogut ndërmjet feve. Natyrisht, kërkesa u pranua menjëherë e pas fjalëve, faktet. Në Kazakistan u dërgua kreu i zyrës për Islamin në Këshillin Papnor për Dialogun Ndëfetar, që vuri bazat e Kongreseve të para. Aktuali, Khaled Akasheh, shpjegon përgatitjet për Kongresin e pestë, nga faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.
Në shtator, në Astana, u mblodh sekretariati i Kongresit dhe grupi i punës, me përfaqësues nga fetë e mëdha të botës: hebraizmi, krishterimi, islamizmi, hinduizmi e budizmi. U vendos që tema e Kongresit të jetë “Dialogu i krerëve fetarë dhe i politikanëve për paqen e zhvillimin”. Në këtë kuadër, do të diskutohet për qëndrimin e politikanëve ndaj fesë; për përgjegjësinë e fesë dhe të politikës ndaj njeriut; për ndikimin e fesë mbi rininë, përmes edukimit, shkencës, kulturës e mediave, duke diskutuar mbi prirjet e perspektivat e reja; për dialogun e bazuar mbi respektin e ndërsjellë e mbi mirëkuptimin ndërmjet feve e ndjekësve të tyre për paqen, sigurinë e harmoninë. Grupi i punës do të mblidhet sërish më 8 qershor, sekretariati një ditë më pas, ndërsa Kongresi do të mbahet më 10 e 11 qershor.
Në mbledhjen e sekretariatit, u fol edhe për gjendjen e të krishterëve në Irak e Siri. U pranua menjëherë propozimi i mitropolitit të Francës, Emanuel për një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës pjesëmarrësit “i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dënojë fuqishëm ekstremizmin, radikalizmin, dhunën dhe terrorizmin, duke i denoncuar si të pamoralshëm dhe kriminelë”. Gjithashtu, të gjitha fetë monoteiste njëzëri pohuan se aktet terroriste nuk mund të justifikohen nga asnjë fe apo besim fetar. Respekti i lirisë fetare, përfunduan përfaqësuesit e feve, ka përpara një sfidë të rëndësishme: atë të garantimit të sigurisë së territorit e të qytetarëve. Natyrisht, një ekuilibër jo i lehtë në skenarin e trazuar botëror.








All the contents on this site are copyrighted ©.