2015-01-06 15:53:18

Edicioni XXX i procesionit historiko-folklorik “Rroftë Befana”.


Erdhi përsëri sivjet Befana, Shtriga e mirë, që flak majtas e djathtas grushte me karamele, e shoqëruar nga procesioni tradicional historiko-folklorik me brohoritjen: “Rroftë!”. Është ngjarje e shënuar për Romën. Synon të mbajë gjallë traditat e Festës së Dëftimit të Zotit, që njihet edhe si e Tre Mbretërve Dijetarë e, ndër ne, e Ujit të Bekuar, e të vërë në dukje përmbajtjen fetare dhe aspektet tradicionale të Festimeve në këtë Solemnitet. Procesioni, organizuaar çdo vit nga Shoqata Evropa Fami.li.a (Familjet e lira të Evropës), lindi në vitin 1986, për të kërkuar rikthimin e festës së Ujit të Bekuar, shlyer nga kalendari civil. Në rrjedhë vitesh ‘Rroftë Befana’ u bë çast festiv, pa të cilin nuk mund të kuptohet Festa e madhe, që përmbyll pothuajse të gjitha festat e dimrit.
Çdo vit rreth njëqind mijë vetë janë të pranishëm në manifestimin, i cili lë mbresa të pashlyera në kujtesën e atyre, që marrin pjesë, e atyre, që ndjekin shpalosjen e figurave. Të duket sikur gjithçka del nga kapakët e librave: kështjella e kështjellarë, shenjtorë gjysëm legjendarë e fenomene kozmike misterioze. Manifestimi vlerësohet nga të mëdhenj e të vegjël për aftësinë e zgjedhjes së skenave plot fantazi, njëra pas tjetrës, si një shpërthim ngjyrash e tingujsh, duke gërshetuar me art elemente fetare e foklorike, në njërën nga festat më të rëndësishme e më domethënëse të krishterimit. Për të paraqitur karakterin universal të lindjes së Krishtit, që u dëftohet mbarë popujve të tokës, çdo vit në Romë arrijnë nga vise të ndryshme të Italisë e të botës, mijëra shtegtarë. Ndërmjet tyre, tre Mbretërit Dijetarë, me veshjet plot salltanet e me dhuratat, ndjekur nga grupet folklorike, nga banda muzikore, kuaj e figura të tjera tipike të vendit organizator. Sivjet, pjesëmarrësit e procesionit ‘Rroftë Befana’ erdhën nga Qyteti i Senjit–Artena-Carpineto Romano-Gorga-Montelanico. Pjesëmarrësit e korteut, të shoqërur nga pesë kryetarët e bashkive dhe nga autoritete të tjera vendore, u pritën, në Rrugën e Pajtimit, nga përfaqësuesit e Kryetarit të Bashkisë së Romës, nga Kryetari i Bashkisë n.1 dhe grupe të familjeve, ardhur nga qytete të tjera për të pohuar vëllazërimin, paqen e solidarietetin ndërmjet popujve, prej kohe tema, që përshkojnë tej e ndanë manifestimin e që janë dhuratat më të bukura për festën e Dëftimit të Zotit.
Procesioni historiko-folklorik e filloi parakalimin që nga ora 10.30, i prirë nga dy karabinierë mbi kuaj. U nis nga Kastel Sant’Angelo, përshkoi Rrugën e Pajtimit e arriti, i duatrokitur fort nga të dy krahët, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku pjesëmarrësit morën pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, me Papën. Mbretërit Dijetarë, edhe ata të pranishëm, mbi kuajtë madhështorë, pas lutjes shkuan në Pallatin papnor për t’i çuar Shenjtërisë së tij dhuratat tradicionale: “ar, kem e mirrë”, simbolike, natyrisht.
Sheshi u mbush plot me pjesëmarrësit, nga të cilët, bashkëvëllazëri historike, disa banda muzikore, dhjetra kuaj, famfara, skena me flamuj e parulla, e sa e sa skena të tjera vërtet të paharrueshme, që rikujtuan praninë e Krishtit në historinë e të gjitha epokave. Me rëndësi, pjesëmarrja e fëmijëve
Në Sheshin e Shën Pjetrit ishte e pranishme Famfara e Armës së Karabienierëve mbi kuaj (rreth 23), Atletët Olimpikë dhe 1.500 persona nga grupet folklorike, sportive, autoritete e administratorë publikë, tre autmobilë të epokës, 30 kuaj me kalorësit përkatës, afishe, flamuj, një karro tërhequr nga dy kuaj, disa skenografi të lëvizshme, familje në biçikleta, ardhur nga shëtitja ekologjike me të njëjtin emër.
Këta njerëz, në bashkim shpirtëror me familjet e mbarë botës, paraqitën, duke ecur pas Tre Mbretërve Dijetarë, historinë, kulturën, traditat, prodhimet e pasuritë e tjera të trojeve të tyre. Përmes kësaj dhurate të vërtetë për festën e Dëftimit të Zotit, mesazhi gazmor i paqes, i solidaritetit e i vëllazërimit, u përhap në të katër anët e botës, nga Sheshi i Shën Pjetrit.
Ndërkaq në Shesh shpaloseshin një mori flamujsh, simbol i popujve që shkojnë të takohen me Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.