2015-01-06 15:52:52

Dëftimi i Zotit: dashuria e Hyjit dëftohet në përvujtëri, jo në forcë


Kërkimi i Hyjit nuk ka kurrë fund e Mbretërit Dijetarë na tregojnë udhën për të hyrë në mister: kështu u shpreh Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar për Solemnitetin e Ujit të Bekuar, në Bazilikën e Shën Pjetrit. I pranishëm, sipas traditës, Trupi Diplomatik pranë Selisë së Shenjtë. RealAudioMP3

Ky fëmijë, i lindur nga Maria, kujtoi Françesku, nuk erdhi vetëm për popullin e Izraelit, përfaqësuar nga barinjtë e Betlehemit, por edhe për mbarë njerëzimin, përfaqësuar nga Mbretërit e ardhur nga Lindja, që na tregojnë rrugën nëpër të cilën duhet të ecim në jetën tonë:
“Mbretërit Dijetarë përfaqësojnë burrat e gratë në kërkim të Hyjit në fetë e filozofitë e botës mbarë: kërkim pa fund”.
Ata kërkonin dritën e vërtetë:
“Si e panë shenjën e yllit, e shpjeguan e u vunë për udhë, për udhë të gjatë”.
“Ishte Shpirti Shenjt, shpjegoi Papa – ai, që i thirri”:
“… e në këtë udhë do të arrinin edhe në takimin personal me Hyjin e vërtetë”.
Por nuk mungojnë as vështirësitë: në Jeruzalem shkojnë drejt e në pallatin e Herodit, ku mendojnë se duhet të ketë lindur mbreti, e atje kalojnë një çast errësire e pikëllimi:
“Atje e humbin sysh yllin. Sa herë na zhduket sysh ylli! E takojnë tundimin, vënë aty nga djalli: është mashtrimi i Herodit”.
Mbreti Herod tregon interes për fëmijën, e jo për ta adhuruar, por për ta zhdukur:
Herodi është njeriu i pushtetshëm, që në tjetrin shikon vetëm kundërshtarin. E, në fund të fundit, nis ta shikojë edhe vetë Zotin si kundërshtar, madje, si kundërshtarin më të rrezikshëm”.
Por Shpirti Shenjt tregon se Mesia do të lindë në qytetin e Davidit e Mbretërit rivihen për udhë e, me gëzim të madh, e shohin përsëri yllin. E, si arrijnë në Betlehem, gjejnë ferishten me Marinë, nënën e tij:
“Pas atij të Jeruzalemit, ky, për ta, ishte tundimi i dytë, i madh: tundimi për të mos e pranuar vogëlsinë”.
Por ata e kapërcejnë e përkulen për ta adhuruar e për t’i mblatuar dhuratat e tyre të çmuara, simbolike:
“Të prirë nga Shpirti Shenjt, arrijnë të pranojnë se kriteret e Hyjit janë shumë më të ndryshme nga ato të njerëzve, se Hyji nuk dëftohet në forcën e kësaj bote, por na drejtohet me përvujtërinë e dashurisë së Tij. Dashuria e Hyjit është e madhe? Po! Dashuria e Hyjit është e pushtetshme? Po! Por dashuria e Hyjit është e përvuajtur, shumë e përvuajtur!”.
E atëhere mund të pyesim: cili është misteri, ku fshihet Hyji? Ku mund ta takoj? Shikojmë rreth nesh luftëra, shfrytëzim të fëmijëve, tortura, trafik armësh, trafik njerëzish…. Në të gjitha këto realitete, në të gjithë këta vëllezër e motra më të vogla, që vuajnë për shkak të këtyre situatave, është Jezusi”.
Shpella e Betlehemit tregon, nënvizoi Françesku, një udhë të ndryshme nga udha ravguese e mendësisë së botës:
“… është udha e uljes së Hyjit, ajo përvujtëri e dashurisë së Hyjit, që ulet, poshtërohet; është lumnia e Tij, e fshehur në grazhdin e Betlehemit, mbi kryq në Kalvar, në vëllain e motrën, që vuan”.
Tre Mbretërit “kaluan, kështu, nga llogaritë njerëzore, në mister: e kjo është kthesa e tyre”:
“Po jona? T’i lutemi Hyjit të na ndihmojë ta jetojmë të njëjtën udhë, që e jetuan Mbretërit Dijetarë. Të na mbrojë e të na çlirojë nga tundimet, që e fshehin yllin. Ta kemi gjithnjë shqetësimin për të pyetur; ‘ku është ylli?’, kur, në mes të mashtrimeve të botës, e humbasim nga sytë”.
Më pas, urimi i Papës për ta njohur gjithnjë më mirë misterin e Hyjit e për të mos u shkandulluar nga ferishtja e mbështjellë në fasha, e vënë mbi një grazhd:
“.. e të kemi përvujtërinë t’i lutemi Nënës, Nënës sonë, të na e dëftojë”.
Së fundi, lutja :
Që të marrim guximin të çlirohemi nga iluzionet tona, nga fodullëku ynë, nga ‘dritat’ tona, e t’i lutemi Zotit të na e japë këtë guxim në përvuajtërinë e fesë e të mundemi, kështu, të takohemi me Dritën, Lumen, siç bënë Mbretërit e Shenjtë Dijetarë. Të mund të hyjmë në mister”.








All the contents on this site are copyrighted ©.