2015-01-05 13:36:24

Filipine: takim i priftërinjve për vizitën e Papës


“Një Kishë e varfër, në shërbim të më të varfërve, zemra e Françeskut” - kjo, tema takimit të priftërinjve dioqezanë të Manilës, që u mbajt sot në Qendrën baritore Shën Cubao di Quezon City. Ngjarja lidhet me përgatitjet për vizitën e Papës në Filipine, më 15 deri më 19 janar. Posaçërisht më 16 janar, Papa Françesku do të kremtojë Meshën Shenjte me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, në Katedralen e Zojës së Papërlyer, në Manilë.
Mëshirë e dhimbsuri, jo thjesht filantropi
Shtegtimi i Papës në Filipine pason atë në Sri Lanka, vend në të cilin Papa do të qëndrojë nga 12 deri më 15 janar, me moton: “Mëshirë e dhimbsuri”. Mëshira e dhimbsuria, që na kërkohen, shpjegojnë ipeshkvijtë në faqen e tyre të internetit , nuk ka të bëjë aq me filipinët, që ndodhen në mjerim material, sa me ata, që kalojnë vështirësi morale e shpirtërore, që janë të ligshtë e të përhumbur. Kërkon, pra, të theksojmë jetën e misionin shëlbues të Krishtit, që erdhi për mëkatarët, na mësoi t’i duam armiqtë tanë e dha edhe jetën mbi Kryq, për gjitha mëkatet e botës.
Filantropia nuk mjafton!
Nuk mjafton, nënvizojnë akoma prelatët, të kesh ndjete të mira ndaj të afërmit ose të bësh gjeste bamirësie, që mbeten në kufijtë e filantropisë. Mëshira e vërtetë e dhimbsuria e vërtetë kanë të bëjnë me krijimin e lidhjeve të miqësisë e të besimit me tjetrin, duke e jetuar fenë si vejusha e rrëfimit ungjillor, ajo që, ndonëse e varfër, dha gjithçka pati për të jetuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.