2015-01-04 15:25:21

Shenjtorët e javës


E diel, 4 janar, Kisha kremton të dielën e 2-të pas Krishtlindjes. Gjithnjë më 4 janar kalendari kujton shënjtorët Ermete e Kajo dhe shën Anxhela e Folinjos, 1248-1309.
Të hënën, më 5 janar, kalendari përkujton shën Eduardin, mbret të Anglisë, e shën Gjonin Njuman, ipeshkëv të Filadelfisë.
Të martën, më 6 janar, Kisha do të kremtojë solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Dëftimi i Zotit është festë e ngjalljes, sepse përmbushet plotësisht në ngjarjet e Pashkëve. Kështu, dëftimi i Zotit para Mbretërve Dijetarë, duket si akti i parë i vazhdimësisë së dëftimit dhe dukjeve, që përshkojnë gjithë jetën tokësore të Jezusit. Ai, drita e botës, është caku i fundmë i historisë, pikarritja e daljes, fundi i udhës providenciale të shëlbimit, që arrin kulmin me vdekjen, ngjalljen dhe ngjitjen e Tij në qiell. Prandaj, në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, liturgjia parashikon edhe Kumtimin e Pashkëve, sepse Viti liturgjik përmbledh gjithë shembëlltyrën e historisë së Shëlbimit, në qendër të së cilës është Triditëshi i Zotit të kryqëzuar, të varrosur e të ngjallur.
Të enjten, më 8 janar, kisha përkujton Shën Severinin, pajtor kryesor i Austrisë dhe i Bavarisë, zonë që në antikitet quhej Norik. Me veprat e tija bamirëse, ndërmjetësitë e tija si qytetar romak pranë fiseve barbare gjermane që merrnin peng të huajt, Shën Severini na kujton se sa e rëndësishme është ta duash të afërmin në çaste të vështira. Banorët e Norikut përqafuan fenë e Krishtit falë pikërisht veprave dhe dhuntive të këtij shenjti.
Të premten më 9 janar kalendari përkujton Shën Julianin e Shën Basilisën, bashkëshortë, të dy shenjtër, që me kujdesin e tyre për të shtegtarët dhe endacakët treguan dashurinë ndaj Kishës dhe të varfërve në shpërblim të mëkateve të veta..
Të shtunën, më 10 janar, kalendari përkujton Shën Aldon, murg benedektin irlandez, i varrosur në Pavi, Itali, që gjatë gjithë jetës zbatoi fjalët “ora et labora”- “lutu dhe puno”.
Të dielën e ardhshme, më 11 janar, Kisha katolike do të kremtojë festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan. Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar.
Gjithnjë më 11 janar, martirologu romak përkujton edhe Shën Igjinin Papë, filozof, rregullues i hierarkisë kishtare. Vetë veprat dhe vdekja e tij si martir gjatë persekutimeve të perandorit romak Antonino Pio na sjellin ndërmend se sa sakrificia duhen për të mbrojtur besimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.