Kriteri në zgjedhjen e kardinajve të rinj, universaliteti
Në shkurt, pra, Kisha do të ketë 20 kardinaj të rinj, sipas lajmit që dha vetë Papa
gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Do ta marrin kësulën e kuqe në Koncistorin e
14 shkurtit: 15 prej tyre, me të drejtë zgjedhore, vënë në pah lidhjen e ngushtë
ndërmjet Kishës së Romës e Kishave të veçanta të botës. Pesë të tjerë, titullarë nderi,
pa të drejtë zgjedhore, u emëruan nga Papa sepse të dalluar për veprimtarinë e tyre
baritore në shërbim të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Emrat e tyre janë në faqen
e parë të programit tonë të 4 janarit. Kardinajtë e rinj do të bashkëkremtojnë
me Françeskun Meshën Shenjte solemne të diel, më 15 shkurt, ndërsa më 12 e 13 shkurt,
sipas njoftimit të Papës, të gjithë kardinajtë do të mblidhen në Koncistor “që të
reflektojnë për orientimet e propozimet e reformës së Kuries”. Së fundi, Papa u kërkoi
besimtarëve të luten për kardinajtë e rinj, që të jenë dëshmitarë të Ungjillit në
botë e që, me përvojën e tyre baritore, ta mbështesin në shërbesën e tij apostolike. Kardinaj
të periferive I dukshëm, shpjegon në një notë atë Lombardi, drejtor i Sallës
vatikanase të Shtypit, kriteri që udhëhoqi Papën në zgjedhjen e kardinajve të rinj:
ai i universalitetit: zgjedhës e jo zgjedhës përfaqësojnë 18 vende të botës. E jo
vetëm: ndër 14 kombe prej nga vijnë zgjedhësit, 6 nuk kishin kardinal, as nuk kishin
pasur kurrë, si Kepi i Gjelbër, Tonga e Myanmari. Kardinajtë e rinj vijnë edhe nga
bashkësi kishtare të vogla ose në situatë pakice. Nga dioqeza e Santiago de Cabo Verde,
për shembull, një nga dioqezat më të lashta afrikane, ose nga ajo e Morelias, në Meksikë,
që ndodhet në një zonë tejet të trazuar nga dhuna. Kuria, pak role kardinalore
Vetëm një, kardinali i ri i Kuries romake: Dominique Mambertì, sepse, vijon
Atë Lombardi, Papa dëshiron t’i quajë detyra kardinalore ato të Prefektëve të Kongregatave
e të pak institucioneve të tjera, tepër të rëndësishme të Kuries, siç është, në këtë
rast, Gjykata e Senjaturës. Njëkohësisht, konfirmohet se Papa nuk e shikon emërimin
e kardinalit lidhur me selinë kardinalore, motivuar nga arsye historike në vende të
ndryshme, ku kardinalati konsiderohej gati “automatikisht” i lidhur me këto seli.
Për kardinajtë e nderit, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit nënvizon se emërimi
kardinalor është shenjë mirënjohjeje, dhënë simbolikisht vetëm disave, por duke njohur
meritat e të gjithëve. Së fundi, atë Lombardi ofron edhe ndonjë të dhënë statistikore:
përsa i përket numrit të 120 zgjedhësve, ishin 12 vende ‘të lira’ në Kolegjin e sotëm
ose të muajve të ardhshëm. Papa e kaloi lehtësisht këtë numër, por duke qenë gjithnjë
shumë afër tij, kështu që mund të themi se ai u respektua. Kardinali i ri më i
vogël në moshë, është kryeipeshkvi i Tongës, imzot Mafi (54 vjeç), që bëhet, kështu,
edhe anëtari më i ri i Kolegjit Kardinalor; ndërsa më i moshuari, është kryeipeshkvi
i nderit i Manizales, imzot Pimiento Rodriguez, 96 vjeç.