2015-01-04 10:18:21

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII-XIX: “Kisha e kultura: përfundim


Arritëm në përfundim të ciklit, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon (Giovanni) Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve italianë “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013. Emisioni i sotëm titullohet: Kisha e kultura: përfundim
Kombi shqiptar nuk dha shenja të dukshme jete të pavarur kulturore deri në shekullin XVI të mesjetës. Mbeti i inkuadruar në kulturën e perandorive, që e sunduan. Por, qysh prej këtij shekulli, nevoja për të mbajtur gjallë kulturën fetare të këtij populli, izoluar nga pjesa tjetër e kulturës europiane për shkak të pushtimit turk, e nxiti klerin katolik latin të përkthente e të botonte tekste liturgjike dhe katekizma në gjuhën shqipe. Dokumenti i parë, i mirënjohur, i shqipes së shkruar, është “Formula e Pagëzimit” (1462), që përfshihet në një letër baritore, shkruar në gjuhën latine nga argjipeshkvi i Durrësit, imzot Pal Engjëlli, në Kishën e së Shenjtnueshmes Trini të Matit. Vepra e parë, që njihet deri më sot, është “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Pas Mesharit panë me radhë dritën e shtypit veprat e imzot Pjetër Budit, imzot Frang Bardhit, imzot Pjetër Bogdanit e të tjerëve, më të vonë. Budi botoi “Doktrina e krishtenë” (Dottrina Christiana, 1618, 292 faqe), libër katekizmi, me pyetje e pergjigje ndërmjet priftit e xhakonit. Në 110 faqet e fundit gjejmë vjershat fetare të fra Palit prej Hasi, françeskan, i pari poet i letërsisë shqipe. Vijoi me veprën “Rituali Romak” (Rituale Romanum, 1621, 360 faqe, me kremtimet fetare të vitit) dhe “Pasëqyra e t’ Rrëfyemit (Speculum Confessionis, 1621, 416 faqe, landë për sakramendin e rrëfimit).
Imzot Frang Bardhi botoi “Dictionarium latino-epiroticum (1635, 240 faqe, 5000 fjalë, përkthye prej latinishtes). Kjo fillesë, me vepra kryesisht të përkthyera e me përmbajtje fetare, që ndikoi sadopak për përhapjen nëmose të kulturës fetare e të shkrimit shqip, mbërrijti një kulm me veprën monumentale të Pjetër Bogdanit “Cuneus Prophetarum (Padovë, 1685, dy vëllime me 400 faqe, nda në Shkallë e në Ligjerata).
Paralelisht me klerikët shqiptarë, zhvilluan veprimtarinë e tyne fetare-letrare edhe arbëreshët e Italisë, duke nisur me veprën “E mbsuame e krështerë” e Lekë Matrëngës (dorëshkrim me 28 faqe, i ruajtur në tri kopje, në Bibliotekën e Vatikanit, botuar në Romë sipas kopjes së tretë, në vitin 1592).
Ndërkaq edhe kleri ortodoks botoi fjalore e vepra fetare, ndërmjet të cilave, përkthimi i Ungjillit i Gregor Gjirokastritit (1824). Por nuk mundi ta zgjëronte shumë veprimtarinë kulturore në gjuhën shqipe, sepse e padëshiruar nga Patriarkana bizantine e Kostandinopojës.
Krijimet e rrymës së bejtaxhijve myslimanë, me një shqipe tejet të përzjerë me fjalë të gjuhëve orientale, u njohën pak, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, e shumica mbetën në dorëshkrim.
Kështu mund të pohohet se letërsia shqipe lindi nën hijen e Kishës katolike. Në shekullin XIX, përmes ndikimit të instituteve të reja kishtare, që u themeluan në vend, nisi evolucioni, edhe kulturor, i ndjenjës kombëtare, sidomos duke filluar nga viti 1978, vit kur u mblodh Lidhja e Prizrendit, kufi ndërmjet dy periudhave të mëdha të letërsisë shqipe: letërsisë së vjetër e asaj të re. Nisi veprimtarinë letrare Naim Frashëri (1846-1900), që u quajt Poet kombëtar. Pas tij, u lartua mbi të gjithë shkrimtarët e deriasokohshëm, françeskani, atë Gjergj Fishta (1871-1940), kryekreje si poet satirik dhe epik. Kujtojmë, më pas, priftin shekullar, Ndre Mjedjen (1866-1937), një prej lirikëve më në zë të shqipes dhe prozatorin e madh, Faik Konicën (1875-1943). Lindte, kështu, letërsia e vërtetë, me vlera të rralla artistike, që e lartoi shqipen në rangun e një gjuhe të aftë për t’u shprehur në të gjitha gjinitë letrare e në të gjitha format filozofike e shkencore. Kleri katolik vijoi të ecte në gjurmët e traditës së vet të madhe. E vijoi edhe të mbledhë thesaret e kulturës popullore, poezinë (posaçërisht epikën legjendare e lirikën), prozën (sidomos përrallat) si dhe normat juridike popullore, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga françeskani Shtjefën Gjeçovi (1874-1929). Ndërsa botimet me karaketer filozofik e shkencor u kufizuan vetëm me botimin e disa shkrimeve në revistat “Hylli i Dritës” të françeskanëve, “Leka” të jezuitëve e ‘Albania’ të Konicës.
Për ritin greko-shqiptar, nuk mund të mos kujtojmë këtu kontributin e jashtëzakonshëm të Kishës ortodokse për krijimin e gjuhës liturgjike shqipe, përmes pendave gjeniale të Kostandin Kristoforidhit e të imzot Fan S. Nolit, me përkthimet e tij nga greqishtja, botuar në Boston e në Tiranë.
Kjo ishte, në shekullin XVIII-XIX, Shqipëria, që e mësuan të ecë në rrugën e kulturës kombëtare edhe misionarët e huaj, duke i dhuruar veprat e kujtuara më sipër. Njerëz të përkushtuar, që Shqipëria i dëboi si të padëshirueshëm. Në sa bëri çmos të zbriste harresa e madhe mbi veprat e tyre. Po ata u kthyen përsëri.
__
2 Bibliografi: Atë Marin Sirdani OFM: “Françeskanët në Shqypní dhe shqyptarët katolikë në lamë t’atdhetarisë, Shpresa, Prishtinë, 2002
E. Durham, Some tribal origins, laws and customs of the Balkan, Londra 1928; G. Petrotta, Popolo, lingua e letteratura albanese, Palermo 1931;
Giuseppe Schirò Junior, Storia della letteratura albanese, Milano, 1959;
G. Valentini, Elementi romano-cattolici nella cultura albanese, në Civiltà Cattolica (1940, IV), fq. 345-55 (1941, II), fq 39-50, 199-209;
At Giuseppe(Zef) Valentini, Vepra 1(Plejad, Tiranë 2005), Vepra II (Plejad, Tiranë, 2006),Vepra III (Plejad, Tiranë 2006).
T. Zavalani, Histori e Shqipnís, Pjesa I, 66 Queensway, London, W.2. fq:105-139;







All the contents on this site are copyrighted ©.