2015-01-04 15:00:28

Françesku: Kush bën keq, e urren paqen: “ndërtojeni kudo!"


Në fillim të vitit të ri duhet “rindezur në zemra” shpresa për paqen e duhen bërë të gjithë ndërtues të saj, në vendet ku jetojnë e punojnë ditë për ditë. E kërkoi me forcë Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke pohuar se “harmonia është gjithnjë e mundshme”, pavarësisht se ka edhe nga ata, që punojnë në errësirë, për të nxitur luftën.

“Harmonia është gjithnjë e mundshme”, edhe pse shumë njerëz e mbushin gojën plot me fjalë drite e paqeje, ndërsa, në të vërtetë, pëlqejnë më shumë errësirën e luftën.
Papa Françesku vijoi “katekizmin” e tij të lutjes së Engjëllit të Tënzot kushtuar paqes, duke ecur në hullinë e hapur më 1 janar. Rimori një koncept, sa të njohur, aq edhe të përgënjeshtruar nga lajmet, që flasin për dhunë e që mbushin çdo ditë kronikat ndërkombëtare: paqja nuk është njëlloj me mungesën e luftës, ndërsa t’i bësh armët të heshtin e të shuash vatrat e zjarrit, është kusht i pashmangshëm për të nisur rrugën që çon tek paqja dhe aspektet e saj të ndryshme.
“Mendoj për konfliktet që gjakosin akoma shumë rajone të Planetit, për tensionet në familjet e në bashkësitë, sepse në shumë familje, në shumë bashkësi, edhe famullitare, ka luftë! Ashtu si ka kontraste të ndezura në qytetet tona e në vendet tona ndërmjet grupeve me origjinë të ndryshme kulturore, etnike e fetare. Duhet të bindemi, pavarësisht nga sa duket, se harmonia është gjithnjë e mundur në çdo nivel e në çdo situatë. Nuk ka ardhmëri, pa qëllime e pa projekte paqeje.
Kush bën keq, e urren paqen
Pasi kujtoi fjalët, me të cilat niste Ungjilli i Gjonit, propozuar nga liturgjia e ditës, e si soditi diellin vezullues e të vakët, që lante me rreze gjithë Sheshin, në festë, Papa demaskoi edhe një herë, duke luajtur me kontrastin dritë-hije, hipokrizinë e rëndë të shumë të mëdhenjve të botës, por edhe të shumë njerëzve të tjerë të zakonshëm, për çështjen e paqes:
“Njerëzit flasin shumë për dritën, por shpesh zgjedhin qetësinë gënjeshtare të errësirës. Ne flasim shumë për paqen, por shpesh bëjmë luftë, zgjedhim heshtjen bashkëpunëtore ose nuk bëjmë asgjë konkrete për të ndërtuar paqen. Gjë që dihet, kjo: kush bën keq, e urren dritën!”.
Kurrë më shfrytëzim
Njihet mirë theksimi, që Papa deshi t’i japë temës së paqes në mesazhin e tij për 2015-tën: “Kurrë më skllevër, por vëllezër!”. Temë, të cilën e ka shumë zemër Françesku, i cili e shikon vitin e ri me dëshirën që, më në fund, të kapërcehet shfrytëzimi i njeriut nga njeriu.
Ky shfrytëzim është plagë shoqërore, që lëndon lidhjet ndërpersonale dhe pengon frymën e bashkimit, bazuar mbi respektin, drejtësinë, dashurinë. Çdo njeri e çdo popull kanë uri e etje për paqe; prej këndej, është i nevojshëm e urgjent angazhimi për paqen.
“Bëjeni” paqen kudo
Françesku ngulmon deri në fund mbi të njëjtin mendim, duke kujtuar afishen, që shpaloste turma në Shën Pjetër, ditën e parë të vitit: “Në rrënjën e paqes, është lutja!” – e prej këndej, i fton gjithë të krishterët të mos e harrojnë kurrë këtë: “Duhet t’i lutemi Zotit për këtë dhuratë e të angazhohemi për të çdo ditë, në situatat ku jetojmë e punojmë”. Në ag të këtij viti të ri, të gjithë jemi të thirrur ta ndezim në zemra një flakë të re shprese, që duhet shndërruar, pastaj, në vepra konkrete për paqen. ‘Po ti, nuk shkon mirë me këtë?’, ‘Bëj paqe!’. ‘Në shtëpinë tënde?’, “Bëj paqe!’. ‘Në bashkësinë tënde?’, ‘Bëj paqe!’’. ‘Në punën tënde?’, ‘Bëj paqe!’. Këto gjeste të vogla kanë vlerë të madhe: mund të jenë farë, që japin shpresë, mund t’i hapin paqes udhë e perspektiva të reja.










All the contents on this site are copyrighted ©.