B. Demiraj: Viti i zbulimit të ‘Mesharit’ të Buzukut
Viti i zbulimit të ‘Mesharit’ të Buzukut dhe ndonjë çështje që lidhet me të. Në
paketën e detyrave që filologu pritet të zgjidhë paralelisht me punën e mirëfilltë
filologjike me tekstin bëjnë pjesë, ndër të tjera: përshkrimi i detajuar i mjedisit
historik e social-kulturor, në të cilin shkroi ky apo ai autor, njohja e kushteve
dhe rrethanave që e favorizuan atë në këtë ndërmarrje, qerthulli problemor i botimit
dhe/ose i recepsionit të tekstit në rrethe të caktuara lexuesish, gjurmimi i aspekteve
të ndryshme në jetën dhe personalitetin e autorit si edhe pjesëmarrja e tij në zhvillimin
e mendimit intelektual brenda arealit kulturorletrar ku bën pjesë (Çabej 1959). Një
punë e tillë paralele është kryer e kryhet sot në përmasa, forma dhe mënyra të ndryshme
për autorë të ndryshëm të letërsisë së vjetër shqipe dhe arbëreshe. Pa dashur ndalem
e të rreshtoj radhën e gjatë të studimeve të kësaj natyre, me përparësitë dhe mangësitë
që bashkëbartin, lejohem të përmend thukët ribotimin më të fundit kritik të doktrinës
së Luka Matrangas nga Mandala (Mandalà - 2004) si mostër e ribotimit të një teksti
të vjetër shqip që i plotëson me një akribi shembullore gjithë këto kërkesa. Në
këtë studim të shkurtër mbi ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut, librin e parë shqip që njohim
deri sot, duam të vëmë theksin mbi një problem disi më të rrallë, sidoqoftë aspak
anësor, me të cilin përballet sipas rastit filologjia shqiptare e arbëreshe si edhe
historiografia e shkencave albanologjike në përgjithësi. Është fjala këtu për raste
zgjidhjesh disi problematike, dhe mënyra se si përcillen ato nga njëri filolog apo
studiues albanolog te tjetri, kur shqyrtohet përmbledhtas historiku i zbulimit përkatësisht
ai i njohjes dhe studimit filologjik të teksteve të vjetra shqipe. Problemet dalin
në pah pikërisht atëherë kur jemi të detyruar të rindërtojmë aspekte të këtij historiku,
duke u nisur nga të dhëna dytësore që shtrihen thellë në kohë e që e kemi të vështirë
t’i verifikojmë dhe – për rrjedhojë – anojmë t’u mëshojmë më fort bashkëlidhjeve kausale
ndërmjet fakteve historike të disponueshme. Këtë problem mund ta shembëllzojmë fare
mirë me ribotimin në njërin ndër numrat e revistës “âßâëïò”1 të një kopjeje të letrës
së Imzot Gjon Pagëzues Nikollë Kazazit (= Mons. Giov. Battista Niccolovich Casasi)
dërguar apostullit të arbëreshëve të Sicilisë, At Gjergj Guxetës (= P. Giorgio Guzzetta),
në të cilën Kazazi i bën atij me dijë një “Esemplare di una memoria antichissima albanese
che si trova nel fine di un antichissimo Messale Albanese e per l’antichità tutto
già stracciato, il quale si conserva nella Libreria del Venerabile Collegio della
Propaganda in Roma.” Ribotimi i kopjes së kësaj letre fiton rëndësi të veçantë,
pasi Mandala (shën. 1) nuk mungon ta botojë atë si faksimile, së bashku me tekstin,
përkatësisht copat e tekstit që kopjoi dikur Kazazi me penën e tij. Arrijmë në këtë
mënyrë të mënjanojmë ndonjë qëndrim kundërthënës që është përcjellë e përcillet dashur
pa dashur deri sot në studimet sintezë mbi ‘Mesharin’ e Buzukut2. Përndryshe njohja
e drejtpërdrejtë me të shtron për debat filologjik një tjetër problem, pikërisht vitin
e zbulimit të ‘Mesharit’ nga Kazazi. Është ky problem, në dukje krejt fiktiv – meqë
në studimet e derisotme mbi Buzukun ndeshim në unison pak a shumë të njëjtin mendim:
viti i zbulimit të parë të ‘Mesharit’ është viti 1740 – që përbën objektin e shkrimit
tonë, të cilin e kemi konceptuar më fort si nxitës të një debati të ri në studimet
buzukiane. Një lexim sado i kujdesshëm i kopjes së letrës – vërtetësinë e së cilës
e tumir jo vetëm sigla me stemën përkatëse të seminarit, por edhe fjalia përmbyllëse
e saj: “Tutto ciò che fin qui è notato è stato scritto col proprio pugno dal sopradetto
Arcivescovo.” – nuk mundëson aspak saktësimin e ditës, muajit apo të vitit qoftë të
zbulimit të ‘Mesharit’, qoftë të hartimit të letrës nga Kazazi, e kjo për një arsye
më se të thjeshtë: në kopjen e letrës që disponojmë nuk lexojmë asnjë datë të kësaj
natyre. Në rast se kalojmë në vështrim retrospektiv studimet e derisotme buzukiane
lidhur me këtë problem, vërejmë se ngulitja e vitit të zbulimit të ‘Mesharit’ është
bërë pas rizbulimit të tij nga Imzot Pal Skiro (= Mons. Paolo Schirò), d.m.th. pas
vitit 19093. Vetë rizbuluesi4, atëkohë rektor i Seminarit Arbëresh të Palermos, shkruan
së bashku me Petrotan (= Gaetano Petrotta) gjithherë me një farë rezerve: “Verso l’anno
1740 [nënvizimi prej meje – B.D.] Monsignor D. Giovanni Battista di Nicola Casasi
... trovò nel collegio di Propaganda un antico libro in lingua albanese ...” (1932
41)5. Ndër studiuesit e shumtë arbëreshë kemi arritur ndërkohë të izolojmë Zef Skiroin
(= Giuseppe Schirò – 1917/18) si ndër të parët, në mos i pari filolog, që ngulit (ndoshta
pa dashje por) përfundimisht vitin 1740 si vit i zbulimit të ‘Mesharit’ prej Kazazit6. Përndryshe,
ndër studiuesit shqiptarë rezulton të jetë At Justin Rrota, sjellësi i tri fotokopjeve
të ‘Mesharit’ në Shqipëri, i cili mëton po ashtu vitin 1740, si vit i botimit të Buzukut7. Në
qoftë se mungesa e datës së hartimit të letrës nxit një farë dyshimi në përcaktimin
e kohës kur është zbuluar ‘Meshari’, përcjellja në të e statusit të atëhershëm të
Kazazit si arqipeshkëv i Dioqezës së Shkupit dhe administrator apostolik i gjithë
Mbretërisë së Serbisë e shumëfishon këtë dyshim. Për këtë mjafton të sjellim në përqasje
breven papnore të datës 13 shtator 1743, kur Kazazi emërohet zyrtarisht arqipeshkëv
i Dioqezës së Shkupit (Demiraj 2005). Sqarimet e mëtejshme që jep kopjuesi i letrës
në paragrafin e fundit lidhur me rrethanat e zbulimit të ‘Mesharit’ dhe vendosja e
tyre në aksin kronologjik nga ana jonë e mënjanojnë përfundimisht vitin 1740 si vit
i zbulimit të ‘Mesharit’, andaj e shohim të udhës të riprodhojmë këtë paragraf, ashtu
siç na paraqitet në faksimilen e cituar më lart: “Giovanni Battista Nicolovich Casasi
Arci:o di Scopia, et Amministratore di tutto il Regno della Servia di natione Albanese:
nato in Giacova città del Regno della prefata Servia sotto il dominio del Turco, in
occasione che tornò da Constantìnopoli e dalla visita apostolica fatta nella Bulgaria
sino alle rive del Danubio, dovendo dar relatione della visita à Roma, dove contro
suo merito fù eletto e consacrato per Arcivescovo di Scopia come sopra, trovò il sopramentovato
Messale Albanese, e da esso trascrisse il sopra notato esemplare in gratia dell’Inclito
P[ad]re Giorgio Guzzetta prototipo delli Spiriti mangnanimi e dell’Animo e della generosità
della natione Albanese: ed in tutto quel tempo che ebbe la sorte di pratticare con
tanto soggetto ha havuto da ammirare il zelo, la dottrina e la pietà di lui con haverne
perpetua memoria. Tutto ciò che fin qui è notato è stato scritto col proprio pugno
dal sopradetto Arcivescovo.” Rrethanat historike konkrete që mësojmë në këtë paragraf,
të cilat, siç mëton kopjuesi i letrës, janë shkruar “col proprio pugno dal sopradetto Arcivescovo”,
lejojnë tash të përcaktojmë me përafërsi caqet kohore, se kur mund dhe duhet të ketë
zbuluar Kazazi ‘Mesharin’. Ndërsa si cak post quem non mundëm të fiksojmë qoftë edhe
ad hoc datën e brevës papnore më 13 shtator 1743, datë, në të cilën Kazazi shpallet
zyrtarisht arqipeshkëv i Dioqezës së Shkupit, si cak ante quem non mund caktojmë gjithashtu
po ad hoc datën 14 janar 1743, datë kur Kazazi i drejtohet me një letër nga Loreto
Kongregacionit të Shenjtë (Demiraj 2005), e pas së cilës ai merr urdhërin për të ardhur
në Romë e për të dorëzuar vetë raportin e vizitës së tij aposolike “… fatta nella
Bulgaria sino alle rive del Danubio”. Pra, në mungesë të letrës origjinale të Kazazit
ose të të dhënave konkrete mbi zbulimin e ‘Mesharit’, lejohemi të përcaktojmë vitin
1743 dhe me përafërsi brenda tij periudhën kohore shkurt – shtator si viti, përkatësisht koha
më e mundshme e zbulimit të ‘Mesharit’ nga Kazazi. Ç’rëndësi ka hapja e këtij debati,
përkatësisht zhvendosja e kohës së zbulimit të ‘Mesharit’ në vitin 1743, d.m.th
tri vjet më vonë se moti i pranuar deri më sot? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund ta
japim thukët: për hir të së vërtetës, duke cituar kështu një premisë me vlerë aksiomatike
në çdo disiplinë shkencore. Gjithsesi, në rastin tonë, këtë të vërtetë nuk mund ta
rudhim thjesht dhe vetëm në rindërtimin e historikut të zbulimit të librit të parë
shqip që njohim deri sot. Mendojmë se ajo mund dhe duhet të shtrihet më tej, duke
parë dhe studiuar kështu rolin që mund të ketë luajtur ky libër në zhvillimin e kulturës
së shkrimit shqip në periudhën në fjalë. Mjafton të përmendim këtu vitin 1743 dhe
Romën si vit dhe vend i botimit të doracakut “Doktrina e kërshten”, me autor Gjon
Nikollë Kazazin, vetë zbuluesin e Buzukut. Kodi alfabetik që prezanton Kazazi në këtë
libërth, dëshmon më së miri një vijimësi të risuar të traditës së shkrimit shqip të
zhvilluar nga Buzuku dhe Matranga. Të njëjtin kod përdor po në këtë periudhë e
po në Romë, edhe pianioti At Zef Skiro (Joseph Schirò: 1690 – 1769), arqipeshkëv in
partibus i Dioqezës së Durrësit dhe Vizitator Apostolik i Himarës, në letrat e tij
dërguar Papatit (1746 – Demiraj 2005). E kjo është një tjetër dëshmi historike që
tumir “l’esistenza di raporti culturali fra gli ambienti arberesci e schipetari già
agli albori del sec. XVIII …” (Mandalà 1994 4), marrëdhënie të cilat kemi të drejtën
intelektuale dhe detyrën sublime për t’i njohur dhe studiuar në detaj.
1
Për ribotimin në fjalë i detyrohemi padyshim punës ngulmuese të Mandalas (= Mandalà
1994 4), njërit ndër filologët më prodhimtarë dhe po aq të suksesshëm në kohën tonë.
Për botime të mëhershme, gjithsesi të pjesëshme, të kësaj kopjeje ose kopjesh të ngjashme,
shih Krispin (= Crispi 1853 88v.) dhe Shambran (= Sciambra 1967 296).
2
Khs. ndër të tjerë Rrotën (1930 2), i cili citon vetëm tekstin e pasthënies së ‘Mesharit’
(sikurse vetë P. Skiro dhe G. Petrotta) kundrejt Çabejt (1968 7), i cili citon vetëm
copën e kopjuar për ceremoninë e ritualit të martesës (sikurse më parë Crispi 1853
88).
3 Krispi nuk kumton asnjë datë të kësaj letre në shkrimin e tij
(1853 88v). Si njohës i mëhershëm i saj, d.m.th. edhe i vetë tekstit të Buzukut të
kopjuar prej Kazazit, mendohet të ketë qenë vetë Paolo Maria Parrino (sh. Petrota
1931 64: me tregues të vendit përkatës në materialet në dorëshkrim të Parrinit).
4
Njoftimin e parë P. Skiroi e bën në gazetën „Dielli“ (Boston, 18 mars 1910, nr. 51,
f. 11) si përgjigje të një kumtimi të mëparshëm të Faik Konicës në po atë gazetë mbi
librin më të vjetër, të shkruar në gjuhën shqipe. Po e japim të përmbledhur këtë
tekst: “I ndritçimi drejtuar i Diellit! / Dua t’gezonem me zotëriin t’ënde për fletën
çë boton ngaa javë. E të klofshit përdita” Te nëmëri 41 i ditës 7 janar ktij viti,
sglodha tek e para shtyllë, ku flet për Sgjimin : “I pari libër shqip i njohur ….”.
I njohur ngaa kush shkruan, por ù kam të çtonj, se mëë para shumë tierë libre të motçmë
edhe kemi. Dom Gjoni Buzuku çkruajti e botoi ndë vit 1555; Luka Matranga çtposi (shtypi)
Doctrinën …. arbërisht ndë 1592, e tiera … / U kam bes se zotënia jote njeh kta libre,
çë edhe ù kam, libre të çtrejt e të vëjeçëm miaft, çë mbajën gluhën e motçëme. Me
haree vlazëniçt i falem e i përulem zotëriis s’ate. / Paolo Schirò / Vescovo tit.
di Benda / Palermo, Seminario greco-albanese / 7. Febbraio 1910”.
5
Khs. edhe Petrotën (1931 64): “Questo è l’antichissimo Messale Albanese per antichità
tutto stracciato che S.E. l’arcivescovo di Scopia Monsignor D. Giovanni Battista di
Nicola Casasi, verso l’anno 1740 [nënvizimi prej meje – B.D.] aveva con meraviglia
visto a Roma nel Collegio di Propaganda”.
6 Sipas Zef Skiroit (VIII
1997 (1917/18) 101): „Il Crispi non vide già il libro in parola, ma ne trasse notizia
da un manoscritto dell’Arcivescovo di Scopia M.D.Giov. Battista di Nicolò Casasi,
albanese di Giacova, che lo ebbe fra le mani nel 1740, ed il quale volle da esso trascrivere
di proprio pugno un esemplare dell’ultima pagina, lieto di mandarlo in dono “all’inclito
p. Giorgio Guzzetta”, fondatore del Seminario Albanese di Palermo …”
7
Rrota 1930 2: „Zbulimi i parë u bâ vjetin 1740.”, dhe f. 3: “Libri pra, tash u gjet,
jo mâ në Bibliotekë të Propagandës, si e kishte pasë lajmue Emz. Kazazi në vjetë 1740,
por në Bibliotekë të Vatikánit”.
Bibliografi Demiraj, Bardhyl: Jeta
dhe veprimtaria e Gjon Pagëzues Nikollë Kazazit (në materialet e Arkivit Historik
të Kongregatës së Shenjtë), në: “Studime” (Prishtinë 2005a 40 f. – në shtyp). —
Zef Skiro dhe vendi i tij në kulturën e shkrimit shqip të shek. XVIII (2005b –
në shtyp) Crispi, Giuseppe: Memorie storiche di talune costumanze appartenenti alle
Colonie Albanesi di Sicilia, Palermo 1853. Çabej, Eqrem: Tekstet e vjetra shqip
dhe disa kritere rreth botimit të tyre, (në: “Buletin i Shkencave Shoqërore” 2 [1959])
ribotuar në: Studime Gjuhësore, bleu VI, Prishtinë 1972 329-340. — ‘Meshari’
i Gjon Buzukut (1555), Tiranë 1968. Mandalà, Matteo: Luca Matranga, E Mbsuame e krështerë
(a cura di Matteo Mandalà), në serinë: “Albanica”, nr. 21, Caltanissetta 2004. —
La lettera inedita (1740) di Mons. Nicola Kazazi a P. Giorgio Guzzetta, në: “âßâëïò”,
Servizio di informazione bibliografica e culturale a cura della Biblioteca Comunale
Giuseppe Schirò, Piana degli Albanesi, giugno 1994. Petrotta, Gaetano: Studi di storia
della letteratura albanese. Popolo lingua e letteratura albanese, Palermo 1931. Rrota,
P. Justin: Monumenti mâ i vjetri i Giûhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555). Shkodër 1930. Schirò,
Giuseppe: Della lingua albanese e della sua letteratura anche in raporto alle colonie
albanesi d’Italia (1917), ribotuar në “Opere” bleu VIII: Saggi, Soveria Mannelli 1997,
f. 85vv. Schirò, Paolo: Më i Vjetëri Shkronjës Shqiptar i Njohur; 1555, në: “Dielli”
Boston, 18 mars 1910, nr. 51, f. 1. — & Petrotta, Gaetano: Il più antico testo
di Lingua Albanese, në: “Rivista indo – greco - italica di filologia – lingua – antichità”,
16 [1932] 44vv. Sciambra, Matteo: Paolo Maria Parrino, scrittore siculo-albanese,
në: „Shêjzat (le Pleiadi)“ 11 [1967] (1-4) 134-156, 281-301, 393-434.Bardhyl Demiraj