2015-01-02 09:40:12

Më 2 janar kalendari kujton Shën Bazilin e Madh e Gregorin Nazianzeni


Kalendari kishtar përkujtoi sot dy ipeshkvijve të mëdhenj, doktorë të Kishës: Shën Bazilit të Madh e Shën Gregor Naciancenit.
Që të dy jetuan në shekullin IV në Kapadokie, Turqia aktuale, mbrojtën fenë nga herezitë e para, që kishin të bënin kryesisht me Trininë Shenjte. Dy shenjtorë të mëdhenj e miq të mëdhenj, Bazili dhe Gregori lindën të dy në vitin 330. I tërhoqi jeta murgare, i mahnitën lutja e meditimi i Shkrimeve Shenjte. Për bindje u shuguruan ipeshkvij e iu përgjigjën kësaj thirrjeje për të bërë dëgjesën duke pranuar të shkojnë në vendin që u kishte caktuar Provania hyjnore. Mbrojtën Misterin e Trinisë Shenjte, duke shpallur hyjninë e Krishtit e të Shpirtit Shenjt, kundër opinionit të shumicës e të vetë perandorit që nuk e konsideronte politikisht korrekt një mister kaq të madh.
Bazili, teolog i hollë, bashkonte kundrimin me veprimin. Bazili u kujdes vazhdimisht për kushtet e vështira materiale, në të cilat jetonin të varfërit e të braktisurit, duke ndërmjetësuar edhe pranë qeveritarëve për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë: ndërtoi strehë të tilla për nevojtarët, që mund të shërbejnë si model për spitalet moderne; mbrojti lirinë e Kishës, duke iu kundërvënë hapur, kur ishte nevoja, njerëzve më të pushtetshëm. Reformator i urtë liturgjik, diti t’u kundërvihet me zell e guxim edhe heretikëve. Realizoi, kështu, një program të tërë, të cilin ipeshkvi i shenjtë ua dorëzon të gjithë kumtuesve të Fjalës së Zotit, sepse ka vlerë jo vetëm për dje, por edhe për sot.
Ndërsa Shën Gregor Nacianceni, njeri i butë e i ndjeshëm deri në druajtje, kërkonte unitetin e Kishës, por iu desh të përballonte kundërshtime tepër të ashpra. Donte paqe, i përgjigjeshin me luftë. Por ai kishte një forcë të pathyeshme: lutjen.
Shën Gregori pohon se është e nevojshme ta kujtojmë Zotin më shpesh sesa frymëmarrjen, sepse lutja është takim i etjes së Hyjit me etjen tonë. Hyji ka etje për ne, e ne kemi etje për Të.
Kështu shkruan Shën Gregori i Naciancenit, teolog i madh, orator i madh e poet shijehollë. E megjithatë e mbante veten për asgjë, i cili na mëson të kërkojmë ndihmën e Zotit sa herë që rrëzohemi, me bindjen se Ai nuk kursehet të na e japë dorën, që të ngrihemi rishtas në këmbë.







All the contents on this site are copyrighted ©.