2015-01-02 11:19:49

Atë Spadaro: Françesku autoritet i besueshëm, sepse pranë njerëzve


Sipas një sondazhi Demos(Institut i kërkimeve shoqërore e politike), realizuar nga një gazetë italiane, Papa Françesku është personaliteti publik, në të cilin besojnë më shumë italianët. Atë Antonio Spadaro, drejtor i Civiltà Cattolica, niset nga kjo e dhënë, për të skicuar një reflektim, kushtuar shërbesës papnore të Françeskut, në vitin që përfundoi. Të ndjekim intervistën me atë Spadaron, dhënë Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Sot ndjehet nga të gjithë nevoja për t’i besuar dikujt e rrallë herë institucionet - politika, për shembull - arrijnë të fitojnë besimin e njerëzve. Papa sigurisht ka krijuar një lidhje autoritare, të besueshme, shumë të veçantë: ka qenë në gjendje të realizojë lidhjen e drejtpërdrejtë me njerëzit, afërsinë me ta, e, sa më i afërt është, aq më i besueshëm bëhet. Ndërsa ne e dimë se në përgjithësi format e autoritetit dallohen për aftësinë e mbajtjes së distancës e, prej këndej, për veçimin nga njerëzit. Prandaj mendoj se Papa ngjall shumë besim, sepse ndjehet nevoja për përshpirtëri, e Papa i përgjigjet kësaj nevoje në mënyrë të drejtpërdrejtë, të menjëhershme, të afërt . E ky, sipas meje, është çelësi kryesor.

Pyetje: - E pra, në atmosferën e Krishtlindjes 2014, në gazetën italiane “Il Corriere della Sera”, një nga shkrimtarët katolikë, Vittorio Messori, botoi artikullin, në të cilin shpreh dyshimet e tij për kthesën e nisur me Papën Françesku….

Përgjigje: - Dyshimet, vështirësitë e, do të thosha, edhe kundërshtimet ndaj Papës, nuk mungojnë, por në to nuk shikoj ndonjë problem. Madje mendoj se vënë në dukje shërbesën e frytshme të Françeskut. Posaçërisht në një aspekt, për mua, më domethënësi: thirrja e Papës për të jetuar një krishterim të pjekur, të lirë, që nuk druhet të ballafaqohet, që nuk ka frikë as nga konfliktet, as nga vështirësitë përballë këtij modeli të krishterimit të mbyllur në vetvete, të druajtur, të respektueshëm: ja, këto forma të krishterimit kundërveprojnë , gjithsesi, e pa dyshim, udha e shënuar jo vetëm nga Papa, por nga i gjithë procesi, që ka jetuar Kisha në këto vite, që nga Koncili II i Vatikanit, çon në drejtimin, kah i cili po shkon Papa Françesku.

Pyetje: - Disa e qortojnë Françeskun sepse “u vë drunë’ katolikëve, duke nënvizuar se Papa vlerësohet shumë edhe nga një mori jo besimtarësh. Si e kuptoni ju këtë?

Përgjigje: - Janë dy gjëra të ndryshme. E para, do të thosha se Papa nuk i heq drunë askujt, aq më pak besimtarëve. Shumë-shumë mund të themi se u bën thirrje, u kërkon rrëmimin e ndërgjegjes, i fton për një ushtrim shpirtëror. Edhe fjalimi i famshëm drejtuar Kuries për urimet e Krishtlindjes, ishte tejet i pasur me mendime, tejet i fortë, thirrje për të kujtuar lidhjen me Krishtin: për të shmangur alzheimerin shpirtëror, siç e quajti ai vetë. Pra, kujtonte takimin me Krishtin, për të ecur përpara. Është e qartë se duke e kujtuar, kuptohet edhe jeta që jetojmë: jetë plot me mjerime, me mëkate. E, prej këndej, Papa bën thirrje për një ndërgjegje të re, posaçërisht që mëkati të mos përfundojë me rrënim. Prej këndej, Papa bëhet shumë i ashpër, shumë i fortë, sepse dëshiron që Kisha të dëshmojë Krishtin e jo një sërë praktikash, idesh, ideologjish, në të cilat rrezikohet të bjerë krishterimi. Nga ana tjetër, ky mesazh është mjaft i mirëpritur edhe nga mjedise shumë larg Kishës, sepse në fund të fundit mesazhi që predikon Françesku është Ungjill i pastër: nuk është Papa, ai që godet, është mesazhi që komunikom me personalitetin e tij, me thjeshtësinë e koherencën më të madhe. Arrin drejtpërdrejt në thelbin e problemeve: nëse dikur nganjëherë ishte e nevojshme të jepeshin shumë shpjegime, Papa e komunikon drejtpërdrejt, pa pasur nevojë për shpjegime. Mund të themi se mesazhi arrin atë çast, në të cilin niset. Kjo është forcë e madhe. Është forca e pakundërshtueshme tërheqëse e Ungjillit, në fund të fundit.

Pyetje: - Enzo Bianchi, epror i Bose, ka shkruar se “sa më shumë që Papa të vijojë të ecë në udhën e bashkimit me Ungjillin pa shpjegime, aq më shumë do t’i tërbojë forcat demoniake”. Ç’do të thotë, sipas jush, me këtë?

Përgjigje: - Nganjëherë mendohet se Papa Françesku është i ëmbël, e edhe është. Po ëmbëlsia e tij është ungjillore, prandaj shpesh bëhet luftë, bëhet konflikt. Në tekstet e tij, edhe në ato, që i shkroi para se të bëhej Papë, fjala “luftë” ndeshet shumë shpesh. Do të thosha se Ungjilli bashkon, por edhe ndan, sepse zbulon zemrat. Sigurisht – e ne po e jetojmë dhe po e asistojmë edhe atë, që ndodh në disa rrethe – fjala e Papës manipulohet, shpërdorohet, vetë Papa kritikohet e edhe sulmohet. E gjithë kjo bën pjesë në proces, Papa është i vetëdijshëm e, prej këndej, konflikti, në një farë mënyre, është i pashmangshëm. Vërtet është edhe forca e së keqes që vepron e i kundërvihet së mirës, por kjo e mirë, që është shumë e përhapur, kapilare, shkon përpara.










All the contents on this site are copyrighted ©.