2015-01-01 15:32:13

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: paqja, gjithnjë e mundur, lutja është rrënja e saj


Në këtë ditë të parë të vitit, në atmosferën gazmore të Krishtlindjes, Kisha na fton t’ia ngulim sytë Nënës së Jezusit”. Paqja është gjithnjë e mundur e rrënja e saj është lutja. Këtë pohoi Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke shtuar se në fillim të një viti të ri, na bën mirë të kujtojmë edhe ditën e Pagëzimit tonë.
Pagëzimi, tha Papa, duke i ftuar besimtarët ta kujtojnë ditën kur u pagëzuan, na sharton si gjymtyrë të gjalla të Krishtit e na bën pjesë të pandarë të Kishës së tij. Falë pagëzimit, shpjegoi, hyjmë në bashkim me Hyjin e nuk jemi më në mëshirën e së keqes e të mëkatit. E, më pas, duke parë afishet kushtuar paqes në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa tha:
Paqja është gjithnjë e mundur!
“Kjo afërsi e Hyjit me jetën tonë na jep paqen e vërtetë: paqen, dhuratën hyjnore, për të cilën duam të lutemi posaçërisht sot, në Ditën Botërore të Paqes. Unë lexoj atje “Paqja është gjithnjë e mundur!”. Gjithnji e mundur është paqja. Duhet ta kërkojmë. Në rrënjët e saj është lutja. Lutja bën të mungullojë paqja. Sot kremtojmë Ditën Botërore të Paqes me temë: “Kurrë më skllevër, por vëllezër”. E ky është mesazhi i kësaj dite. Sepse luftërat bëjnë skllevër gjithnjë! Mesazh, ky, që na përket të gjithëve!
Ati i Shenjtë , në vijim i ftoi të gjithë ta mbrojnë paqen.
Ftesë për paqen
“Të gjithë jemi të thirrur të luftojmë kundër çdo forme të skllavërisë e të jetojmë si vëllezër. Të gjithë, secili sipas përgjegjësisë së vet. E, kujtojeni mirë: paqja është e mundur! Në rrënjë të paqes është gjithnjë lutja. Të lutemi për paqen. Të mësojmë në shkollën e paqes e të shkojmë përpara me edukimin për paqen.
Hiri fiton mbi mendësinë legalistike
Krishti, shtoi, mori korp njerëzor, duke na çliruar nga mendësia e mbyllur legalistike.
Ligji, pa hir, bëhet zgjedhë e padurueshme e, në vend që të na bëjë mirë, na bën keq. Jezusi thoshte: e shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën. Ja, pra, pse Hyji dërgoi Birin e vet mbi tokë për t’u bërë njeri: për të na çliruar, madje për të na rilindur. Për të çliruar ata, që ishin nën ligj e për t’i shpërblyer me vdekjen e Krishtit mbi kryq.

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi posaçërisht marshimin kombëtar, organizuar dje në Vicenza si dhe manifestimin “Paqe në të gjitha tokat” promovuar në Romë e në disa qytete të tjera të botës.
Këmbana e paqes
Pastaj, falë lidhjes me Revereton, në Trentino, në Sheshin e Shën Pjetrit kumboi këmbana, që njihet me emrin “Maria Dolens”, realizuar me bronzin e armëve të Luftës I Botërore, për kujtim të të rënëve të të gjitha luftërave, bekuar nga i Lumi Pali VI, në vitin 1965.
“Qoftë urim, që të mos ketë kurrë më luftëra, kurrë më, por të ketë gjithnjë dëshirë e angazhim për paqen e vëllazërinë ndërmjet popujve”.
Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Qoftë vit i paqes, i paqes! Në krahët plot me dashuri të Hyjit e nën mbrojtjen e Marisë, Nënës së Zotit e Nënës sonë!







All the contents on this site are copyrighted ©.