Françesku: Jezusin e takojmë në Kishë, e pamundur t’i ndajmë!
“Nuk mund të kuptohet Jezusi pa Nënën e Tij, Krishti nuk mund të ndahet nga Kisha”.
Është një nga fragmentet më të forta të homelisë së Papës në Meshën, kremtuar në Shën
Pjetër, për solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit dhe Ditën e 48-të
Botërore të Paqes. Papa nënvizoi se, ashtu si Maria, Kisha është e thirrur të jetë
Nënë për të gjithë e, më pas, bëri thirrje për të luftuar kundër çdo forme të skllavërisë. Maria,
Kisha, Paqja! Në meshën e parë të vitit 2015, Papa Françesku e përqendroi homelinë
mbi këtë trinom, në një Bazilikë të mbushur përplot me besimtarë. Universaliteti i
kremtimit spikati edhe përmes gjuhëve të shumta, me të cilat u shqiptuan lutjet: nga
gjuha kineze, në atë tamil; nga polonishtja, në spanjisht. Iu lartuan Zotit lutje
për dhuratën e paqes, për ata që janë të persekutuar nga shkaku i fesë, për respektimin
e jetës e të dinjitetit njerëzor e akoma, për mbarë familjet e, posaçërisht, për nënat
dhe etërit e krishterë, që Zoti t’i shndrisë në udhëheqjen e fëmijëve të tyre. E pikërisht
një Nëne, Nënës së Jezusit, iu kushtua homelia e Françeskut, i cili që në fillim nënvizoi
se asnjë krijesë tjetër, nuk e pa duke ndritur mbi të fytyrën e Hyjit, ashtu si e
pa Maria, që i dha fytyrë njerëzore Fjalës së amshuar”. Maria e Jezusi janë
të pandarshëm Ndërmjet Marisë e Jezusit, vuri në dukje Papa, ekziston një lidhje
e ngushtë, si e çdo biri me nënën e vet. Krishti e Nëna e tij janë të pandarshëm.
Maria, vijoi të pohojë Papa, është kaq e lidhur me Jezusin, sepse pati prej Tij dijen
e zemrës, dijen e fesë, të ushqyer nga përvoja amtare e nga lidhja e thellë me të
Birin. “Virgjëra e Shenjtë është gruaja e fesë, që i bëri vend Zotit në zemrën
e vet, në planet e veta: është besimtare, e aftë të shikojë në dhuratën e Birit,
ardhjen e “përmbushjes së kohës (Gal 4,4), në të cilën Hyji, duke zgjedhur
udhën e përvuajtur të jetës njerëzore, hyri personalisht në hullinë e historisë së
shëlbimit. Prandaj nuk mund të kuptohet Jezusi pa Nënën e vet”.
Krishtin
e takojmë në Kishë “Njëlloj të pandashëm, vijoi Françesku, janë Krishti e Kisha,
sepse, shtoi, duke folur lirisht, “Kisha e Maria shkojnë gjithnjë bashkë, e ky është
misteri i gruas në bashkësinë kishtare. Prandaj, shtoi, nuk mund të kuptohet shëlbimi
i kryer nga Jezusi, pa kuptuar edhe amësinë e Kishës”. “Ta ndash Jezusin nga Kisha,
do të ishte si të doje të bëje një dyzim absurd, siç pati shkruar i lumi Pali VI (cfr.
Esort, ap. Evangelii nuntiandi,16). Nuk është e mundur ta duash Krishtin, e të
mos e duash Kishën, ta dëgjosh Krishtin, por jo Kishën, t’i përkasësh Krishtit, por
jashtë Kishës (ibid). Sepse është Kisha, familja e madhe e Hyjit, që na çon
tek Krishti”. “Feja jonë, vijoi Papa, nuk është doktrinë abstrakte, ose filozofi,
por marrëdhënie jetike, e plotë, me një Vetje: me Jezu Krishtin, Birin e vetëm të
Hyjit, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për të na shpëtuar e jeton ndërmjet nesh”. “Po
ku mund ta takojmë?” E takojmë në Kishë, në Nënën tonë shenjte, Kishën hjerarkike.
Është Kisha ajo, që na thotë sot; “Ja Qengji i Hyjit! Është Kisha, që e kumton; në
Kishë Krishti vijon t’i kryejë gjestet e Tij të hirit, që janë Sakramentet. Kjo veprimtari
e ky mision i Kishës shpreh amësinë e saj. Ajo është si nënë, që e ruan Jezusin me
dashuri e ua jep të gjithëve me gëzim e bujari. Françesku kujtoi se asnjë dukje
e Krishtit, as më mistikja, nuk mund të shkëputet nga korpi e gjaku i Kishës, nga
konkretësia historike e Korpit të Krishtit. E, nënvizoi akoma, pa Kishën, Jezu Krishti
rëgjohet në ide, në moral, në ndjenjë”. Pa Kishën, lidhja jonë me Krishtin do të
ishte në mëshirën e imagjinatës sonë, interpretimeve tona, gjendjeve tona shpirtërore. Jezu
Krishti, shtoi, është bekim për çdo njeri e për mbarë njerëzimin. E pikërisht ky është
misioni i popullit të Hyjit: ta rrezatojë mbi gjithë popujt bekimin e Hyjit të mishëruar
në Jezu Krishtin. E Maria, e para dishepulle e përkryer e Jezusit, e para besimtare
e përkryer, model i Kishës në shtegtim, është Ajo, që e hap udhën e amësisë së Kishës.
Kurrë më skllavëri, paqe në zemra Françesku kujtoi, kështu, se dita
e parë e vitit përkon me Ditën Botërore të Paqes, rast për të kërkuar paqe në zemra,
në familje, në mbarë kombet. Këtë vit, posaçërisht, kur mesazhi për Ditën e Paqes
është: “Kurrë më skllevër, por vëllezër”. Të gjithë jemi të thirrur për të qenë
të lirë, të gjithë, për të qenë bij e secili, sipas përgjegjësive të veta, për të
luftuar kundër formave moderne të skllavërisë. Të gjithë popujt, kulturat e fetë,
t’i bashkojmë forcat tona. Na priftë e na ndihmoftë Ai që, për të na bërë të gjithë
vëllezër, u bë shërbëtori ynë.
Maria Nëna e Shenjtë e Hyjit Shikojmë
Marinë, kundrojmë Nënën e Shenjtë të Hyjit, përfundoi Papa, duke ia ngulur sytë shtatores
së Marisë në skaj të elterit e duke kujtuar popullin guximtar të Efezit, që brohoriste
përpara barinjve të tij, kur hynin në Kishë: “Nëna e Shenjtë e Hyjit”. Thotë një
histori, që nuk e di nëse është e vërtetë, se disa kishin shkopinj në dorë, ndoshta
që ipeshkvjtë të kuptonin ç’do t’u ndodhte, po të mos kishin guximin ta shpallnin
Nënën e Zotit. .... Ju ftoj të gjithëve, pa shkopinj, të ngriheni e për tri herë me
radhë e ta përshëndesni, në këmbë, me këtë përshëndetje të Kishës së parë: “Nënë e
Shenjtë e Hyjit”.