2014-12-31 14:00:39

Viti i ri: meditim për këtë Natë


Përfundon një vit. Çastet e tij të fundit ndjellin qetësinë e shekujve, reflektimin, përpjekjen për të hyrë në misterin e kohës. Bëjmë bilance, ndjejmë keqardhje për vitin që kaloi, gëzohemi për vitin që vjen, përpiqemi të parashikojmë të ardhmen. Shohim ëndrra të dyfishta. Duke u kujtuar, kështu, papritmas, për një realitet, që shpesh edhe e harrojmë, për ‘kohën”, të cilën herë të tjera e përdorim fare pa kujdes. Atëherë shqetësohemi e mendojmë sesa të përkohshme janë koha e sendet. E druhemi se fytyrat tona mund të mbesin pa kohë.
Iku një vit. E me të, edhe shumë nga mërzitjet e trazimet, që tani na duken fare pa kuptim. Koha shkrihet e ne, duke shikuar mbrapa, ndjehemi më të sigurt, më të qetë, me besimin se gjithçka kalon. Kalon. Fjalë ngushëlluese e njëkohësisht, e hidhur: gjithçka kaloi, vërtet. Por edhe do të kalojë shumë shpejt. Edhe ky vit që ende nuk ka shkelur në shtigjet e jetës sonë. Vit që nuk ka ende moshë. Asgjë nuk mund t’i bëjë ballë kohës: me vitin e vjetër kaluan jo vetëm ankthet, por edhe ngjarjet e bukura, të cilat do të dëshironim t’i jetonim përsëri e përsëri, duke e shndërruar të kaluarën, në të sotme e të ardhme. Por askush nuk mund t’i thotë çastit kalimtar: “Ndal!, je tepër i bukur”. Koha, ashtu siç erdhi, ashtu edhe do të shkojë!
Përballë Vitit të Ri provojmë të njëjtat ndjesi, që patëm në takimin me vitin e vjetër, kur ishte ende i ri. Çdo fillesë ka një magji, që na mbron e na ndihmon të jetojmë. Provojmë madhështinë e një dite të re, e ditëve të reja, të pashkruara, të pajetuara. Njëkohësisht, shqetësimin për të ardhmen, në udhët e së cilës nuk kemi shkelur ende.
E pyesim: “Çka fshihet brenda kohës?”.
Ç’mund të themi, si të krishterë, për këtë orë, kur një vit i lëshon udhën tjetrit? Një filozof i lashtë ka thënë një ditë se njeriu ndryshon nga kafsha sepse ai, thënë figurativisht, e nxjerr kokën jashtë ujërave të kohës. Kafshët janë në të si peshq notues, që rryma i merr me vete; gjithçka përzieshëm nën ujë, deri tek njeriu, i vetmi që mund të dalë mbi ujë me vështrimin e tij e ta sundojë kohën!
Por a e bëjmë këtë? A nuk jemi ndoshta edhe ne peshq të zakonshëm, të zhytur në detin e kohës, që i rrëmben rryma, pa u kujtuar fare për caqet ku përfundojnë? A nuk jemi gjithnjë të zënë me një mijë punë, ditë për ditë? A nuk kalojmë nga takimi në takim aq, sa të mos kujtohemi më për vetveten e as për kohën, që shket e shkon?
Atëhere duhet të jetë pikërisht kjo koha, për të dalë një çast mbi ujë e për të soditur qiellin mbi det e yjet mbi ne e për t’u kujtuar, më në fund, edhe për vetveten. Për udhën, që përshkuam, e atë, që na mbetet ende. Për gabimet që bëmë, e për ata, që rrezikohemi të bëjmë, për të mos i përsëritur edhe në ditët e vitit të ri.
Kur flasim për stilin Biedermeier ose për barokun, ose për revolucionin frëng, kujtojmë gjithnjë njerëzit, që i bënë këto vite epokë të mirëpërcaktuar. Njerëzit janë koha, në natyrën e paqëndrueshme të qenies së tyre.
Por a mund të shkojë përpara koha, nëse njerëzit nuk duan të ecin? A mund të jenë copë harmonie mes vdekjes e jetës e të shkojnë përpara, nëse përparojnë vetëm komoditetet e tyre, por zemra u mbetet në vend, madje fishket? E a mund të përparojë njeriu, kur nuk e njeh vetveten, kur ka kohë vetëm për pasjen e kurrë për qenien? E mbetet, kështu, jashtë kohe?
Jemi ne, njerëzit, koha! Të mos e harrojmë kurrë këtë shprehje. Zbulojmë, atëherë, se vetë njeriu jeton në rrjedhë kohe tejet të ndryshme: foshnjëri, rini, pjekuri, pleqëri. Por sot këto rrjedha shpërbëhen më shumë se në të kaluarën. E të duket sikur pleqtë jetojnë në një kohë të ndryshme nga ajo, në të cilën jetojnë të rinjtë, e njëra e tjetra palë, përpiqet t’ia dalë tjetrit në shfrytëzimin me fund të kohës.
Nga njëra anë ajo, që njeriu pret nga jeta, është shumëfishuar: ai ka më shumë kohë sesa në të kaluarën, ose më mirë, ajo pëllëmbë jete, që i është dhënë për të jetuar është bërë më e madhe. Nga ana tjetër, jeta e njeriut ndryshon gjithnjë më rrufeshëm e ai konsumohet përherë më shpejt, kështuqë ndryshimi ndërmjet së kaluarës e së tashmes bëhet gjithnjë më i madh.
Njeriu ka marrëdhënie gjithnjë më të vështira me veten, edhe pse nuk do të pranojë se është i përkohshëm, se koha shket e, me të, shkon edhe ai vetë. E kjo e bën shpesh të bjerë në dëshpërim. Pasojë e gjithë kësaj është jo vetëm ndeshja ndërmjet breznive, që provohet për ditë, por edhe mohimi i kohës: njeriu dëshiron të pranojë vetëm një moshë: atë të rinisë. Dikur mosha më e pëlqyer ishte ajo e pleqërisë. Ndërsa sot njeriu do të jetojë, edhe kur i ngjet një cope thëngjilli të shuar e zemreku i jetës ndalet në vend. Në mënyrë të pandreqshme. Grimi dhe kozmetikët e ndihmojnë, me sukses, të duket më i ri para syve të vet e të botës. E, sidomos, të gënjejë vetveten! E të ravgojë pas ëndrrash pa cak.
A nuk duhet, më në fund, ta kuptojmë se ka ardhur koha që të mos turpërohemi nga asnjë stinë e jetës? Nëse dimë ta pranojmë e ta jetojmë shpirtërisht, edhe dimri me bardhësinë e vet, është tejet i bukur. Prandaj duhen pranuar më me kënaqësi të gjitha kohët e jetës, me përpjekjen për të zbuluar çka fshihet brenda kohës e me bindjen se kemi gjithnjë diçka për t’i dhënë njëri-tjetrit.
Për t’u shprehur me terma më konkrete: ç’do të ishte bota e Kisha, pa fenë e fëmijëve të pafaj? Pa shqetësimin nxitës e pyetjet progresiste të të rinjve? Pa forcën e vendosmërinë e atyre, që janë në kulmin e jetës? Pa maturinë e durimin e qetë të pleqve? E ç’do të ishim ne të gjithë, pa besim në njëri-tjetrin? E pa u kujtuar se mund të fitojmë mbi kohën, vetëm përmes Jezu Krishtit, njeriut që pati kohë për Hyjin e, prej këndej, e çliroi njeriun nga diktatura e kohës?
Prej këndej, një mori pyetjesh, që lindin në këtë orë: mjekësia e ka zgjatur kohën e njeriut. Ai ka më shumë kohë. Por, a e sundon kohën, apo sundohet prej saj? Një pjesë e njerëzve nuk ka më kohë për Zotin, sepse e do gjithë kohën për vete. Por a kemi vërtet kohë për vete? Apo na mungon edhe kjo? A nuk jetojmë, vallë, pa menduar për vetveten? Duke harruar se koha e vërtetë e njeriut, është ajo që ka për Zotin. Jezu Krishti pati kohë për Hyjin e në Të, tani Hyji ka kohë edhe për ne. A nuk duhet, prandaj, të përpiqemi edhe ne të kemi kohë për Zotin, për t’u bërë koha e tij? Roje frymëmira të kohës? Vetëm pasja e kohës për Zotin, na jep kohë për njeriun, na çliron nga diktatura e Chronosit, perëndisë pagane të kohës. Një realitet të tillë e një vit të ri të lumtur në këtë kah, dëshirojmë t’ua urojmë të gjithëve.
Vit i Ri, pikë ku takohen dy kohë, në një fjalë. Mesnatë, ku soset e nis jeta!
Sipas “Meditazione per la sera di san Silvestro”, nga Joseph Ratzinger







All the contents on this site are copyrighted ©.