2014-12-31 15:56:02

Viti i Ri - i ngarkuar me ngjarje...


Viti 2015 i kushtohet jetës Rregulltare. Papa e shpalli më 29 nëntor 2013, në përfundim të takimit me Bashkimin e Eprorëve të Përgjithshëm. Gjatë Vitit të Jetës rregulltare nga Papa pritet një kushtetutë e re apostolike kushtuar jetës kundruese, në vend të asaj aktuale, Sponsa Christi, shpallur nga Papa Piu XII, në vitin 1950.

Në vitin 2015 kremtohet 60-vjetori i CELAM, Këshill, që grupon 22 Konferencat episkopale latino-amerikane. Organizmi, themeluar më 1955 nga Piu XII, duke miratuar kërkesën e Konferencës së parë të përgjithshme të episkopatit latinoamerikan, mbledhur në Rio de Janeiro, në gusht të atij viti, ndërmjet detyrave të tjera, ka edhe atë të përgatitjes së konferencave të ipeshkvnisë latino-amerikane të thirrura nga Selia e Shenjtë. Pas asaj të Rios, më 1955, u mbajtën edhe katër konferenca të tjera: në Medelin(1968), hapur nga Pali VI; në Bogotà, Puebla(1979); në Santo Domingo(1992); në shenjtëroren amerikane të Aparesidës, në Brazil(2007). Në këtë të fundmen mori pjesë edhe kardinali i asokohshëm, Bergoglio, kryetar i Konferencës ipeshkvnore argjentinase: në këtë rast Papa i ardhshëm u zgjodh kryetar i Komisionit të ngarkuar për hartimin e dokumentit përfundimtar të punimeve.

Më 2015 janë në program një mori nismash për kremtimin e dyqindvjetorit të lindjes së Dom Boskos. Programi i tyre u paraqit në një konferencë ndërkombëtare shtypi, më 6 shkurt 2014.

Në Romë, ditën e parë të vitit 2015 Bashkësia e Shën Egjidit organizoi marshimin e paqes, me rastin e Ditës Botërore të Paqes. Marshimi nisi nga Sheshi Gjoni XXIII, u përshkua nëpër Rrugën e Pajtimit e përfundoi në Sheshin e Shën Pjetrit, pikërisht kur Papa Françesku po fillonte lutjen e Engjëllit të Tënzot.

Në Irlandë Kisha kremton, këtë vit, njëqindvjetorin e vdekjes së Shën Kolombanit, ungjillëzues i ishullit, që përkon me Vitin e Jetës Rregulltare. Me këtë rast Konferenca ipeshkvnore, së bashku me Konferencën e rregulltarëve irlandezë, programoi një vit ngjarjesh për promovimin e thirrjeve meshtarake në vend, titulluar “Nise rrugën! Ji gëzimi i Ungjillit!”. Viti do të hapet më 2 shkurt, në përkim me Ditën e Jetës Rregulltare e do të përfundojë më 20 shkurt 2016.

Në dhjetvjetorin e vdekjes së Shën Gjon Palit II, që ndërroi jetë më 2005, Parlamenti polak vendosi t’ia kushtojë 2015-tën Karol Vojtilës, shenjtëruar më 27 prillin e kaluar, së bashku me Papën Gjoni XXIII. Vendimi u miratua pothuajse një zëri nga deputetët e Sejim, më 5 dhjetorin e kaluar.

Kombet e Bashkuara e caktuan Vitin 2015 Vit Ndërkombëtar i Tokave. Viti u përurua më 5 dhjetorin e kaluar me një sërë vepimtarish, në Romë, New York e Santiago të Kilit, me qëllim që të sensibilizohet e të promovohet përdorimi i qëndrueshëm i kësaj pasurie vendimtare për mbarë njerëzimin, që është toka, nga vijnë të gjitha prodhimet bujqësore të domosdoshme për jetën.

2015-ta është Vit evropian i zhvillimit. Programi parashikon një mori veprimtarish, të organizuara nga Komisioni dhe shtetet anëtare, që qytetarët evropianë të informohen për vendimet më të rëndësishme lidhur me zhvillimin e të marrin pjesë drejtpërdrejt, duke shprehur lirisht mendimin e tyre kritik, në realizimin e objektivave të vitit.

Qyteti i Mons (Belgjikë) e i Plzeñ (Republika Çeke) u shpallën Kryeqytete Evropiane të Kulturës 2015.

Gjermania merr presidencën e G8 për 2015.

Letonia, presidencën e turnit të Këshillit të Bashkimit Evropian. Mandati zgjat një semestër.

Lituania nis përdorimin e euros si monedhë në qarkullim.

Turqia merr, për herë të parë, presidencën e G20.

2015-ta është Vit përfundimtar për arritjen Objektivave të Mijëvjeçarit për zhvillimin.

Sot u përkujtua 51-vjetori i shtegtimit historik të Palit VI në Tokën e Shenjtë (4-6 janar 1964).

Po sot, në të gjitha dioqezat e Francës, u mblodhën lëmoshë për të ndihmuar Kishat në Afrikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.