2014-12-31 16:10:35

Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të 1 janarit, Papa do të lidhet me Maria Dolens, Këmbana e të Rënëve e Roveretos


Nuk mund të hapej në mënyrë më solemne viti, në të cilin kremtohet nëntëdhjetë vjetori i tingullit të parë të Maria Dolens, këmbanës së të Rënëve që, me njëqind kumbimet e saj transmeton çdo mbrëmje mesazhin e paqes e të vëllazërimit universal Do të jenë pikërisht tingëllimat e Këmbanës së të Rënëve gjatë Engjëllit të Tënzot të 1 janarit, që do të nënvizojnë mesazhin e Papës Françesku me rastin e ditës së 48-të Botërore të Paqes. Ati i Shenjtë do t’i ftojë besimtarët t’i dëgjojnë tingujt e Maria Dolens përmes ekraneve të mëdha televizive, vendosur në Sheshin e Shën Pjetrit si dhe lidhjeve televizive të Rai-t dhe të Qendrës Televizive të Vatikanit.
Mbi kodrën e Miravalles vijojnë përgatitjet, që gjithçka të jetë gati kur Papa do t’i ftojë besimtarët ta dëgjojnë tingëllimën e Maria Dolens, këmbanës, që lëkund të 226 kuintalët e saj prej bronzi, për të kujtuar 100-vjetorin e Luftës I Botërore. Në këtë kuadër radhitet nisma e tingëllimit të Këmbanës, derdhur në bronz, dhuratë e kombeve, që morën pjesë në konflikt, për t’i përcjellë mbarë botës mesazhin e paqes
Këmbana e të Rënëve është vepër e meshtarit roveretan, don Antonio Rossaro, realizuar për të nderuar kujtimin e të rënëve të të gjitha luftërave e për t’iu lutur Zotit për paqe e vëllazërim ndërmjet gjithë popujve.
Këmbana e të Rënëve, e cila do të tingëllojë nesër si ftesë për paqen, na kujton një tjetër Këmbanë, që quhet pikërisht “e paqes” e që u realizua nga një meshtar, edhe ai me emrin Anton. Misionari italian e realizoi Këmbanën me metalin e shkrirë të plumbave të konfliktit vëllavrasës në Shqipëri, gjatë trazirave të vitit 1997. Sot Këmbana është në zemër të kryeqytetit, Tiranës, pikërisht përballë Mauzoleut të diktatorit, si të donte të shlyente, me tingujt e saj paqësorë, kujtimet tragjike të një populli që, 50 vjet me radhë, në vend të mesazhit të vëllazërimit, dëgjoi thirrjet gjakatare të luftës së klasave. Thua do të kujtohet kush t’i bjerë, që tingëllimat e saj të dëgjohen në gjithë Shqipërinë për t’u uruar shqiptarëve, në këtë ditë të parë të vitit të ri 2015 paqe e vëllazërim?







All the contents on this site are copyrighted ©.