2014-12-30 10:19:30

Imzot Dodë Gjergji: kemi shumë nevojë për Zotin, për të përmirësuar realitetin tonë


Kremtimi i Krishtlindjes në Kosovë
Drita e gëzueshme e Hyjit zbriti në tokë, e në zemrat tona lindi Foshnja Hyjnore, Krishti Fëmijë. Ai lindi në Kosovë për ti dhënë shëlbimin popullit të këtij vendi, një rreze shprese, paqeje e dashurie mes njerëzve pa dallim besimi.
Një dëshmi e gjallë ishte ajo në rezidencën e ipeshkvit të Kosovës, pritja solemne të Imzot Dodë Gjergjit me rastin e kësaj feste. Erdhën për të përgëzuar, Presidentja e Vendit Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, deputetë, e të shumë të tjerë. Atmosferë madhështore ishte në Mesnatë të Shenjtë të Krishtlindjes në Katedralen ‘Nënë Tereza’ e cila ishte plotë e për plotë e mbushur me besimtarë e qytetarë tjerë, përfshirë edhe ndërkombëtarë e bashkatdhetarë të ardhur për festat e fundvitit, e natyrisht edhe meshtarë e motra rregulltare. Meshën solemne të Mesnatës së Krishtlindje, e drejtoi imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me një numër të madh meshtarësh. Në homelinë e tij të rastit veç që foli për historikun e Krishtlindjes, ipeshkvi ktheu vëmendjen edhe në realitetin aktual.
“Kur e prekim realitetin që e jetojmë, atëherë forcohemi në fe dhe e kuptojmë se kemi edhe më shumë nevojë për Zotin, sepse edhe pas një çerekshekulli përpjekjesh për jetë më të mirë, disi të gjithëve na ka kapluar një fije zhgënjimi, e shumëkënd edhe dëshpërimi. Dëgjojmë për ngatërresa familjare, padrejtësi sociale, konflikte të ndryshme, vetëvrasje, ikje masive e të rinjve nga vendi, e gjëra tjera që shkurajojnë të drejtët, zhgënjejnë entuziastët dhe dëshpërojnë të pa mbrojturit”, tha ipeshkvi i Kosovës duke shtuar se “këtë gjendje e rëndon edhe më shumë, strukja e të drejtëve, heshtja e të mirëve, lakmia e të diturve dhe korruptimi i të aftëve. E gjithë kjo vjen si pasojë e mohimit të së vërtetës, përbuzjes së vlerave, mungesës së moralit shoqëror, keqmenaxhimit të paqes, paaftësisë kolektive për të respektuar liritë dhe mungesa e përgjegjësisë individuale, grupore dhe bartësve të detyrave shoqërore. Kush do të na ngushëlloj në këtë gjendje, përveçse Krishti Zot me dashurinë e tij hyjnore, që na jep më shumë shpresë në jetë”, tha mes tjerash ipeshkvi, i cili në fund për të gjithë e dha bekimin e Krishtlindjes.
Po në Katedralen ‘Nënë Tereza’, Imzot Dodë Gjergji celebroi edhe meshën e Familjes Shenjte të dielën e parë të Krishtlindjes. Si zakonisht doli porosia që Familja Shenjte e Nazaretit duhet të jetë model, themel dhe pasqyrë për familjet e botës tokësore, përkatësisht edhe për familjet tona shqiptare, siç tha ipeshkvi. “Secila shtëpi e krishterë është një kishë e vogël ku thuhet urata e bëhet lutja në familje për dashuri e bashkëjetesë të lumtur, ndërsa në kishë vijmë për t’i bashkuar lutjet e uratat me besimtarët tjerë, drejtuar Zotit tonë, Jezu Krishtit”, tha ipeshkvi i cili pas kremtimit të kësaj meshe, ai veçantë i bekoi fëmijët, krijesat më pafajshme të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.