Fjala e Aleksandër Xhuvanit në varrimin e Gjergj Fishtës (1871-1940)
Zotnij
të ndershëm
Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes
së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare,
tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri,
burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu
i vjetërsisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse
ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e
Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë
në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën
amtare. Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit,
lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra
e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi
ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe
të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë,
si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj. Nuk ka qenë
pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe
nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm
artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e
të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të
kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës
attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë
për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën. Nuk jam unë, o burra, i premë
sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që
ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do
të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona,
që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa
deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare
që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija
mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit
rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi
për gjithë jetën. Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij,
të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e
plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë
pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë
për lumnin e Shqipnisë.
Shkoder 31 dhjetor 1940 (Nga Ardian Klosi
ne gazeten SHEKULLI me 14.03.2010)