2014-12-29 14:54:32

Viti 2014 i Papës Françesku: udhëtimi në Shqipëri, Sinodi i familjes, paqja SHBA-Kubë


Një vit i jetuar gjithnjë si protagonist, me temën e familjes në qendër, ky që po mbyll Papa Françesku, i dyti i papnisë së tij, akoma “të re”. Ka qenë Sinodi i jashtëzakonshëm i ipeshkvijve mbi familjen, fokusi i përpjekjeve të Kishës dhe i vëmendjes së mediave, pavarësisht se takimi i parë i ipeshkvijve nga 5 deri më 19 tetor, është vetëm një hap në udhën e gjatë, që do ta shoqërojë Kishën deri në tetorin e ardhshëm, për Sinodin e zakonshëm me të njëjtën temë. Aty do të vendoset qëndrimi mbi argumente delikate si sakramentet për të divorcuarit e rimartuar, çiftet gay dhe adoptimet, teknikat e fekondimit artificial dhe kontraceptivët, aborti dhe eutanazia, gjithnjë në traditën e Kishës, siç theksoi mëse një herë Ati i Shenjtë Bergoglio.
Por, për shqiptarët, pa dyshim, ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm, sepse e patën në Tiranë Mëkëmbësin e Krishtit, Papën Françeskun, mundën ta preknin, ta shihnin, ta dëgjonin me veshët e tyre. E panë të mallëngjehej, kur preku me dorë martirizimin e këtij vendi të vogël gjatë komunizmit, e dëgjuan t’i lavdëronte e t’i tregonte si shembull për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve, e pritën si të ishte njeriu i shtëpisë, apo "dy herë mik", siç komentoi presidenti i Republikës. 21 shtatori 2014 do të mbetet në historinë e Shqipërisë jo vetëm si udhëtimi i dytë i një Pape në Vendin e Shqipeve, por edhe si gur kilometrik, bazë për ato vlera që duhen kujtuar gjithnjë si: martirizimi e dialogu.
Edhe diplomacia e Vatikanit, gjithnjë me Papën si protagonist, pati suksese në fushën ndërkombëtare, që arritën kulmin me rilidhjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Kubë, më 17 dhjetor. Si presidenti amerikan Barak Obama, ashtu edhe ai kuban, Raul Kastro, nënvizuan rolin vendimtar të ndërmjetësimit papnor.
Përsa i përket jetës së brendshme të Vatikanit, vetëm pak ditë më parë, Papa Françesku emëroi Kamerlengun e ri të Kishës Shenjte Romake. Ai është kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, i cili zëvendësoi kardinalin Tarcisio Bertone, ish- Sekretar i Shtetit të Vatikanit, që mbushi 80 vjeç.
Nga pikpamja shpirtërore, pa dyshim, ngjarja kulmore është shpallja e dy shenjtorëve të rinj, dy papë fort të dashur për besimtarët e gjithë botës: Gjoni XXIII dhe Gjon Pali II. Më 27 prill, në shesh nuk ishte vetëm Françesku, por edhe Papa i nderit Benedikti XVI.
Bergoglio e Ratzinger janë takuar disa herë gjatë vitit, por për herë të parë, ishin të dy të pranishëm më 22 shkurt, në Koncistorin për krijimin e kardinajve të rinj. Dy papë, të dy në jetë, brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, shenjë e kohëve që ndryshojnë.
Papa Françesku ndërhyri edhe në rinovimin e Komisionit kardinalor të Mbikqyrjes për Institutin e Veprave Fetare. Nga ana tjetër, mbajti këshilltarët e vet, në gjirin e të cilëve hyri edhe Sekretari i ri i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Kështu, Këshilli i kardinajve për reformën e Kuries Romake përbëhet tani nga 9 vetë, pasi deri pak kohë më parë njihej si “këshilli i të tetëve”.
Por, përtej gjesteve të mëdha shpirtërore e diplomatike, vatikanase e ndërkombëtare, Ati i Shenjtë Françesku e ruajti prirjen e tij për gjestet e vogla, për fjalët e thjeshta, për shprehjet popullore të fesë, për metaforat e marra nga jeta e përditshme, që vazhdojnë t’i tërheqin besimtarët e jo besimtarët e që përbëjnë bazën e dashurisë së njerëzve të çdo ngjyre për Papën, të cilin kardinajtë “e zgjodhën nga fundi i botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.