2014-12-29 14:50:06

Fillon nga Pompei vizita e Papës Françesku në Napoli më 21 mars


Pompei, “porta” që hap shtegtimin e tretë të Papës në Campania. Të shtunën, më 21 mars 2015, do të nisë pikërisht nga Shenjtërorja mariane vizita e Françeskut në Napoli. Është një etapë e shkurtër, por e ngarkuar me veprimtari , me të cilën Papa dëshiron t’ia besojë veten Zojës Rruzare.
Kryeipeshkvi-prelat e delegat papnor i Pompeit, imzot Tommaso Caputo, ua përcolli besimtarëve lajmin, duke e quajtur vizitën e Papës, dhuratë e madhe për këtë bashkësi, devocioni marian i së cilës është edhe rrënja e angazhimit të Kishës së Pompeit për më të fundmit e më nevojtarët.
Sot, më shumë se kurrë, nënvizoi prelati, nuk kanë munguar motivacionet e dashurisë së krishterë, lidhur ngushtësisht me kërkesat e drejtësisë e të respektimit të dinjitetit të çdo njeriu. Përveç ngazëllimit për ardhjen e tij, presim që Papa të na e tregojë udhën, të cilën duhet ta ndjekim për të qenë më pranë e më solidarë me njerëzit tanë.

Kujtojmë se Pompei e Napoli u vizituan disa herë nga papët. Më 21 tetor 1979, Shën Gjon Pali II vizitoi njëherësh Pompein e Napolin, duke e nisur vizitën pikërisht nga Shenjtërorja mariane, ku u rikthye përsëri më 7 tetor 2003, për mbylljen e Vitit të Rruzares. Më 19 tetor 2008 edhe Papa Benedikti XVI e vizitoi Shenjtëroren e Pompeit.







All the contents on this site are copyrighted ©.