2014-12-28 14:21:18

Të ofrojmë ngrohtësi njerëzore: këtë kërkon Papa në ditën e Familjes së Shenjtë


Drita e Familjes së Shenjtë na dhëntë zemër për të ofruar ngohtësi njerëzore: kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke kërkuar vëmendje konkrete e solidaritet për familjet, që kalojnë çaste të vështira e që u duhet të përballojnë nevoja materiale ose sëmundje. Një mendim i posaçëm për gjyshat. E pastaj, një lutje, duke menduar për avionin malez të zhdukur dhe aksidentet detare në Adriatik.RealAudioMP3

Krishti Fëmijë me Nënën e tij, Marinë e me Shën Jozefin, janë ikonë familjare e thjeshtë, por tejet e shndritshme. Është drita e mëshirës dhe e shëlbimit për mbarë botën, drita e së vërtetës për çdo njeri, për familjen njerëzore e për secilën familje.
Mendimi kryesor i Papës, për ata që kanë nevoja shpirtërore ose materiale:
“Kjo dritë, që vjen nga Familja e Shenjtë, na inkurajon t’u ofrojmë zemërngrohtësi njerëzore familjeve që kalojnë situata të tilla familjare të cilave, për arsye të ndryshme, u mungon paqja, u mungon harmonia e falja. Solidariteti ynë konkret nuk duhet t’u mungojë posaçërisht familjeve që vuajnë nga sëmundjet, nga mungesa e punës, diskriminimet , nevoja e ngutshme për të emigruar…”.
Më pas, duke folur lirisht, Papa i ftoi të gjithë për një çast të vërtetë lutjeje së bashku.
“E këtu të ndalemi paksa e në heshtje të lutemi për të gjitha familjet në vështirësi: për ato, që përballojnë sëmundje, që u mungon puna, që diskriminohen, që detyrohen të emigrojnë, që nuk kuptohen e që ndahen. Të lutemi në heshtje për të gjitha këto familje…”.
Në të dielën e parë pas Krishtlindjes, vijoi Papa, ndërsa jemi ende të pushtuar nga atmosfera gazmore e festës, Kisha na fton të kundrojmë Familjen e Shenjtë të Nazaretit. E Papa Françesku u ndalua te ajo, të cilën e quajti “Familja e vogël e Jozefit, Marisë e Jezusit”, që jetoi në mes të njerëzve të shumtë, pranë oborreve të kohës, që nuk i ra kujt në sy, që nuk u dallua mes turmës… E megjithatë, nuk kaloi pa u vënë re!”. Kujtoi, pastaj, dy pleqtë, Simeonin e Anën, të nxitur nga Shpirti Shenjt, që i afrohen Krishtit e vihen të lavdërojnë Hyjin për këtë Fëmijë, në të cilin njohin e pranojnë Mesinë, dritë për njerëzit e shpëtim për Izraelin. Është një çast i thjeshtë, por tejet i pasur me profeci, theksoi Papa Françesku, që ndodh rreth Jezusit:
“Jezusi është Ai, që i afron breznitë. Është burim i asaj dashurie, që bashkon familjet e njerëzit, duke mundur çdo mosbesim, çdo izolim, çdo largësi”.
Një mendim i posaçëm për gjyshat, më pas:
“Kjo na bën të mendojmë për gjyshat: sa e rëndësishme është prania e tyre! Sa i çmuar, roli i tyre në familje e në shoqëri! Marrëdhëniet e mira ndërmjet të rinjve e pleqve janë vendimtare për ecjen përpara të bashkësisë civile e kishtare. E, duke parë këta pleq, këta dy gjysha, Simeonin e Anën, s’mund të mos i përshëndesim që këtu, me një duartrokitje, të gjithë gjyshat e botës!”.
Mesazhi, që na vjen nga Familja e Shenjtë, shpjegoi Françesku, është, mbi të gjitha, mesazh feje. “Familja e Nazaretit është e shenjtë, sepse ka në qendër të vet Jezusin”.
“Kur etër e bij thithin së bashku këtë ajër feje, fitojnë energji, që u krijojnë mundësitë t’i përballojnë të gjitha provat, edhe më të vështirat, siç na tregon përvoja e Familjes së Shenjtë në ngjarjen dramatike të ikjes në Egjipt; provë e rëndë, kjo!”.
Pastaj, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, një lutje për dy aksidente: tragjedinë e avionit e aksidentet e detit:
“Mendimi im shkon, në këtë çast, tek udhëtarët e avionit malez të zhdukur ndërsa udhëtonte ndërmjet Indonezisë e Singaporit, ashtu si edhe tek udhëtarët e anijeve në kalim në ujërat e detit Adriatik, që pësuan aksidente. Me zemër e me lutje jam pranë familjarëve dhe atyre që vuajnë në këto çaste të vështira, si dhe të gjithë atyre, që angazhohen në veprimtarinë e ndihmës".
Ndërmjet përshëndetjeve, veç atyre drejtuar shumë familjeve të pranishme, duke iu lutur për ta Familjes së Shenjtë, përshëndetja drejtuar romakëve, shtegtarëve, të rinjve të shumtë të disa dioqezave, në prag të Krezmimit, e shumë e shumë grupeve të tjera, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. Të gjithëve Papa u uroi të diel të gëzuar. E, duke i falënderuar për urimet e lutjet, u kërkoi edhe një herë: “Vijoni të luteni për mua!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.