2014-12-28 09:57:39

Të krishterët viktima të persekutimeve, por edhe të ateizmit dhe laicizmit


Të krishterët persekutohen: lajmet e herë pas hershme të shtypit, nga të katër anët e Planetit, flasin për vuajtje e drama të të gjitha natyrave, nga internimi vullnetar, tek ikja e ngutshme e deri tek flijimi i jetës. Rritet numri i të persekutuarve në kontekstin global, gjë që shënon kufizimin e lirisë fetare, siç e dokumenton vëzhguesi i Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, i cili regjistron shkeljet dhe shpërdorimet e pësuara nga besimarët e çdo besojme në mbarë botën. Intervistuam zëdhënësen e Fondacionit, Marta Petrosillo:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sigurisht, në këtë çast persekutimi është më i ndjeshëm në Azi e në Lindjen e Mesme, por edhe në Afrikë. Janë këto rajonet ku të krishterët kalojnë vështirësi më të rënda e konsiderohen si grupi më i persekutuar e më i diskriminuar, posaçërisht sepse janë pakicë në shumë vende, të cilat sot jetojnë një mori konfliktesh e tensionesh, edhe ndërfetare. Mendoj për Lindjen e Mesme, sidomos për Irakun, ku të krishterët rrezikohen vërtet të zhduken përgjithmonë. Në përgjithësi, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në zona të tjera të Azisë, vërehet se disa nga grupet fetare, që përbëjnë shumicën, kanë prirjen ta shpërdorojnë fenë, të dhunojnë, të vrasin në emër të Zotit. Shembull i gjallë janë përfaqësuesit e Shtetit Islamik (Is). Por ka edhe nga ata, që kryejnë akte të ngjashme në emër të Sharisë, ligjit kuranik, ose të tipeve të tjera të ligjeve, siç është ligji kundër blasfemisë, në Pakistan.

Pyetje: - Pra, mund të themi se persekutimi buron nga ekstremizmi islamik e edhe nga regjime totalitare, që duan ta marrin a ta mbajnë pushtetin ligj pa ligj, duke shkelur mbi çdo të drejtë. ..

Përgjigje: - Po, por shikojmë edhe rritjen e fundamentalizmit hinduist e budist. Pa harruar të kujtojmë se ndërmjet 20 vendeve më kritike, 14 janë me shumicë islamike, ndërsa gjashtë, qeverisen nga regjime totalitare që, përmes kontrollit të rreptë, diskriminojnë e persekutojnë pakicat. E kjo vërehet sidomos në Korenë e Veriut, ku të krishterët janë nga më të perskutuarit në botë; por edhe në Kinë, kohët e fundit, kemi parë shumë raste të trishtuara: kisha të rrënuara, meshtarë e seminaristë të detyruar të bëjnë jetë të dyfishtë, sipas vetë dëshmisë së tyre. E dimë se në Kinë është kisha, që njihet me emrin aleanca patriotike, kishë, kjo, qeveritare. Prej këndej ndodh shumë shpesh që, kush nuk pranon të bëjë pjesë në të, për të mbetur në bashkim me Romën, hyn në Kishën e nëndheshme, bëhet besimtar i Kishës së heshtimit, i popullit të katakombeve.

Pyetje: - Cilat janë vendet e tjera më kritike?

Përgjigje: - Mianmari, Azerbajxhani, Uzbekistani: në Azinë qendrore vërejmë edhe shtimin e kontrolleve qeveritare, në vijim të “pranverave arabe”. Në këto vende, nga frika e thellimit të frymës fundamentaliste, po zbatohen ligje gjithnjë më të rrepta; edhe në Taxhikistan e Kazakistan, disa nga ligjet që rregullojnë veprimtaritë fetare, janë tepër diskriminuese. Është edhe një vend tjetër, i njohur jo rastësisht me emrin ‘Koreja e veriut e Afrikës”: Eritreja, ku rreth 3 mijë njerëz janë të mbyllur në burgje, që u ngjasin kampeve naziste të përqendrimit, vetëm e vetëm për arsye fetare. Këta njerëz u nënshtrohen edhe torturave, për t’i bindur të kthehen në fenë myslimane.

Pyetje: - Në Raportin tuaj mbi lirinë fetare flitet edhe për “ateizëm agresiv e laicizëm liberal”, që kanë të bëjnë me disa nga vendet e botës perëndimore e të Amerikës Latine….

Përgjigje: - Evropa sot është përballë fenomenit të emigracionit në masë, e kështu ka të bëjë me më shumë grupe ndërfetare. Njëkohësisht vërehen edhe këtu episode të shumta intolerance kundër të krishterëve, duke nisur nga dhunimi i varrezave, tek aktet vandale kundër kishave e tek diskriminime të tjera. Në shoqëri, pastaj vërehet gati-gati një përpjekje për ta mbyllur faktorin fetar në jetën private. Këtë e vërejmë edhe në ndalimin e ekspozimit të simboleve fetare, si për shembull të Kryqit, në shkolla. Një problem tjetër është ai i së drejtës për të mos u bindur, që ka të bëjë si me farmacistët, ashtu edhe me mjekët të cilët, për shembull, nuk duan ta praktikojnë abortin ose të japin ilaçe abortive. Por ka edhe më: një shembull është ai i agjencive katolike të birësimit që, në Britaninë e Madhe, nuk mund t’ua refuzojnë çifteve homoseksuale birësimin e fëmijëve.

Pyetje: - Vërehet edhe një farë bezdie, kur zëri i të krishterëve lartohet në trajtimin e temave etike, që kanë të bëjnë edhe me qëndrime shoqërore…

Përgjigje: - Pa dyshim! Të krijohet përshtypja se fjala e krishterë në hapësirat publike është e padëshiruar, sikur të krishterët të mos kishin të drejtë të shprehnin mendimin e tyre, me pretendimin se ky mendim mund të krijojë konflikte me grupet e tjera fetare

Pyetje: - Në përgjithësi, ky persekutim i të krishterëve ndjehet pak e aspak në media, shenjë që flet – mund ta themi këtë - për një botë, që po bën hapa mbrapa në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut…

Përgjigje: - Po, siç thoshte Gjon Pali II, liria fetare është letra e lakmusit për respektimin e të drejatve në një vend, sepse atje ku nuk respektohen e nuk mbrohen, ka shumë mundësi të mos respektohen as të drejtat e liritë e tjera. Fatmirësisht vërehet një interesim në rritje nga ana e opinionit publik, ndërsa fatkeqësisht, mediat përqendrohen kryesisht mbi një vend të veçantë, lidhur me ngjarje të caktuara, e pastaj ky vend harrohet, për t’u kujtuar një tjetër, edhe ky shumë shpejt i harruar. Nuk krijohet, pra, një panoramikë e gjallë, e cila përfshin mbrojtjen e lirisë fetare në botën mbarë e në shprehjet e ndryshme të saj, që shpesh marrin pamje tragjike, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale!







All the contents on this site are copyrighted ©.