2014-12-28 10:03:19

Teologu Dianich: Papa u flet njerëzve, jo vetëm Kuries Romake


Bëri jehonë të madhe fjala e Papës Françesku drejtuar Kuries Romake, gjatë shkëmbimit tradicional të urimeve të Krishtlindjes, të hënën e kaluar. Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizoi se Kuria përbëhet nga burra e gra, që kanë nevojë të shqyrtojnë ndërgjegjen e t’i kthejnë sytë e zemrat kah Zoti përditë, ashtu si secili prej nesh.
Don Severino Dianich, teolog, ish-pedagog i fakultetit të teologjisë në Firence, që vazhdon të merret me baritorinë e kulturës dhe të universitetit për dioqezën e Pizës, në Itali, komenton, në mikrofonin tonë, të ashtuquajturat “15 sëmundje kuriale”, që vuri në dukje Papa Françesku të hënën:
“Françesku e shqiptoi këtë fjalim para Kuries Romake, duke theksuar se fliste për sëmundje ‘kuriale’. Por, Papa iu drejtua ekskluzivisht njerëzve dhe jo institucionit si i tillë. Prandaj, ata që prisnin reforma të Kuries nga pikpamja institucionale, mbetën të zhgënjyer. Është e qartë se shqyrtimi i ndërgjegjes i propozuar nga Ati i Shenjtë, vlen vërtet për anëtarët e Kuries si njerëz besimtarë, por edhe për të gjithë besimtarët e tjerë. Për shembull, për burokratët e zyrave ministrore, apo për politikanët e tjerë, që mund të meditojnë mbi këto fjalë”.
Ndër neologjizmat e përdorura nga Papa, u vu në dukje fjala “martalizëm”, që na kujton shën Martën, gjithnjë e zënë me punë, prandaj do të thotë “punë e tepruar”. Duket paradoks që Ati i Shenjtë kritikon pikërisht ata, që punojnë shumë, më tepër se të tjerët...
“Shpikja e fjalëve është ide e mirë për një komunikim të frytshëm. Por ky paralajmërim i Papës për ata, që punojnë tepër, më habiti edhe mua. Nuk e di nëse kjo ndodh vërtet në Kurien Romake e deri diku, uroj që po. Uroj që të gjithë të jenë të zellshëm në punë. Por, duke menduar për realitetin e kishave më periferike është e vërtetë se organizimi, detyrat e përditshme, puna, zë shumë kohë edhe energji, duke i kaluar në plan të dytë lutjen, marrëdhëniet me Zotin, me njerëzit, me të dashurit. Mendoni ç’do të ndodhte në një famulli nëse famullitari i harron të sëmurët, besimtarët “.
Imazhi tjetër, që bëri përshtypje nga fjalët e Papës, është “alzheimer shpirtëror”: harrimi i historisë së shëlbimit, i historisë personale me Zotin. A është një e keqe, që godet edhe njerëzit e Kishës?
“Do të thosha, mbi të gjitha ata. Sepse pikërisht kur jemi krejtësisht të sigurtë në Ringjalljen e Krishtit e në praninë e Zotit në mesin e njerëzve përmes Jezusit, pikërisht kur feja jonë është e qëndrueshme, atëherë ka rrezik që feja të zhvendoset në format, me të cilat e jetojmë. Por këto forma duhet të ndryshojnë, sepse Kisha është në shërbim të njerëzve, prandaj kur has në njerëz të ndryshëm, duhet ta ndryshojë formën, gjuhën, sjelljen e saj, nëse dëshiron të dialogojë me ta. Shpesh nuk lëvizim nga format me të cilat jemi mësuar e kjo e bllokon ungjillëzimin, në dëm të jetës së Kishës”.
Ndonjë komentues pa në diagnozën e Papës, një farë pafuqie. Por don Dianich nuk është dakord:
“Më tepër, m’u duk se pashë një operacion çmitizimi të institucioneve kishtare. Nganjëherë mendojmë se ato janë të veshura me karakter të shenjtë, si të ishin të paprekshme, të pakritikueshme. Por Papa Françesku, me liri të madhe, ashtu siç bën për vetveten kur kërkon të lutemi që Zoti t’ia falë mëkatet, nënvizoi edhe mëkatet e njerëzve të institucioneve. Ati i Shenjtë vuri në dukje nevojën e ‘humanizimit’ të njerëzve të Kishës, sa herë që ata i nënshtrohen tundimit për t’u ndjerë më lart se njerëzit e thjeshtë, sa herë e ‘shenjtërojnë’ veten dhe institucionin e tyre”.
Përsa i përket sëmundjes, që Papa e quajti “fytyrë vajtojce”, don Dianich është i bindur se sot është më e përhapur se kurrë, sidomos në Perëndim:
“Kisha në Evropë nuk përjeton fazën më të shkëlqyeshme në historinë e vet, prandaj ndjenja se Kisha ka hyrë në rrugën e dekadencës e të erozionit mund të shkaktojë pesimizëm. Por kështu, harrojmë se feja e krishterë është para së gjithash, shpresë e se përtej aftësive tona, është dashuria e Zotit, që i prin Kishës dhe njerëzimit. T’i jetojmë me gëzim edhe çastet e humbjes e të vuajtjes, në dritën e shpresës së krishterë, është urimi më i mirë që mund t’i bëjmë njëri-tjetrit, këtë Krishtlindje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.