Familja Shenjte e Martirët e Pafajshëm në fjalët e Papës: fëmijët, viktima të Herodëve
të sotëm
Sot Kisha Katolike kremton festën e Familjes Shenjte, por edhe atë të Martirëve të
Pafajshëm. Fëmijët e Betlehemit, të cilët u vranë nga Herodi, që bashkë me ta të vdiste
edhe Jezusi Foshnjë i adhuruar nga Mbretërit Dijetarë, na kujtojnë të gjithë ata që
derdhën gjakun për Zotin e për Qengjin e Hyjit. Së bashku me shën Shtjefnin e me shën
Gjonin ungjilltar, i përkasin kortezhit të mbretit mesianik e u japin dinjitet të
gjithë fëmijëve në Kishë. Pikërisht sot paradite, Papa Françesku u takua në Sallën
Pali VI në Vatikan, me familjet me shumë fëmijë. 7000 vetë, prindër e fëmijë, u mblodhën
rreth Atit të Shenjtë për të dëshmuar rëndësinë e familjes në shoqërinë e sotme, sipas
modelit të Familjes Shenjte të Nazaretit. Në orën 12.00, Papa Françesku tha, si zakonisht,
lutjen e Engjëllit të Tënzot. E së bashku me Atin e Shenjtë Bergoglio nuk mund
të mos kujtojmë fjalët e Mesazhit tij papnor “Urbi et Orbi”, që Papa ia drejtoi Romës
e botës, mesditën e Krishtlindjes së kremtuar: “Jezus, shpëtoji fëmijët e panumërt,
viktima të dhunës, të shndërruar në sende në duart e matrapazëve e të tregtarëve të
njerëzve, ose të detyruar të shërbejnë si ushtarë; fëmijë, shumë fëmijë të shpërdoruar…
O Krishti Fëmijë, mendimi im shkon tek shumë fëmijë, sot të vrarë e të keqtrajtuar,
si ata, që u vranë para se ta shohin dritën, të privuar nga dashuria bujare e prindërve
të tyre e të varrosur nga egoizmi i një kulture, që nuk e do jetën; ashtu edhe fëmijët
e shpërngulur për shkak të luftërave e të persekutimeve, të shpërdoruar e të shfrytëzuar
nën sytë tanë e heshtjen tonë bashkëfajtore; e fëmijët e masakruar nën bombardimet,
edhe atje, ku lindi biri i Hyjit. Edhe sot e kësaj dite heshtja e pafuqishme bërtet
nën teh të shpatës së Herodëve. Mbi gjakun e tyre shquhet hija e Herodëve të sotëm”.