Krishtlindje në Botë: Irak, Siri, Kubë, Filipine, Indi...
Krishtlindje vuajtjesh, por edhe shpresash në Irak Krishtlindje vuajtjesh,
por edhe shpresash, në bashkësitë e krishtera akoma të pranishme në Irak, tokë e tronditur
thellë nga furia e xhihadistëve të të vetëquajturit Shtet Islamik. Familjet, që kanë
mbetur në këto troje, dyshojnë shumë në të sotmen e besojnë pak në ardhmërinë e këtij
vendi. Por Krishtlindja u kujton edhe më të mjerëve mbi dhe se Hyji nuk e braktis
kurrë njeriun, posaçërisht atë, që ka të drejtë e edhe nevojë për krahun e tij të
shpërvjelur. E dëshmon këtë, në mikrofonin tonë, imzot Giorgio Lingua, nunc
apostolik në Irak e Jordani:
Përgjigje:
- Gjëja e parë, që më vjen në mendje, kur mendoj për Krishtlindjen në Irak, sivjet,
është fraza e Ungjillit: “Për ta nuk pati vend në bujtinë”. Në bujtina sivjet nuk
ka vend për shumë familje irakiane, nuk ka vend as në shtëpitë e mbushura plot, nuk
ka, në strukturat e të shpërngulurve, nuk ka në asnjë fshat, ndër troje që, deri pak
çaste më parë u përkisnin të pastrehëve të sotëm. Irakianët sot jetojnë si Familja
e Nazaretit, së cilës hanxhinjtë ia patën përplasur portat në fytyrë. Por jetojnë
edhe si barinjtë, që ngarendin kah Betlehemi, për të dhuruar vetveten. E, në këtë
vend, shikoj edhe Mbretërit dijetarë, me kem, ar e mirrë, shikoj gjithë këtë solidaritet
ndërkombëtar për Krishtin fëmijë, që po vuan, që është i ligshtë, por jo i harruar
nga të gjithë...
Pyetje: - Urimi juaj për të krishterët irakianë?
Përgjigje:
- Zgjodhëm sivjet një kartolinë simbolike për urimet e Krishtlindjes, që bëjmë
si nunciaturë, me figurën e një fëmije refugjat irakian, duke fjetur në rrugë të madhe,
me kokë të mbështetur mbi gurë. E vumë mbi një dorë, që simbolizon Zotin e mbi një
tjetër, që është e Zojës, si të ishte duke ëndërruar: ai ndoshta nuk e di, po Zoja
e mbron këtë fëmijë, në të cilin shikon Birin e vet, sot! Më duket se Krishtlindja
është festa, që na kujton se Zoti nuk të braktis kurrë.
Pyetje: - Është
mesazh, që duhet të hyjë në zemrat e të krishterëve irakianë...
Përgjigje:
- Po, këta njerëz kanë fe të patundur; e dinë se Zoti është me ta, pavarësisht
nga të gjitha mundimet e sotme.
Siri: Krishtlindje në luftë Është
e katërta herë që sirianët e kremtojnë Krishtlindjen në luftë. Në shumë zona të krishterët
nuk mundën as të flasin publikisht për Festën e Lindjes së Jezusit. E megjithatë,
edhe në këto kushte, besimtarët u pushtuan nga gëzimi i ardhjes së Krishtit ndërmjet
tyre. Na e kujton nunci apostolik në Damask, imzot Mario Zenari:
Përgjigje
– Krishtlindja u kremtua me të njëjtin gëzim, ndonëse në disa zona, me kufizime
të veçanta: kam parasysh famullitë e zonave nën kontrollin e fundamentalistëve, ku
besimtarët nuk mundën të kremtojnë haptas. Në këto famulli nuk tingëlluan këmbanat
në festë, nuk u zbukuruan sheshe e shtëpi me stolitë, që vezullojnë në mbarë botën
e krishterë. Pastaj këtu Krishtlindja ishte edhe festa e vendeve bosh. Shumë vende
rreth sofrave qenë bosh, ngaqë një mori njerëzish kanë ikur larg, duke mos mundur
ta vijojnë më jetën në një vend, ku ka shumë pasiguri e pak punë. E edhe Mesha nuk
u kremtua në mesnatë, por pasdite, për të shmangur rreziqet e mundshme. U kremtua
në Damask, në katedralen katolike e në atë ortodokse. Natyrisht, edhe në famullitë
e ndryshme e me një gëzim të thellë, që buron nga Foshnja e grazhdit. Shpresojmë mot
më mirë! Sepse mesazhi i Jezusit, që lind në një situatë varfërie e lufte, është edhe
më i fortë.
Krishtlindje e veçantë në Kubë Krishtlindje e veçantë
në Kubë, pas marrëveshjes me SHBA-të Presidentët Kastro e Obama na bënë një dhuratë
të bukur. Kjo ishte Krishtlindje e veçantë për Kubën. Janë fjalët e kryeipeshkvit
të Santiagos, imzot Dionisio Garcia Ibanez, botuar në gazetën italiane “L’Avvenire’.
Flasin për ndryshimet e atmosferës në gjirin e bashkësisë së madhe katolike, pas njoftimit
amerikan për të rifilluar marrëdhëniet pas më se 50 vjetësh. Kjo marrëveshje shëron
një plagë, që helmatisi lidhjet ndërmjet Veriut të Amerikës dhe Vendeve të Amerikës
Latine, ndërmjet vetë vendeve të Amerikës Latine e në gjirin e tyre. Marrëveshje shprese,
dialog që mund t’i forcojë demokracitë, duke i dhënë fund kundërvënies. Si mund ta
quajmë sivjet festën e madhe në Kubë, përveçse Krishtlindje shpresash?
Filipine:
Krishtlindje shprese, në pritje të Papës “Mëshirë e dhimbsuri”. Kjo është motoja
e shtegtimit të Papës Françesku në Filipine, nga 15 deri më 19 janarin e ardhshëm.
Në optikën e vizitës së Papës, vendi aziatik, me shumicë katolike, e kremton Krishtlindjen
me shpresa të mëdha, pas viteve të vuajtjeve të rënda, shkaktuar nga tufani Haiyan,
ose Jolanda, si quhet në ujdhesë, që në nëntor 2013 shkaktoi më se 6 mijë të vdekur
e mijëra të humbur, e edhe nga sulmet e indipendentistëve, posaçërisht në ishullin
jugor Mindanao.
Indi: Dita e qeverisjes së mirë Në Indi 25 dhjetori,
i kremtuar në nivel kombëtar, u quajt “Dita e qeverisjes së mirë”. E shpalli vetë
qeveria, si çast në të cilin institucione, qytetarë, shoqata e besimtarë të të gjitha
feve, mund të reflektojnë e të bëjnë vërejtjet e tyre mbi “qeverisjen e mirë”, sipas
parimeve të transparencës, ndershmërisë, pasurisë së përbashkët, interesit publik,
dinjitetit e të drejtave për të gjithë. Miratimi i të krishterëve Të
krishetrët e miratuan këtë vendim të qeverisë qendrore për ta kremtuar Ditën e qeverisjes
së mirë, pikërisht në ditën e Krishtlindjes. Zgjedhja e Krishtlindjes si Ditë e qeverisjes
së mirë u bë për nderim të Krishtit, që erdhi të terë çdo lot e të krijojë një botë,
në të cilën qingji e luani rrinë pranë e pranë e fëmija luan me gjarpërinj, pa frikë
nga helmi.