2014-12-25 11:10:34

Papa u telefonon refugjatëve të Irakut: ju jeni si Jezusi


Ankawa, pranë Erbilit, në Irak. Telefonata u bë e mundur falë lidhjes me rrugë satelitare vendosur nga “TV2000”. Fjalët e Papës, përhapur nga emitentja, u përkthyen në arabisht nga një prift vendas:

“Mirëmbrëma, tha Papa, ju përshëndes ju në këtë Natë të Krishtlindjes! Mirëmbrëma juaj, që jeni gati të kremtoni Meshën e unë bashkohem me ju të gjithë në këtë kremtim. Ju përqafoj e ju uroj Krishtlindje të Shenjtë”. Ju uroj të gjithëve Krishtlindjen e Shenjtë, një Krishtlindje me Jezusin, sepse ju jeni si Jezusi natën e Lindjes së Tij: për të nuk kishte vend e ai u dëbua e iu desh të ikte në Egjipt për të shpëtuar. Ju jeni si Jezusi sonte e unë ju bekoj shumë e jam pranë jush. Mendoni se jeni si Jezusi në këtë situatë, e kjo më bën të lutem edhe më shumë për ju”.
E Papa shtoi: “Të dashur vëllezër e motra, jam pranë jush, shumë pranë, këtë natë. Pranë jush me gjithë zemër e i lutem Jezusit t’ju përkëdhelë me dhimbsurinë e Tij e Zojës, t’ju japë shumë dashuri. Jam shumë pranë jush”.
Më pas lidhja telefonike me rrugë satelitare u ndërpre e Papa vijoi dialogun me drejtuesin televiziv, në studion e TV2000 që, më pas, ia përmblodhi refugjatëve fjalët e Papës: “Afërsi e dhimbsuri; mendo se Krishtlindja është festa e afërsisë së Hyjit me ne e dhimbsuria, ajo përmes së cilës dëftohet Hyji: dhimbsuria e një Foshnjeje dhe e një Nëne. Jezusi e thotë këtë në dy fragmente të Ungjillit, ku është e gjithë jeta e krishterë: në Lumnitë, e pastaj edhe në Ungjillin e Mateut, 25: Ti shko e tako të sëmurët, të burgosurit, skamnorët, kujdesu për të vejat, për atë që nuk ka të hajë e shko e vizitoje, kujdesu për nevojtarët, që janë korpi i Krishtit. Kjo quhet dhimbsuri”.
Papa përfundoi me fjalët: “Sonte vjen Jezusi, vjen si fëmijë, i njomë, i pafajshëm. Si fëmijët, që janë mes jush, fëmijë të vdekur, fëmijë të shfrytëzuar. Të mendojmë për fëmijët: Krishti fëmijë vjen mes nesh, është dashuria e dhimbsuria e Hyjit. Zoti ju dhëntë hirin ta merrni me shumë dashuri. E mendoj edhe për gjyshat, për pleqtë, që jetuan një jetë të tërë e tani vuajnë këtë kryq. E uroj që të moshuarit të na japin ne të githëve urtinë e jetës së tyre. Në zemrën time sonte janë fëmijtë e pleqtë. E tani, ju të gjithëve, posaçërisht fëmijëve e pleqve, ju bekoj me gjithë zemër!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.