2014-12-25 12:12:21

Papa Françesku: Mesazhi i Krishtlindjes dhe bekimi Urbi et Orbi (tekst i plotë)


Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Krishtlindjen!
Jezusi, Biri i Hyjit, Shëlbues i botës, lindi për ne! Lindi në Betlehem nga një virgjër, duke përmbushur profecitë e lashta. Virgjëra quhet Mari, fati i saj, Jozef. Janë njerëz të përvuajtur, plot me shpresë në mirësinë e Hyjit, që e pranojnë Jezusin dhe e njohin. Po kështu Shpirti Shenjt i shndriti barinjtë e Betlehemit, që ngarendën tek Shpella dhe e adhuruan Foshnjën. E pastaj Shpirti Shenjt u priu pleqve, Simeonit e Anës, në tempullin e Jeruzalemit, e edhe ata njohën në Jezusin, Mesinë: “Sytë e mi panë shëlbimin tënd”- brohoret Simeoni- “shëlbimin e përgatitur nga [Hyji] përballë mbarë popujve” (Lk 2, 30).
Po, o vëllezër, Jezusi është shpëtim për çdo njeri e për çdo popull.
Atij, Shëlbuesit të botës, i lutem t’i ruajë vëllezërit e motrat e Irakut e të Sirisë, të cilët prej shumë kohe vuajnë pasojat e konfliktit në vijim e, së bashku me anëtarët e grupeve të tjera etnike e fetare, pësojnë nga persekutimi brutal. Uroj që Krishtlindja t’u sjellë shpresë, atyre e të shpërngulurve të shumtë, refugjatëve, fëmijëve, të rriturve e pleqve të Rajonit e të mbarë botës; ta shndërrojë indiferencën në afërsi e mospranimin në mikpritje, që ata të cilët sot kalojnë çaste prove të mund t’i marrin ndihmat e nevojshme humanitare për të përballuar ashpërsinë e dimrit, të rikthehen në vendet e tyre e të jetojnë me dinjitet. Uroj që Zoti t’i hapë plot besim zemrat e t’i dhurojë paqen e vet mbarë Lindjes së Mesme, duke nisur nga Toka e bekuar e lindjes së Tij e duke i mbështetur përpjekjet e atyre, që angazhohen faktikisht për dialog ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.

Jezus, Shëlbues i botës, silli sytë e tu kah ata, që vuajnë në Ukrainë e jepi kësaj toke të dashur, hirin t’i kapërcejë tensionet, ta mundë urrejtjen e dhunën dhe të rifillojë rrugën e vëllazërisë e të pajtimit.

O Krisht Shëlbues, jepi paqe Nigerisë, ku vijon të derdhet përsëri gjak e shumë njerëz shkëputen brutalisht nga të dashurit e mbahen peng, ose masakrohen. Paqe kërkoj edhe për viset e tjera të Kontinentit afrikan. Mendoj posaçërisht për Libinë, Sudanin e Jugut, Republikën Qendroafrikane dhe rajone të ndryshme të Republikës Demokratike të Kongos; e u kërkoj atyre, që kanë përgjegjësi politike, të angazhohen, përmes dialogut, për t’i kapërcyer kundërshtitë e për të ndërtuar bashkëjetsën e qëndrueshme, vëllazërore.

Jezus, shpëtoji fëmijët e panumërt, viktima të dhunës, të shndërruar në sende në duart e matrapazëve e të tregtarëve të njerëzve, ose të detyrar të shërbejnë si ushtarë; fëmijë, shumë fëmijë të shpërdoruar. Zoti i ngushëlloftë familjet e fëmijëve të mbytur në Pakistan javën e kaluar. Qoftë pranë atyre, që vuajnë nga sëmundjet, posaçërisht pranë viktimave të epidemisë së Ebolës, sidomos, në Liberi, Sierra Leone e Guine. Ndërsa falënderoj nga zemra të gjithë ata, që po përpiqen me guxim t’i ndihmojnë të sëmurët dhe familjarët e tyre, përsëris ftesën e ngutshme për t’u siguruar asistencën dhe mjekimet e nevojshme.
O Krishti Fëmijë, mendimi im shkon tek shumë fëmijë, sot të vrarë e të keqtrajtuar, si ata, që u vranë para se ta shohin dritën, të privuar nga dashuria bujare e prindërve të tyre e të varrosur nga egoizmi i një kulture, që nuk e do jetën; ashtu edhe fëmijët e shpërngulur për shkak të luftërave e të persekutimeve, të shpërdoruar e të shfrytëzuar nën sytë tanë e heshtjen tonë bashkëfajtore; e fëmijët e masakruar nën bombardimet, edhe atje, ku lindi biri i Hyjit. Edhe sot e kësaj dite heshtja e pafuqishme bërtet nën teh të shpatës së Herodëve. Mbi gjakun e tyre shquhet hija e Herodëve të sotëm.
Vërtet shumë lotë ka në këtë Krishtlindje, së bashku me lotët e Jezusit!

Të dashur vëllezër e motra, uroj që Shpirti Shenjt t’i shndrisë zemrat tona, për të pranuar, në Krishtin Fëmijë, lindur në Betlehem nga Virgjëra Mari, shëlbimin që Hyji ia dhuroi secilit prej nesh, çdo njeriu dhe mbarë popujve të tokës. Uroj që pushteti i Jezusit, që është çlirim e shërbim, të ndjehet fort në zemrat e shumta, që vuajnë nga luftërat, persekutimet, skllavëria. Që me butësinë e vet, ky pushtet hyjnor ta shlyejë ashpërsinë nga zemrat e shumë burrave e grave, zhytur në mendësinë e botës e në indiferencë, në globalizimin e indiferencës. Që forca e tij shpërblyese t’i shndërrojë armët në parmenda, shkatërrimin në krijimtari, urrejtjen në dashuri e dhimbsuri. Kështu mund të themi me gëzim: “Sytë tanë panë shpëtimin tënd!”.
Me këto medime, gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! Për shumë vjet!










All the contents on this site are copyrighted ©.