2014-12-24 13:56:50

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 24 dhjetor


Hyji më beson akoma
Ndjek dritën e Kometës me një pyetje të çiltër në shpirt: “Çka pres të gjej në Betlehem?”.
Engjëjt tashmë më tregojnë rrugën e shenjat e vendit, cak i shtegtimit tim: “Do të gjesh një ferishte, të mbështjellë në fasha”…
Është kumt që zbret nga qielli, i qartë, i pahile, i pakundërshtueshëm: po të pret Ai, që erdhi për ty, e udhën për të arritur mund ta përshkosh gjithnjë, po të vihesh në kërkim.
Ec, duke e përfytyruar, me sytë e ëmbël, krahët e hapur, duart zgjatur nga unë, me një lëvizje, që më fton të afrohem.
Ndërsa ec, e ndjej përkrah. Ndërsa e kërkoj, më paraprin. Ndërsa e pres, ma mbush të pritmen me shpresë.
Nuk e përbuz kurrë djersën time, por, duke e vlerësuar, e shndërron në lumturi. Nuk e shtyp ngulmin e mospranimit, por, në errësirë e ushqen me flakën e fesë. Nuk të pengon të ravgosh udhë pa udhë, por t’i mbush të gjitha udhët, me dëshirën për një jetë të vërtetë.
Është dashuri, që nuk i do krijesat e veta të rëndomta e të paafta për të krijuar të renë.
Vetëm pafajsia mund të ecë përkrah çdo njeriu e vetëm çarmatosja mund të pushtojë hapësira të paarritshme.
Lëshohem pa ngurrim në krahët e kësaj pritjeje.
Hyji beson në mua, përtej çdo kufiri, që më pengon të lëshohem në krahët e tij e t’i besoj.

Të bëhemi të gjithë shermendë të vërtetë, ngarkuar me veshulë, në vreshtin e Jezusit, duke e pranuar në jetët tona nën dukjen, që Atij i pëlqen:
Si jeta – që duhet jetuar;
Si drita – që duhet ndezur;
Si Dashuria - që duhet dashur;
Si Udha - që duhet përshkuar;
Si Gëzimi - që duhet dhuruar;
Si Paqja - që duhet përhapur;
Si Flijimi - që duhet ofruar
në familjet tona
e në zemër të botës sonë
Nënë Tereza








All the contents on this site are copyrighted ©.