2014-12-24 16:24:09

Atë natë Krishti lindi në helmetë…


Ritregim, frymëzuar nga një dëshmi e Angjelin Nënshatit, fotograf i mirënjohur katolik, botuar në librin e Markus Petrus “Përballjet e Kishës Katolike në Shqipëri- 1919-1996”1, Tiranë, 2010, fq 204.RealAudioMP3

Një grusht ushtarësh shkodranë, ruejshim, si për natë, shpatin malor të Graholit, në Gjinokastër, ku na kishin ngulë si të ishim ushtarë plumbi. Mbajshim gjallë njeni-tjetrin me humorin tonë të zakonshëm, që e kishim marrë me vedi prej Qytetit të gëzimit e të kangës. Ishim të gjithë shkodranë katolikë. Jetojshim një jetë tejet të vorfnueme. Sillu, pështillu. Qetësou, gatitu! Urdhno, si urdhnon! Të gjitha fjalët e tjera, të dashunat, kishin mbetë atje larg, në Shkodër. Të gjitha, veç Njenës, që na jepte zemër. Për ditë e, sidomos, për natë. Kur shpati shkrumbohej nga dielli, e edhe kur toka plasaritej nga acari. E ne na ngrinte arma në dorë.
Ishte 24 dhetor, atë natë. Dimni shkelte mbi këtë datë i veshun me peliçe të bardhë, të trashë. Tue lanë mbrapa, zemra të ngrime, në kërkim të një rrezje të ngrohtë drite. E në kërkim të saj, na, shkodranët me uniformë të blertë, që ia ruejshim Shqipnisë Gjinokastrën, si ia patën ruejtë dikur ipeshkvijtë tonë të mëdhaj, guxuem me u mbledhë, atë natë të madhe. Vendosëm të festojmë, pa mendue aspak se festa mund të përfundonte para plotonit të ekzekutimit, si spijuj të Vatikanit. U mbyllëm në një podrum. Përplot me çadra, helmeta, parrulla, ku gjithçka fliste kundër paqes. Përmbysëm një arkë armatimesh, për sofrën tonë të festës, e u ulëm me festue mbi barot. Mbi arkë, në vend të sofrabezave bardh e kuq, endë në vekët e nanave, që luteshin për ne atë natë, shtruem një parrullë, ku shkruhej; “Ujku fle, hasmi s’fle”. Na u duk se ishte shkrue shi për ne, anmiqtë e tiranisë, që atë natë ishim hasmi. E urojshim që ujkut të mos i delte gjumi. Deri në ag të kësaj nate të jashtëzakonshme Këshndellash.
Nisëm kangën, mbledhë rreth e rreth një Shpelle Betlemi tejet të rrallë: njeni prej nesh kishte me vedi një shtatore të vogël të Krishtit fëmijë, të mshehun nën uniformë. E nxori, mori një helmetë, shtroi në të pak kashtë e, Betlemi ishte gati. Në Graholin e ngrimë simjet Princi i Paqes lindte në një helmetë. Vinte për t’i kthye pallat në parmenda, në podrumin e trishtë. Nata qeshi nga gëzimi i festës, kur në të u përhap lehtë-lehtë jehona e kangëve, që i këndojshim dikur në Kishë të Madhe, në korin e Dom Mikelit. “Eja, shpejto, o i dashtuni”/ Shëlbuesi ynë e Zot/ Eja na ndez .. Na ndez...Na ndez.... Në këtë dimën-acar. Të pashpresë. Na ndez shpresën! Schola Cantorum e dom Mikelit po jepte një koncert tejet të çuditshëm e të papërsëritshëm, në shpatin e ngrimë malor të Graholit.
Nata e ftohtë u ngroh papritmas prej kangës sonë. Graholi dëgjonte për herë të parë kangën e këndueme dikur në Vjenë: “O e qeta natë/ krejt shenjte natë/ Krishti i lum / në kashtë asht ratë///...
Këndojshim secili n’e vetën, tue i ndryshue fjalët, ashtu si ia këndonte zemra. Nën za! Nën za! Nën za! Po kanga mori hov e nina-nanat përfunduen me një Christus vincit shpërthimtar. Në krahnor na fshehej frika e gjarpnit, por edhe besimi se ujkut nuk do t’i delte gjumi, derisa të vinte agimi. E çadrat, parrullat e arkat e armët nisën me këndue me ne, kangën e paqes. U dhamë shfrim lotëve. Kanga jonë ishte flakë, zjarm e copa zemre. Roje frymëmira të atyne shkambijve të rrëpimtë, gëzuem jetën e shkurtë të asaj feste, që na mori me vedi si rrjedhë gjelbërimi.
Këndojshim me sy ngulë te flaka e qirit të ndezun, nësa në zemër fikej mendimi i ditës së nesërme, shpateve të ngrime malore të Graholit.
Ishte Natë Kshndellash... Krishti fëmijë na shikonte prej helmetës e na siguronte se do të kthehej përsëri mes nesh, do të shkelte në tana trojet tona, prej Shkodre, në Shpatet e Graholit. Ferishtja e helmetës jetonte në krahët tonë, të ndrymë në podrum.
Në ag, bashkë me ne, doli prej terrinave edhe dielli. Rrezet e tij dridheshin prej gëzimi , si buzët që puthën ferishten në djepin e helmetës.
Përmallimi, ndezë flakë në krahnor, e ngrohte ditën e ngrime të 24 dhetorit në shpatet e Graholit, tue na falë Krishtlindjen ma të jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.