2014-12-23 16:06:27

Toka e Shenjtë: vizita e patriarkut Tual në Gazë


700 kristianë të Gazës morën sivjet nga Izraeli lejën për të shkuar në Betlehem e për t’i kremtuar Këshndellat në vendin ku lindi Jezusi. Po do të jenë shumë më pak ata, që do të mund të arrijnë në qytetin e Cisjordanisë, duke pasur parasysh vështirësitë e përditshme të të krishterëve të Gazës, në përfundim të një viti gjatë të cilit ndërhyrja ushtarake izraelite shkaktoi mijëra të vdekur. Njoftimin e jep, në agjencinë Fides, Patriarku latin i Jeruzalemit, Fuad Tual, i cili dje kreu një vizitë baritore në Gazë dhe kremtoi Meshën në famullinë e Familjes Shenjte.
Gaza, shëmbëllim i Krishtlindjes së vërtetë
E gjeta përsëri Kishën të bashkuar, tregon për agjencinë Fides, patriarku Fuad Tual, me besimtarët tanë, që jetojnë të bashkuar fort edhe me të krishterët ortodoksë. Në Gazë nuk gjen madhështinë e botës, as pushtetin kalimtar të tregut. Ndjehet kudo vogëlsia e ruajtur nga Zoti. Një grup i vogël shpirtrash, që jeton në rrethana të vështira e të dhimbshme, por me shpresa të mëdha në Jezusin. Është shëmbëllimi i vërtetë i Krishtlindjes.
Fëmijë, që kërkojnë shpella
Duke u nisur nga ajo, që pa në Gazë, patriarku Tual e zgjeron vështrimin në gjithë Lindjen e Mesme: “Na prek gjithnjë leximi i Ungjillit, që rrëfen sesi Maria e Jozefi nuk gjetën vend në bujtinë e iu desh të strehoheshin në një shpellë. E aty lindi Krishti. Sot, ndërmjet refugjatëve të panumërt, ka shumë fëmijë, që do të dëshironin të flinin në një shpellë, si ajo, ku lindi Shëlbuesi. Për ta do të ishte gati-gati luks!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.