2014-12-23 17:30:47

Papa të krishterëve të Lindjes së Mesme: vuaj me ju, mjaft më luftëra e dhunë!


Nuk mund të dorëzohemi përballë konflikteve në Lindjen e Mesme! Është një nga fragmentet e letrës së gjatë, që i drejtoi Françesku të krishterëve të rajonit. Papa nënvizon se shumë njerëz, posaçërisht në Irak, vuajnë nga sulmet e një organizate terroriste me përmasa, të cilat pak më përpara as që mund të përfytyroheshin. Papa thekson se duhet vijuar udha e dialogut me fetë e tjera, për të siguruar paqen, aq të dëshiruar.RealAudioMP3

Deri kur duhet të vuajë Lindja e Mesme për shkak të mungesës së paqes? Është pyetja plot ankth e dhimbje, që Françesku ia drejton vetes e mbarë botës. Pyetje, e cila bëhet edhe më dramatike në çastin aktual kur, kujton Papa, popullsitë e rajonit tronditen thellë nga sulmet e një organizate terroriste shqetësuese, që u duk në këtë skenë kohët e fundit, me përmasa të papërfytyrueshme, gati për të kryer çdo lloj shpërdorimi e praktike të padenjë për njeriun.
Terrorizëm çnjerëzor
Këta terroristë, nënvizon Papa, sulmojnë të krishterët, të cilët i dëbojnë brutalisht nga tokat e tyre. E kështu, vëren me dhimbje të thellë, për shumë nga ju edhe notat e këngëve të Krishtlindjes përzjehen me lot e psherëtima. Papa nuk i harron as grupet e tjera fetare dhe etnike, që pësojnë persekutime e vuajnë pasojat e këtyre konflikteve. I siguron të gjithë se i ndjek ditë për ditë lajmet, që flasin për një vuajtje të parrëfyeshme, me përmasa tronditëse, të njerëzve të Lindjes së Mesme. E mendimi i Atit të Shenjë shkon posaçërisht tek fëmijët, nënat, pleqtë, të shpërngulurit e refugjatët, tek ata, që vuajnë nga uria, që u duhet të përballojnë ashpërsinë e dimrit, pa strehë mbi kokë.
Do të dëshiroja të isha me ju!
Me fjalë ngushëllimi e shprese, Françesku i shpreh afërsinë e tij e të Kishës, grigjës së vogël të Lindjes së Mesme e barinjve, që e shoqërojnë “me kujdes e dashuri”. Shpresoj shumë, shkruan, se do të kem hirin të vij vetë t’ju vizitoj e t’ju ngushëlloj. E në vijim e nxit bashkësinë ndërkombëtare t’i ndihmojë të krishterët dhe pakicat e tjera, duke promovuar paqen në Lindjen e Mesme përmes bisedimeve dhe veprimtarisë diplomatike, duke u përpjekur t’i vërë pritë e ta ndalojë sa më parë dhunën, që ka shkaktuar edhe tepër dëme. Prej këndej, thekson se duhet t’i jepet fund menjëherë trafikut të armëve. Kemi nevojë për projekte paqeje, nënvizon, për një zgjidhje globale të problemeve të rajonit, pa u dorëzuar kurrë përballë konflikteve, sikur ndryshimi i situatës të ishte i pamundur.
Kurrë dhunë në emër të fesë!Gjithçka mund të ndryshojë, siguron Papa, e ndryshimi mund të mbështetet nga dialogu ndërfetar që, sa më e vështirë të jetë situata, aq më i nevojshëm është. Nuk ka rrugë tjetër! Dialogu është edhe ilaçi më i mirë kundër tundimit të fundamentalizmit fetar, kërcënim i përhershëm për besimtarët e të gjitha feve. Njëkohësisht Françesku shkruan se të krishterët e Lindjes së Mesme mund t’i ndihmojnë bashkëqytetarët myslimanë të paraqesin një figurë më të vërtetë të Islamit, ashtu si dëshirojnë shumë prej atyre, që vijojnë të pohojnë se Islami është fe e paqes. Gjithsesi, thekson Ati i Shenjtë, gjendja dramatike, në të cilën jetojnë të krishterët, yazidët dhe pakicat e tjera në Irak, kërkon të mbahet qëndrim i qartë e guximtar nga ana e të gjithë krerëve fetarë, që duhet t’i dënojnë njëzëri e pa asnjë mëdyshje këto krime, duke denocuar edhe praktikën e përdorimit të fesë për t’i përligjur.







All the contents on this site are copyrighted ©.