2014-12-22 12:56:37

Krishtlindja mister dashurie e drite.


Në Krishtlindje, Kisha na ofron Jezusin Fëmijë, mister dashurie e drite. Kisha, në Solemnitetin e Lindjes së Zotit, pa frikë, pavarësisht nga çfarëdo situate, edhe më të vështirë e të veçantë, të ofrojë Krishtin Fëmijë, sepse forca e saj është misteri i dashurisë e i dritës së Foshnjës Hyjnore të Betlehemit, të cilin dëshiron t’ia dhurojë çdo njeriu e mbarë botës. Drita, që përhapet nga Shpella e Betlehemit, vend ku Hyji gjeti strehimin e parë në historinë e njerëzimit, vezullon përmbi ne. E Bibla dhe Liturgjia Shenjte e kësaj feste nuk bëjnë fjalë për dritë natyrore, por për një Dritë tjetër, të veçantë, e cila i lëshon rrezet e veta nga Qielli drejt ‘nesh’, sepse pikërisht ‘për ne’ ‘lindi’ Foshnja Hyjnore e Betlehemit. E kur themi ‘ne’, kemi parasysh familjen e madhe universale të njerëzimit dhe Kishën, besimtarët në Krishtin, që presin me shpresë lindjen e re të Shëlbuesit. Në fillim, siç rrëfejnë ungjijtë, rreth grazhdit të Betlehemit, fjala ‘ne’ ishte pothuajse e padukshme për sytë e njerëzve. Përveç Marisë e Jozefit, ishin vetëm pak barinj të përvujtë, të cilët arritën tek Shpella të lajmëruar nga Engjëjt.
Drita e Krishtlindjes së parë qe si një zjarr i ndezur në natë. Gjithçka përreth ishte e zhytur në errësirë, ndërsa në Shpellë vezullonte drita e vërtetë, që shndrit çdo njeri (Gjn 1,9). E pra gjithçka ndodh në thjeshtësi e fshehtësi, sipas stilit me të cilin vepron Zoti në të gjithë historinë e shëlbimit. Zotit i pëlqen të ndezë drita të kufizuara, për të ndriçuar, pastaj, hapësirat e pafundme.
E Vërteta, ashtu si Dashuria ndizen e shpërthen atje, ku drita pranohet. E përhapet, pastaj, me rrathë koncentrikë, në zemrat e në mendjet e atyre që, duke i hapur lirisht udhën shkëlqimit të saj, bëhen edhe vetë burim drite. Kjo është historia e Kishës, që nis shtegtimin pikërisht nga ngjarja e Mishërimit të Hyjit, nga Shpella e varfër e Betlehemit e, në rrjedhë shekujsh, bëhet Popull e burim drite për njerëzimin, edhe në situata të vështira, që shkaktohen nga kufizimet e mëkatet e njerëzimit. Kisha, ashtu si Virgjëra Mari, i ofron njerëzimit Jezusin, Birin Hyjnor, që ajo vetë e mori si dhuratë e që erdhi ta shpëtojë njeriun nga skllavëria e mëkatit.
Ashtu si Maria, Kisha nuk ka frikë, sepse ky Fëmijë është forca e saj. Por ajo nuk e mban vetëm për vete: ua dhuron të gjithë atyre njerëzve, që e kërkojnë me zemër të sinqertë: të përvuajturve të tokës e të pikëlluarve, viktimave të dhunës e të gjithë atyre që kanë etje për paqe e për dashuri. Edhe sot, për familjen njerëzore, të tronditur thellë nga kriza ekonomike, e më parë, nga ajo morale, si dhe nga plagët e dhimbshme të luftërave e të konflikteve, me stilin e ndarjes së përbashkët e të besnikërisë ndaj njeriut, Kisha përsërit, njëzëri me barinjtë: “Të shkojmë në Betlehemit! (Lk 2,15), e atje do të gjejmë shpresën tonë”.
Kisha na fton të gjithëve të shpresojmë në Zotin e Mishëruar, pavarësisht nga dramat, provat dhe vështirësitë, që vijojnë të na trondisin ende sot. Krishtlindja na nxit të gjithëve të ngrihemi mbi mendësitë egoiste, të punojmë për të mirën e përbashkët e të respektojmë njerëzit më të ligshtë, duke filluar nga ata që presin ndihmën e dashurinë tonë, sipas porosinë së Emanuelit – Zotit me ne .







All the contents on this site are copyrighted ©.