Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 23 dhjetor
Nuk është kurrë tepër vonë Kalojnë ditët, kalojnë… Po si? Kujtimi i
tyre është dhuratë e tundim. Tundohemi t’i lëmë të hapura portat e kujtesës, për
t’i gjykuar çastet e vështira që kemi jetuar, rrëzimet, dështimet e për ta vlerësuar
vetveten. Punë fort e rëndë e shpesh e paarsyeshme. Tundohemi, por edhe presim
me krahë hapur dhantinë e ndjesës, të përtëritjes, të besimit, të mundësisë për të
shtuar gjithnjë faqet të reja në librin e jetës. Faqe të reja, të paprekura presin
ditët që do të vijnë, ngarkuar me gëzime e shqetësime. Ditë të pajetuara ende, që
nuk e dimë ku do të na çojnë, si do të lindin e si do të perëndojnë. Por një gjë
e dimë me siguri: nuk është kurrë vonë për të rifilluar nga e para, për të pritur
plot shpresë bekime të reja e për t’i ndarë edhe me të tjerët. Nëse dështuam, mund
të nxjerrim mësime për një fillesë të re. E nëse galduam, ta rrezatojmë dritën e galdimit
mbi skutat e errëta të botës. T’i ndjekim ditët që do të vijnë njëra pas tjetrës me
besim e qëndresë. Ditët, të mira a të vështira, na ndihmojnë të fitojmë sigurinë
të cilën, pastaj, mund t’ua dhurojmë edhe të tjerëve. Çdo ngjarje ka në vetvete
një mundësi, që e mban gjallë përgjegjësinë tonë. E edhe dëshirën për t’i parë me
sy të ri vitin, që kaloi e atë, që po e presim. Duam t’i shikojmë të dy me syrin
e Jezusit! Zoti, që than lotët në sytë tanë. Që shuan ngashërimin. Që na lëshon në
dorë, veprat e dorës së Tij. Male, pyje, lumenj , fshtara, qytete milionshe rrinë
zgjuar e presin të ndrisë mes tyre drita e syrit të Shëlbuesit.
“E
mirë, unë po ju them: ‘Lypni e do t’ju jepet, kërkoni, e do të gjeni; troklloni, e
do t’ju çelet. Sepse kush lyp, xjerr, kush kërkon, gjen; e atij që trokllon,
i hapet porta. Cili baba ndërmjet jush, po t’i lypë djali një peshk, i jep
një gjarpër në vend të peshkut? Ose i lyp një vezë, e ai i jep një akrep? Nëse,
pra, ju, duke qenë të këqinj, dini t’u jepni sende të mira bijve tuaj, aq e më tepër
Ati juaj qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre, që ia lypin!”. Luka,
11, 9, 13