2014-12-21 12:29:29

Papa Françesku priti Bashkësinë “Papa Gjoni XXIII”


Të shunën, në orën 12.00, në Sallën Pali VI, Papa Françesku priti anëtarët e Bashkësisë “Papa Gjoni XXIII”, themeluar nga don Oreste Benzi. Të pranishëm, mëse 7.500 vetë, prej të cilëve 200 ishin fëmijë e të rritur në karrocë, pra me të meta fizike. Të shumtë, të moshuarit, ndërsa fëmijët e të rinjtë deri në moshën 18 vjeç arrinin shifrën 1.800 vetë. Bashkësia shoqërohej nga 18 ipeshkvij e kardinaj.
Pjesëmarrësit në takimin me Atin e Shenjtë mbërritën në Vatikan që në orën 9.00 të mëngjesit. Fillimisht ata dëshmuan për jetën e tyre e për ndihmën që kanë marrë prej shoqatës, e cila strehon në shtëpitë e saj ish-prostituta, të larguara nga rruga, romë, të moshuar e nëna në vështirësi, të varfër e të mitur nga çdo shtresë e nga çdo vend, me një veprimtari të jashtëzakonshme ndërhyrjesh shoqërore e misionare. U dha edhe një shfaqje e shkurtër teatrale prej 10 minutash e në program, u alternuan këngë të kënduara nga kori i Bashkësisë, shoqëruar nga katër muzikantë.
Në mesditë, takimi me Papën Françesku, i cili dëgjoi edhe dëshmitë e një ish-prostitute dhe të një familjeje rom, ndihmuar nga Bashkësia e don Benzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.