Krishtlindja – festa e lindjes se Zotit tonë, Jezu Krishtit.
Krishtlindja është festa e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit. Kremtohet me 25 dhjetor. Emri
i festës vjen nga gjuha latine: “Natale” ose “Natalis Domini”, që do të thotë “Lindja”
ose “ Lindja e Zotit”. Prej këndej rrjedhin të gjitha emërtimet që iu dhanë festës
në gjuhët neolatine. Në traditën apostolike nuk kemi të dhëna të sakta për ditën
kur lindi Jezusi. Kremtimet e para liturgjike, për të cilat bën fjalë tradita apostolike,
janë ato të Pashkëve e të Rrëshajëve. Sipas “ Liber Pontificalis” ( I, fq.129 ) duhet
të ketë qenë Papa Telesfori ai që kremtoi per herë te parë Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes. Ndonëse
tradita nuk e ka te qartë datën e saktë të Lindjes së Krishtit, në ndryshim nga Pashkët,
Krishtlindja kremtohet në të njëjtën datë: më 25 dhjetor. Për herë të parë festa nisi
të kremtohej në Romë. Pas Romës, duke filluar nga Armenia e duke vazhduar në Afrikë,
Gali, Mesopotami, Kostandinopojë - Krishtlindja u bë një nga festat më të mëdha e
më të bukura botërore. Rreth vitit 350 pas Krishtit tashmë kremtohej në të gjithë
botën e krishterë. Nuk është diçka e rastit që ky kremtim përputhet me solsticin
dimëror “Natalis Solis Invicti”, që dikur ishte festa më e madhe pagane. Kështu kulti
i diellit që e shikojnë sytë tanë, shndërrohej në kultin e një drite më të shkëlqyer,
me një kuptim shumë më të thellë shpirtëror: Hyjnia e Krishtit i zbulohet barinjve
përmes një drite të mbinatyrshme; një yll i ndritshëm udhëheq Mbretërit Dijetarë,
drita pushton zemrat duke i mbushur me gëzim dhe i shtyn barinjtë të nisen udhës së
Betlehemit. Në Shqipëri Kërshëndella zevendësoi të kremten e lashtë pagane të Natës
së Buzmit. Krishtlindja - është festa e gëzimit, e ngrohtësisë, e dritës. Në Ungjill,
që është shkruar rreth 70 vjet pas lindjes së Krishtit, tregimi mbi lindjen e Jezusit
është i thjeshtë, i treguar me pak fjalë. Por më vonë u krijuan shumë gojëdhëna prekëse
për Foshnjen e grazhdit e për Nënën e tij Hyjnore. E shumë më vonë lindi edhe Betlehemi
i parë. Idenë për të përsëritur skenën e lindjes së Krishtit e pati Shën Françesku
me 1223 në Greçio (Asizi). Piktori i shquar italian Gjoto e përjetësoi këtë ngjarje
në një nga afresket e tij, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Asizi. Ishte gati si
një shfaqje që përsëriste çdo vit ngjarjen e madhe. Shfaqja fillonte me një kor engjëjsh,
vazhdonte me këngët e vallet e barinjve. Prej këndej e kanë zanafillen këngët e panumërta
popullore të Krishtlindjes në letërsinë botërore e në atë shqiptare, që do të na shoqërojnë
udhës së Betelehemit e prej këndej, edhe veprat dramatike kushtuar festës. Në gjysëm
errësirën e Kishës, pranë Shpelles së Betlehemit që ndriçohet vetëm nga qirinjtë e
nga dritëzat, të cilat ndizen e shuhen, fëmijët sodisin të mahnitur Foshnjen Hyjnore
e këndojnë këngët e së kremtes ose recitojnë vargje kushtuar Birit të Zotit, që lind
në një grazhd, mbi kashtë, që vjen të na sjellë gëzimin, paqen!