2014-12-19 13:41:45

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 19 dhjetor


Gëzimi, i mundshëm RealAudioMP3 Mungojnë vetëm gjashtë ditë, për të arritur tek Krishtlindja. Mendojmë për festën e në shpirt na jehon një fjalë: “Gëzim”.
Betlehemi ngjall shpresa të reja në shpirt, e Krishtlindja, në prag, është pritje e ditës, që na mbush me gëzim. Me lumturi.
Pra qenka e mundur ta gjesh lumturinë?
Pyetja duket se del nga zemra e të gjithëve, në çdo kohë, në çdo vend. E bën mbarë njerëzimi, në rrjedhë shekujsh.
Disa e mbyllin këtë pyetje në heshtjen e shpirtrave të tyre, të tjerë, kërkojnë mënyra nga më të ndryshmet për të gjetur gjegjen, e, sidomos, për ta jetuar lumturinë, për ta përjetësuar. Me çdo kusht. Për të gëzuar jo një çast të vetëm lumturie, por lumturinë e përjetshme.
Mendoj se lumturia lind nga ekulibri. Njeriu i lumtur mund të krahasohet me foshnjën në krahët e nënës. Etja e tij për lumturi i ngjet mallit, që ngjallet nga kujtimi i kohës së artë, kur përkundej, krejt i çkujdesur, në prehërin e ngrohtë.
Përtej çdo lloj shpjegimi të kësaj natyre, për fenë, vendi ku gjindet lumturia e vërtetë, e plotë, është jeta mbitokësore. Një jetë tjetër, shumë më e mirë. Larg ëndrrash të përlyera prej djerse e gjaku. Vendtakim i dëshiruar e i shpresuar me Atë, që është fillimi e mbarimi i të gjitha jetëve. Lumturia e vërtetë është pasojë e pranimit, mirëpritjes, shkrirjes së plotë të krijesës me Krijuesin, pa asnjë kusht, pa asnjë pengesë.
Gjithsesi besimi në amshimin, që na pret, ndikon fuqimisht mbi gjithë jetën tonë, duke na dhuruar vazhdimisht iskra lumturie, deri te lumturia e pambaruar.
Iskër lumturie është mirëpritja dashamire e tjetrit. Pavarësisht nga çdo papërsosuri, na zgjon në shpirt ndjesinë e ekulibrit të brendshëm, të paqes. Është shenjë e së ardhmes. E logjikës së dashurisë që, e jetuar në të sotmen, e përshpejton dhe e realizon lumturinë e nesërme. Prej zgjimit, në zgjim!
Me rrahje zemre milionash, në kërkim të një Emri, ecim drejt Betlehemit. Shkojmë për të takuar Foshnjën, nga e cila buron paqja e lumturia! E përfytyrojmë mbi grazhd: në ligështinë e brishtësinë e Krishtit Fëmijë të gjithë mund të njëjtësohemi e të këndojmë njëzëri “Gloria”, himn i lumturisë, që nuk e humb kurrë melodinë galduese.

Sikurse Ati më deshi mua, ashtu edhe unë ju desha ju. Qëndroni në dashurinë time. Nëse do t’i mbani urdhërimet e mia, do të mbeteni në dashurinë time, ashtu si unë i mbajta urdhërimet e Atit e jam në dashurinë e Tij. Jua thashë këtë, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë”
Ungjilli i Shenjtë sipas Gjonit (Gjn 15. 9-11)







All the contents on this site are copyrighted ©.