2014-12-19 13:41:22

Festa e dritave dhe e ngjyrave, sot, në Sheshin e Shën Pjetrit


Në prag të Festave të mëdha: Krishtlindjes dhe Vitit e Ri 2015, Sheshi i Shën Pjetrit jetoi sonte çaste prekëse: kremtoi festën e dritave e të ngjyrave. Festa nisi në orën 16.30 me përurimin e Shpellës së Betlehemit e të Bredhit të Vitit të Ri. Dritave të ndezura nën Obeliskun madhështor, dalëngadalë iu shtua edhe një ndriçim tjetër, nga më modernit: ai i Kupolës, që zevëndëson ndriçimin e mëparshëm. Monumenti më madhështor i krishtërimit sonte u vesh me një petk të ri drite, që e nxjerr edhe më në pah bukurinë e tij të pakrahasueshme.RealAudioMP3

Bredhi 2015
Skenë vezulluese, rreth Obeliskut, në të cilën shkrihen në harmoni formash e ngjyrash Bredhi e Betlehemi. Bredhi i bardhë, me 25,5 metra gjatësi, 55 centimetra diametër e peshë 80 kuintal, bëri një udhë të gjatë, nga pylli kalabrez i Passo dell’Abate, në Sheshin e Shën Pjetrit. Udhëtoi një herë me helikopter, më pas me tir. Zbriti, kështu, nga pylli, që vesh një mal me lartësi një mijë metra, në një kodër, ku arriti më 4 dhjetor, për t’u ngarkuar, pastaj, me xhinglat e shndritshme tradicionale e dritat, që u ndezën sonte, në festën e dritave e të ngjyrave, në Vatikan.
Ka një veçanti: trungu kryesor është i ngjitur me një trung binjak. Sivjet në Sheshin e Shën Pjetrit lartohet, për herë të parë, një bredh me dy trungje, të bashkuar në një të vetëm.
Atmosferë e vërtetë Krishtlindjeje, në pritje të Zotit: të duket sikur mbi Shpellën e Betlehemit kalon Kometa, që dymijë vjet më parë u pati ndriçuar udhën barinjve e Tre Mbretërve Dijetarë. Sot na e ndriçon ne, njerëz të shekullit XXI, që shpesh e humbasim udhën e kemi nevojë për dritë, më shumë se kurrë.

Shpella e Betlehemit
Stolia tjetër, zemër e festës, që nuk mungon në Sheshin e Shën Pjetrit që nga fillimi i papnisë së Gjon Palit II, është Betlehemi. Sivjet titullohet “Shpella e Betlehemit në Opera”, dhuratë e fondacionit Arena di Verona, në bashkëpunim me dioqezën venete. Titull i çuditshëm, ky i sivjetmi. I lidhur ngushtë me muzikën lirike italiane, sepse i frymëzuar nga skenografia e operas së Gaetano Donizetti-t “Elikziri i Dashurisë”, opera e fundit e Sancarloopera festival, ngjarje ndërkombëtare në Teatrin San Carlo të Napolit. E krijoi skenografi Francesco Canessa në vitin 2003 për Filarmoninë e Veronës. Pikërisht që këtu nis titulli i Shpellës së sivjetme të Betlehemit në Vatikan. Sjell nga skena Arena e Veronës e nga Teatri napolitan i San Karlos, në skenën mahnitëse të Sheshit të Shën Pjetrit, skenografinë e një Betlehemi napolitan të shtatëqindës, në mjediset e së cilës u luajt opera e Donizzeti-t. Në një mjedis tipik të atij shekulli, me sipërfaqe 24 metra, 12 gjerësi e 18 lartësi, janë vendosur 20 shtatore terrakote, me madhësi natyrore, që mund të soditen edhe nga larg. Janë veshur me rroba realizuar nga materiale, që u bëjnë ballë tekave të kohës dimërore. Më të djathtë, grazhdi, që sivjet nuk vendoset në një shpellë, por në katin përdhes të një banese të lashtë, tejet të varfër, që gjithsesi i ngjet shumë shpellës.
Një kuintë, mbi të cilën janë pikturuar “Engjëjt muzikantë”, sipas veprës së Giovanni Battista Gaulli-t e plotëson kuadrin, duke e rrethuar Shpellën nga tri anët e duke e bërë, kështu, edhe më të prekshëm emocionin e kësaj skene, prej nga vërshojnë tingujt e këngëve më të njohura të Krishtlindjes.

Dritë, gjithë vitin, e gjithë jetën!
Nisi sot, në Vatikan, Festa e dritave dhe e ngjyrave, për të ndriçuar gjatë, deri në festën, që mbyll të gjitha festat e dimrit, atë të Dëftimit të Zotit, e shumë më përtej. Sepse, edhe kur të shuhen dritat e Bredhit e të Shpellës së Betlehemit 2015, Sheshi do të vijojë të vezullojë nga sistemi i ri i ndriçimit të Kupolës, që të fton për lutje e kundrim.







All the contents on this site are copyrighted ©.