Suksesi i hapave të vegjël. Papa, të gjithë të kënaqur për afrimin e dy popujve
të SHBA-së e Kubës
Gëzimi i Papës për vendimin historik të Qeverive të SHBA-së e Kubës për vendosjen
e marrëdhënieve diplomatike. Selia e Shenjt vazhdon të sigurojë mbështetjen e saj
për të favorizuar nismat e dialogut ndërmjet dy Kombeve. “Sot të gjithë
jemi të kënaqur, sepse pamës e si dy popuj, që ishin larguar që prej shumë vitesh,
dje kanë bërë hapin e afrimit”. Papa Françesku shpreh kështu kënaqësinë e tij për
rihapjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-së e Kubës, gjatë audiencës me
ambasadorë të ri pranë Selisë së Shenjtë, mbajtur sot në sallën Klementina në Pallatin
Apostolik në Vatikan me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale. Duke ju uruar
të gjithëve “punë të mbarë e të frytshme” Ati i Shenjtë Françesku kujtoi se “puna
e ambasadorit është punë e hapave të vegjël, të gjërave të vogla, por që përfundojnë
përherë për të pajtuar, për të afruar zemrat e popujve, për të mbjell vëllazërimin
ndërmjet popujve”. “E kjo është puna juaj, por me gjëra të vogla, shumë të vogla”.
Papa Françesku e lëvdoi veprën të “çuar përpara nga diplomacia” dhe nënvizoi: “Diplomacia
është punë fisnike, shumë fisnike!”. Në sallën Klementina në Vatikan Papa Françesku
priti sot ambasadorët e ri të: Mongolisë, Bahamës, Republikës Dominikane, Tanzanisë,
Danimarkës, Malajzisë, Ruandës, Finlandës Zelandës së Re, Malit, Togos, Bangladeshit
e Katarit. Këtyre Papa u dha “një mirëseardhje të përzemërt” duke ju uruar atyre që
“çdo herë që – tha Ati i Shenjtë Françesku – ju hyni në këtë shtëpi të ndjeheni si
në shtëpinë tuaj. Keni tërë mikpritjen tonë e respektin tonë për ju e për popujt tuaj
dhe për krerët e qeverive tuaja. Ju përshëndes të gjithëve e ju urojë punë të frytshme,
punë të mbarë”.