2014-12-18 12:38:19

Papa: Zoti e bën historinë me ne dhe na ndreq kur gabojmë


T’i besojmë Zotit edhe në çastet e errta, pavarësisht se nuk e kuptojmë ç’po bën me ne: të jemi të sigurtë se Ai gjithnjë na shëlbon. Kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, ku mori pjesë edhe një grup besimtarësh katolikë shqiptarë të Romës. RealAudioMP3
Zoti, nënvizoi Ati i Shenjtë, deshi të na shpëtojë përmes historisë, prandaj shëlbimi ynë nuk është i menduar në laborator, por ndodh në histori, sepse Hyji ka ecur dhe ecën së bashku me Popullin e vet:
“E kështu, hap pas hapi, bëhet historia. Zoti bën histori, edhe ne bëjmë histori; e kur ne gabojmë, Zoti e ndreq historinë e na shtyn përpara, përpara, gjithnjë duke ecur me ne. Nëse nuk e kemi të qartë këtë, nuk do ta kuptojmë kurrë Krishtlindjen! Nuk do ta kuptojmë kurrë mishërimin e Fjalës! Kurrë! Është gjithë historia në ecje. ‘O Atë, a mbaroi kjo historia e Krishtlindjes?’; ‘Jo! Edhe tani, Zoti na shëlbon në histori. Ecën me popullin e vet’”.
Në këtë histori, vazhdoi Papa Françesku, kemi të zgjedhurit e Hyjit, ata njerëz, që Ai i zgjedh për ta ndihmuar popullin të ecë përpara. Janë Abrahami, Moisiu, Elia. Ndoshta, këta njerëz do të kishin dashur të mos trazoheshin, por Zoti i shkund nga apatia. Shpesh na bën të ecim udhëve, që nuk i duam. Aq është e vërtetë, sa Moisiu dhe Elia kalojnë një çast të vështirë, që do të donin edhe të vdisnin, por pastaj, e lënë veten në dorën e Hyjit.
Edhe Ungjilli i sotëm, kujtoi Ati i Shenjtë, flet për një çast të vështirë në historinë e shëlbimit. Jozefi zbulon se e fejuara e tij është shtatzënë e vuan shumë, sepse nga njëra anë dyshon, nga ana tjetër, nëse e akuzon, të vetët do ta vrasin me gurë. Për një gjë është i sigurtë: “Maria nuk është grua e pabesë”. Në këto çaste, shpjegoi Papa, të zgjedhurit e Zotit e marrin mbi vete problemin, edhe pse nuk kuptojnë. E aty, Zoti ndërhyn, kur njerëzit e lëshojnë veten në dorën e Tij:
“Kështu bën Jozefi, njeriu që në çastin më të keq të jetës së tij, në çastin më të errët, e merr problemin mbi vete. Akuzon vetveten në sytë e të tjerëve për ta mbuluar nusen e vet. Ndoshta, ndonjë psikanalist do të thoshte se ky gjumë është ankthi vetë, që kërkon një rrugëdalje… por le të thonë ç’të duan. Çfarë bëri Jozefi? Pas u zgjua, e mori me vete nusen e vet. ‘Nuk kuptoj asgjë, por Zoti më ka thënë kështu e ky do të jetë si djali im!’”.
Zoti i vë në provë të zgjedhurit e vet, theksoi Papa. Por në fund, i shpëton. Duhet ta kujtojmë këtë në çastet e vështira, në sëmundje… Historia nuk ka filluar e nuk do të përfundojë me ne. Ta lemë veten në duart e Zotit. Çfarë na mësojnë pra, të zgjedhurit e Hyjit, pyeti Papa:
“Se Zoti ecën me ne, se Hyji bën historinë, se Zoti na vë në provë e se Zoti na shpëton nga çastet më të këqia, sepse është Ati ynë. E sipas shën Palit, është babai ynë. Dhashtë Zoti ta kuptojmë këtë mister të ecjes së Tij me popullin e vet në histori, të vënies në provë të të zgjedhurve të vet dhe të madhështisë së zemrës së të zgjedhurve të vet, që marrin mbi vete dhimbjet, problemet, mëkatet – të mendojmë për Jezusin – për të bërë historinë të ecë përpara”.







All the contents on this site are copyrighted ©.