2014-12-17 15:31:14

Pakistan, tmerr në botë: 132 fëmijë vriten nga talebanët


Pakistani u zgjua sot me tmerr, pas masakrës së shëmtuar të ditës së djeshme, ku gjetën vdekjen 148 vetë, ndër të cilët 132 fëmijë, shumica nën 15 vjeç. 124, të plagosurit, ndër të cilët 121, fare të rinj. Sulmi i talebanëve dhe mbajtja peng e fëmijëve të shkollës, ku i çojnë bijtë ushtarakët pakistanezë të Peshauarit, zgjati shtatë orë e përfundoi me vrasjen e gjashtë terroristëve.
Pakistani përjetoi 11 shtatorin e vet. Gazetat e quajnë ngjarjen e djeshme, sulm kundër së ardhmes së vendit, kundër bijve e bijave të tij të rinj. Sot është e para e tri ditëve të zisë, shpallur nga Islamabadi për të nderuar kujtimin e viktimave të atentatit më të përgjakshëm e brutal, që ka përjetuar ndonjëherë vendi. Edhe Afganistani, nga ku vijnë talebanët, e quajti aktin, “kundër Islamit”. E megjithatë, nga shtabi i përgjithshëm i talebanëve ngrihet një kërcënim edhe më i madh: ç’ndodhi është vetëm një e njëmijta e planeve, që kanë ndërmend terroristët, të cilët punojnë me strategjinë “edhe ata (ushtarakët) duhet të ndjejnë të njëjtën gjendje shpirtërore si familjet tona”. Fjala është për operacionet ushtarake kundër talebanëve në veri të Uaziristanit dhe të humbjeve, që kanë shkaktuar ato në gjirin e talebanëve. Atentati qe përgjigjja e terroristëve e preku pikërisht fëmijët e ushtarakëve.
Kisha Katolike ka organizuar mbrëmje lutjesh në gjithë Pakistanin dhe bën ftesë për bashkim. “E vetmja rrugë, e vetmja përgjigje e mundshme ndaj masakrës së tmerrshme të Peshauarit është rizbulimi i unitetit të vendit; është rizbulimi i asaj bërthame humaniteti e bashkëjetese, e cila shërben si themel i kombit; është mesazhi i fuqishëm i bashkimit kundër dhunës e terrorizmit, që duhet të niset jo vetëm nga qeveria, por nga zemra e çdo qytetari pakistanez”: kjo ishte deklarata e drejtorit ekzekutiv të Komisionit “Drejtësi e Paqe” të ipeshkvijve të Pakistanit, Cecil Shane Chaudhry. Ndërkaq, ne ia drejtuam mikrofonin kreut të Aleancës për Pakicat Pakistaneze, Paul Bhatti:
Është tmerr. Të thuash se të bën ta ndjesh veten keq, është pak. Është diçka e pakonceptueshme, kundër çdo mësimi fetar, kundër çdo ideologjie njerëzore. Do të doja që shteti pakistanez, në veçanti qeveria aktuale, të marrë masa serioze për ta çrrënjosur këtë lloj dhune, e cila nuk është vetëm kundër Pakistanit, por kundër mbarë botës, kundër njerëzimit.
Sipas jush, ç’mund të bëjë më tepër qeveria? Duhet të ndryshojë strategji?
Terroristët ishin gjashtë, jashtëzakonisht të përgatitur e kjo nuk haset vetëm në veri të Pakistanit, por në të gjithë vendin. E ky është fryti i atyre shkollave të fshehura, në të cilat u bëhet fëmijëve lavazhi i trurit, në mënyrë që ata të jetojnë, të vrasin e të vdesin në emër të ideologjisë së terrorizmit. Deri tani, nuk kemi parë hapa konkrete nga ana e qeverisë. Ajo duhet të angazhohet në identifikimin e këtyre shkollave e në çrrënjosjen e kësaj ideologjie; duhet të identifikojë fëmijët, të cilët, të parët, janë viktima të saj. Por këtë s’e ka bërë askush. Gjithnjë dënojnë, por duhet identifikuar baza e kësaj urrejtjeje, e kësaj dhune, e cila, sipas meje, fillon në institucionet, ku rriten fëmijët, që më pas, kthehen në terroristë. Para këtij sulmi, kaq të shëmtuar, kërkohet edhe angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare, me hapa konkrete, me strategji me afat të gjatë e të mesëm. Përndryshe, nuk do të dalim kurrë nga kjo gjendje.








All the contents on this site are copyrighted ©.