2014-12-17 14:36:53

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes. Meditime për çdo ditë: 17 dhjetor


Të qash e të gjesh paqe
Kureshtja për të zbuluar kuptimin e fjalës “me qa”, më shtyn ta kërkoj e ta gjej në gjuhë të lashta e të reja. Vërej se ka një kuptim, që përkon me veprimin e goditjes.
E foljet “me qa” e “me goditë” i ngjasin shumë edhe foljes “me jetue”. Nëse ndokush “të godet” në ndonjë farë mënyre, nuk mungon kurrë reagimi. E loti.
Shpesh herë loti në sy shikohet si shenjë ligështie, simbol i njerëzve të paforcë, të ligshtë, të paaftë për ta përballuar gjakftohtësisht goditjen.
Kuptimi popullor i lotit e përjashton forcën e kësaj përvoje, që në fund të fundit e provojmë të gjithë.
Lotët e vërtetë, ata që gurrojnë nga ndjenja të thella, i shikojmë vetëm në sytë e atyre, që dinë të zbresin në thellësi të shpirtit, të vet e të të tjerëve.
Lotët mund të degrojnë nga gëzimi, nga hidhërimi, nga dhimbja. Por gjithnjë flasin për distancë ndërmjet dy ngjarjeve, që jetohet si e papritur.
Në gëzim, distancë ndërmjet asaj, që na habit, sepse e beftë, e asaj, që dëshironim të ndodhte.
Në dhimbje, distancë ndërmjet një dashurie të madhe e mungesës a dështimit të saj.
Edhe Jezusi qan. Nuk është dëshpërim, ky i Zotit. Kur populli nuk e pranon dhuratën e shpëtimit, Jezusi qan për verbërinë e Jeruzalemit, për zemrën e tij të gurtë, për vrazhdësinë, përballë së resë. Janë lot, që e shtyjnë të dhurojë gjithë vetveten, të mundohet e të ringjallet.
Por edhe kur vdes Lazri, loti i Zotit bëhet burim i ringjalljes.
Gjithçka na kujton dashurinë e plotë, pa kushte.
Vetëm kush do, di të qajë për dhuratën, që i vjen papritur, për mungesën e asaj, që deshi ose për tradhtinë e pamerituar.
Është thellësisht dramatike të kesh zemër të thatë, si rëra e shkretëtirës. Tragjike, të mbyllesh në vetvete. Të jesh njeri, që s’di ç’është loti i gëzimit a i dhimbjes. Që e kyç lotin në skutat e panjohura të shpirtit.
Shkolla e mëshirës mund të na çojë në atë udhë, ku mund ta masim largësinë ndërmjet realitetit e pritjes së dashurisë.

“Hapi sytë tanë, o Zot, që të mund t’i shohim vëllezërit e motrat. Na i hap veshët, Zot, për të mundur të dëgjojmë britmën e atij, që ka uri, ftohtë, frikë, atij, që është i shtypur. Hape zemrën tonë, Zot, që të mësojmë ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na do Ti! Na e jep përsëri Shpirtin tënd, Zot, që të bëhemi një zemër e vetme e një shpirt i vetëm, në emrin Tënd! Amen”.
(Nënë Tereza e Kalkutës).
Për Shën Agostinin, “Lotët janë gjaku i zemrës”.
Për shkrimtarë të tjerë:
Nga çdo kujdes buron ujë i kripur: djersë e lot!
Vlerën e lotit e njeh vetëm ai, që e ka ndjerë duke u nisur nga zemra.
Mëso nga retë të mos i mbash lotët.
Dhimbja pa lotë, është si dimri pa reshje.
Kripa duhet të ketë diçka të shenjtë, që kur gjindet në lot e në det.Në çdo lot vezullon një shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.