2014-12-16 12:34:46

Koha e Ardhjes, kohë e pritjes, e përtëritjes, meditime për çdo ditë: 16 dhjetor


Si ta vlerësojmë trupin
Betlehem do të thotë “shtëpia e bukës”.
Fjala na kujton diçka shumë të çmuar, bukën e përditshme, që na e mban trupin gjallë.
E mendja na shkon tek trupi.
Kurrë ndonjëherë, si sot, trupit nuk i është kushtuar vëmendje kaq e madhe.
I vlerësuar a i shfrytëzuar, i lartuar a i poshtëruar, sot është në qendër të vëmendjes në shumë fusha të dijes e të jetës.
Si u la mënjanë një farë mosbesimi, që i shtynte njerëzit ta shikonin si vegël në dorë të djallit e si pengesë për të ecur në rrugën e virtyteve më të kulluara e më të larta, lindi prirja për ta vlerësuar më shumë e për ta pranuar si mjet i çmuar, krijim i përsosur, pasuri, që duhet ruajtur me kujdes.
Arrijmë, kështu, të njëjtësohemi me trupin, a me korpin tonë: të mos themi më se kemi korp, por se “jemi korp”. Korp, që na kujton ngrohtësinë e frymës.
Rivlerësim dinjitoz: e shpreh, në gjithë thellësinë e vet, aktin krijues, me të cilin njeriu u mendua e u dëshirua si një e tërë: me trup, mendje, zemër, shpirt.
Ta falënderojmë, prandaj sot Zotin, për trupin tonë: është dhuratë e Tij, e mrekullueshme, e jashtëzakonshme.
E të kujdesemi për të, me mirënjohje të thellë.
E kjo na kujton se jo gjithnjë e trajtojmë me respektin e duhur. Shpesh e shikojmë si të mos ishte vetvetja: e lodhim tepër. E mundojmë. E çrregullojmë. E përdorim dhe e shikojmë si send, si të mos na përkiste. E, si të ishte i detyruar t’i nështrohej tekave tona, arrijmë deri atje, sa ta shfrytëzojmë. Madje edhe ta keqtrajtojmë deri në shpërdorim.
Mendoj se kur marr frymë, jetoj; kur ushqehem, fitoj energji, që digjet pa flakë; kur ec, zbuloj gjallëri, e kur e respektoj trupin, rizbuloj edhe dinjitetin tim.

“Hyji, Zot i paqes, ju shenjtëroftë krejtësisht dhe e gjithë qenia juaj: shpirti, jeta, trupi, u ruajtë patëmetë për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit”(Shën Pali, Letra e parë Selanikasve 5, 23).
“Po qe se gjithësinë e pa fund
mundi ta mbledhë në një Korp,
si s’mundka nga një korp
me vrull ta shpërthejë Pafundësinë?”

(Alda Merini, Piccoli canti. La presenza di Orfeo, në Fiore di poesia, 1951-1997, Einaudi, Torino 2014)








All the contents on this site are copyrighted ©.