2014-12-15 14:57:46

Papa, gazetarëve të TV2000: njeriu, në qendër të komunikimit, jo modat


Papa Françesku u takua në mesditë me punonjësit e televizionit katolik italian “TV 2000”, në Sallën Pali VI në Vatikan. Ishte rasti për të shkëmbyer urimet e Krishtlindjes me gazetarët, që e ndjekin Atin e Shenjtë në të gjitha veprimtaritë. E Papa nuk mungoi të flasë për rolin e komunikatorëve në shoqëri, duke pasur parasysh jo vetëm gazetarët, që qëndronin para tij dhe e mbushnin sallën plot, por edhe të gjithë punonjësit e shtypit e të mediave të tjera të krishtera, kudo ndodhen. Mediat katolike, tha Papa Françesku, kanë një mision të veçantë: ta ruajnë e ta mbrojnë komunikimin shoqëror nga çdo gjë, që e përdor atë për qëllime të dyta e të treta. Shpesh, kujtoi Ati i Shenjtë, komunikimi kthehet në propagandë, u shërben ideologjive, qëllimeve politike, ose përdoret për kontrollin e ekonomisë e të teknikës. Por vetë komunikimit i bën mirë të flasë haptas e lirisht:RealAudioMP3
“Nëse jemi vërtet të bindur për atë, që duhet të themi, fjalët vijnë vetë. Nëse shqetësohemi për aspektet taktike, fjalët tona do të jenë të stisura e pak komunikative, pa kripë. Liri është edhe ajo, larg nga modat, nga stereotipet, nga formulat e paramenduara, të cilat, në fund të fundit, e anulojnë aftësinë komunikuese. Të rigjallërojë fjalët: ja detyra e parë e komunikatorit”.
Komunikimi, vijoi Papa Françesku, nuk duhet “të mbushë sa më s’mban e as të mbyllë”. E pastaj shpjegoi se ç’deshi të thotë me fjalët “mbush” e “mbyll”. Komunikimi na “mbush”, tha Ati i Shenjtë, kur na informon me parrulla të njëpasnjëshme, të cilat, në vend që të na bëjnë të mendojmë, e shuajnë mendimin. Na “mbyll”, kur në vend që të na bëjë të ecim në rrugën e gjatë të kuptimit të problemeve, na paraqet njerëz të veçantë, të cilët, ose duket sikur janë në gjendje të zgjidhin të gjitha problemet, ose shërbejnë për t’ua veshur të gjitha përgjegjësitë:
“Të ngasë shpejt drejt zgjidhjes, pa u lodhur në paraqitjen e ndërlikimeve të jetës reale, është gabimi i zakonshëm i një komunikimi gjithnjë e më të shpejtë, që reflekton pak. Të hapim e të mos mbyllim: ja detyra e dytë e komunikatorit, që do të jetë i frytshëm në masën, me të cilën do të lejojë ta udhëheqë Shpirti Shenjt, i vetmi, i aftë të krijojë bashkim e harmoni”.
T’i flasë njeriut në tërësinë e tij: kjo, sipas Papës Françesku, detyra e tretë e komunikatorit, i cili duhet të shmangë keqinformimin, shpifjen dhe përfoljen. Sidomos keqinformimi, nënvizoi Ati i Shenjtë, është veçanërisht i dëmshëm, pasi vë në dukje vetëm gjysmat e fakteve, duke mos u dhënë mundësi njerëzve të gjykojnë si duhet realitetin:
“Komunikimi i vërtetë nuk synon ‘të bëjë përshtypje’: alternimi i alarmizmit katastrofik me çimpenjimin ngushëllues, dy ekstreme që propozohen vazhdimisht nga komunikimi i sotëm, nuk është shërbim i mirë, që mediat mund t’u ofrojnë njerëzve. U duhet folur personave në tërësinë e tyre: mendjes, zemrës, që të dinë të shohin përtej çastit aktual, përtej së tashmes, që rrezikon ta humbasë kujtesën e të ketë frikë nga e ardhmja”.
Këto tri detyra, theksoi Papa Françesku, nëse realizohen si duhet sjellin kulturën e takimit. Për këtë, vetë gazetarët duhet të jenë në gjendje jo vetëm të japin, por edhe të marrin nga të tjerët. Duke i falenderuar e duke u uruar Krishtlindjen, Ati i Shenjtë u nda me punonjësit e TV2000, të cilëve nuk harroi t’u kërkojë t’i shërbejnë me përkushtim Kishës e të luten për Papën.








All the contents on this site are copyrighted ©.