2014-12-15 16:02:47

Lindja e Mesme dhe Guantanamo, në bisedën Kerry-Parolin


Sot paradite, në Vatikan, u takuan Sekretari i Shtetit Papnor, kardinali Pietro Parolin me sekretarin e Shtetit amerikan, John Kerry. Nga pala amerikane morën pjesë edhe ambasadori pranë Selisë së Shenjtë si dhe dy anëtarë të stafit të sekretarit të Shtetit; për palën vatikanase, zyrtarë të Kuries, kompetentë për argumentet e trajtuara.
“Temat kryesore, njofton drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, ishin situata në Lindjen e Mesme dhe angazhimi i SHBA-ve për të shmangur rrezikun e rëndimit të tensioneve si dhe të shpërthimit të dhunës; veç kësaj, edhe angazhimi për të favorizuar rifillimin e bisedimeve ndërmjet Izraelit e Palestinës. U fol edhe për angazhimin e SHBA-ve për mbylljen e burgut të Guantanamos si dhe për dëshirën lidhur me vëmendjen e favorshme të Selisë së Shenjtë në kërkimin e rrugëzgjidhjeve të përshtatshme humanitare për të burgosurit aktualë”.
“Koha e shkurtër në dispozicion, përfundon atë Lombardi, i pengoi biseduesit të trajtonin tema të tjera, që vetëm sa u cekën, posaçërisht situata në Ukrainë dhe perspektivat e emergjencës për epideminë e Ebolës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.